Kampi i Jasenovcit | Foto: Wikimedia Commons

Kthesë e Çuditshme në Rastin për Krimet e Luftës së Dytë Botërore

Të enjten në Gjykatën e Qarkut të Chicagos vazhdoi gjykimi i çështjes Lalich dhe të tjerët Kundër Kroacisë, edhe pse Anthony D’Amato avokati i paditësve nuk u paraqit në gjykim pas kërcënimeve të mëhershme para shqyrtimit gjyqësor që do të zbulojë gjëra që “do ta shkatërrojnë biznesin turistik në Kroaci”.

Në muajin mars “Vecernji List” njoftoi se pasardhësit e viktimave të Luftës së Dytë Botërore kërkojnë nga Kroacia 3,2 miliardë euro dëmshpërblim për pasurinë e marrë dhe për vuajtjen që qeveria profasishte e lidhur me lëvizjen ustashe u shkaktoi të afërmve të tyre.

Sipas shkrimit të “Vecernji List” padinë në prill të vitit 2016 e bënë pasardhësit e serbëve, hebrenjve dhe romëve të Kroacisë Lizabeth Lalich, Mladen Djuricich, Robert Predrag Gakovich, Veljko Miljus, Bogdan Kljaic, David Levy dhe Daniel Pyevich.

Por avokati amerikan Jonathan Levy që i përfaqëson Lalich-in, Kljaic-in dhe Pyevich-in thotë se padia është ngritur pa pajtimin e të mbrojturve të tij, duke pretenduar se identiteti i tyre është vjedhur.

Klaic dhe Lalich i shkruan gjyqit dhe ambasadës së Kroacisë në ShBA, duke kërkuar që padia të hedhet poshtë, ndërsa bënë me dije se D’Amato nuk i përfaqëson.

Duke thënë se e ka gjendjen shëndetësore të rrënuar në dëgjimin e parë më 8 gusht D’Amato kërkoi që të lidhet me sallën e gjyqit me anë të telefonit.

Në shqyrtimin gjyqësor  të pranishëm ishin avokatët që mbrojnë Kroacinë nga kompania e avokatisë prej Chicago-s “Hinshaw & Culbertson LLP”, por D’Amato ishte i pranishëm në linjën telefonike për një kohë të shkurtër.

Sipas procesverbalit të gjykatës, ai e lëshoi dëgjuesen e telefonit dhe gjykata nuk mundi të lidhet më me të.

Gjykata nuk mundi ta gjejë D’Amaton deri në dëgjimin e mbajtur të enjten, kështu që tash ai ka afat të paraqitet në gjyq deri më 14 shtator, në të kundërtën aktakuza në mënyrë automatike do të hedhet poshtë.

Para shqyrtimit të 8 gushtit, D’Amato gjyqtarit kryesues Jorge L. Alonso dhe avokatëve të Kroacisë ua paraqiti propozimin për marrëveshje jashtëgjyqësore.

Ai u propozoi marrëveshje dëmshpërblimi prej 3.2 miliardë eurosh “avokatëve të industriesë turistike kroate”.

Por industria turistike kroate nuk ka lidhje me padinë.

Në propozimin e tij D’Amato thotë se nëse nuk arrihet kurrfarë marrëveshjeje do të tregojë detaje të tmerrshme për vrasjet nga ustashët, të cilat sipas tij do të munden t’i shkaktojnë dëm imazhit ndërkombëtar të Kroacisë dhe “ta shkatërrojnë biznesin turistik të saj” që përbën 18 për qind të Bruto Produktit Vendor vjetor.

“Edhe ata pak njerëz që do të donin ta vizitonin Kroacinë do të përmbaheshin për të mos shkaktuar kundërshti te hebrenjtë dhe sllavët që ishin viktima të krimeve të pabesueshme të Kroacisë”, shkroi D’amato në propozim.

Avokatët që mbrojnë Kroacinë thanë se ky shtet nuk është trashëgimtar ligjor i Shtetit të Pavarur Kroat që ekzistoi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ata kërkuan që D’Amato të ndëshkohet për shkak të “qëllimeve të paarsyshme për ta turpëruar Republikën e Kroacisë dhe anëtarët e industrisë turistike kroate dhe t’i detyrojë anëtarët e kësaj industrie që të negociojnë me D’Amaton nën kërcënimin se zotëri D’Amato do të publikojë akuza për të cilat beson se do ta shkatërrojnë turizmin kroat”.

Më 28 gusht avokatët që mbrojnë Kroacinë kërkuan nga gjykata që ta shqyrtojë mundësinë e vjedhjes së identiteteve dhe të vendosë “nëse procesi po shfrytëzohet për shqetësim dhe mashtrim”.

Vitin e kaluar D’Amato një pretendim të ngjashëm e shfaqi edhe ndaj Hungarisë në emër të hebrejve të këtij shteti viktima të Holokaustit.