Publikohen Video ku Mesiç Minimizon Krimet e Luftës II Botërore

Portali informativ i ekstremit të djathtë “Maxportal” dhe programi televiziv “Bujica” të hënën në mbrëmje bënë publike dy video nga viti 1992 në të cilat ish-presidenti kroat, Stjepan Mesiç, vë në pikëpyetje numrin e të vdekurve në kampin e përqendrimit në Jasenovc gjatë Luftës II Botërore.

Në videon e parë, Mesiç deklaroi se Jasenovci, i cili drejtohej nga lëvizja fashiste ustashe kroate e kohës së Luftës së Dytë Botërore, ishte thjesht “një kamp pune”, – një teori e mbështetur nga historianët revizionistë dhe të krahut të djathtë të Kroacisë.

Ai tha se njerëzit vdiqën nga sëmundje si tifoja dhe dizenteria në kamp, por nuk u ekzekutuan “sepse kush do të punonte në ambientet e punës të kampit të nesërmen?”.

“U vranë njerëz, por para se të vinin në Jasenovc. Kur dikush vinte në Jasenovc, ai ishte praktikisht i sigurt, si punëtor”, shtoi Mesiç, i cili ishte president i Kroacisë midis viteve 2000 dhe 2010.

Sekretari i Mesiçit tha për BIRN të hënën se ish-presidenti kroat “për momentin, s’do të komentonte në lidhje me këtë çështje”.

Sipas hulumtimeve nga Memoriali i Jasenovcit, 83,145 persona – 47,627 serbë, 16,173 romë, 13,116 hebrenj dhe antifashistë të tjerë – janë identifikuar me listë se kanë vdekur në kampin e përqendrimit gjatë luftës, një shifër që s’është ende përfundimtare. 20,101 prej tyre ishin fëmijë.

Në video Mesiç tha se 25,000 persona vdiqën në Jasenovc. “Ndonjëherë kalonin 15 ditë apo një muaj pa u vrarë apo pa vdekur njeri”, tha ai.

Çështja e Jasenovcit mbetet shumë e diskutueshme në Kroaci, ku të djathtët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të minimizuar brutalitetin e tij në përpjekje për të rehabilituar ustashët.

Mesiç tha gjithashtu se presidenti jugosllav Josip Broz Tito e dinte se numri i të vdekurve në Jasenovc ishte zmadhuar dhe këmbënguli se kampi – i cili u mbyll në vitin 1945 – në fakt vazhdoi të punonte nën regjimin komunist jugosllav “deri në vitin 1947” dhe aty mbaheshin kroatët e kapur që ishin armiq të regjimit të ri.

“Në vendin e kampit, ka kroatë të varrosur thellë nën tokë”, tha ai.

Një OJQ kroate tepër e diskutuar e ekstremit të djathtë “Jasenovci i Trefishtë”, e përbërë nga historianë, gazetarë dhe shkrimtarë, ka deklaruar në mënyrë të ngjashme se ustashët drejtonin një kamp pune në Jasenovac për armiqtë e regjimit, por kampi i vërtetë i vdekjes së kroatëve, i drejtuar nga komunistët, burgosi anëtarë ushtashë dhe trupa të Gardës së Atdheut deri në vitin 1948, atëherë të pretendoi si stalinistë deri në 1951.

Nuk ekziston asnjë dokument që vërteton pretendimet e OJQ-së.

Në video e dytë të publikuar të hënën, Mesiç foli me një ton pozitiv për ministrin e Brendshëm ustash Andrija Artukoviç, i cili nënshkroi ligjet racore të regjimit në vitin 1941. Artukoviç u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1986 dhe u dënua me vdekje, por vdiq në vitin 1988 para se të kryhej dënimi.

Edhe pse Mesiç është kryetar nderi i Aleancës së Luftëtarëve Antifashistë dhe Antifashistëve, një video e ngjashme doli në dritë në vitin 2006, kur faqja kroate e lajmeve “Indez” zbuloi një video të xhiruar në Australi në vitin 1991 në të cilën ai lavdëronte regjimin ustash.

“Nuk kemi arsye pse t’i kërkojmë ndjesë ndokujt. Kjo që i kërkohet kroatëve: ‘Shkoni dhe uluni në gjunjë në Jasenovc, shkoni uluni në gjunj atje!’ Ne s’kemi arsye pse të ulemi në gjunj para askujt”, tha ai.

Pas publikimit të videos, Mesiç tha se ai nuk mund ta konfirmojë apo mohojë se ishte e vërtetë – por tha gjithashtu se komentet mund të ketë qenë një përpjekje “taktike” për të mobilizuar kroatët kundër serbëve gjatë luftës së fillimit të viteve 1990.

Videot e fundit të bëra publike janë xhiruar në vitin 1992 në qytetin kroat të Novskës gjatë një takimi të vogël të degës lokale të Unionit Demokratik Kroat, HDZ, në të cilin Mesiç në atë kohë ishte anëtar.