Kosova Prin në Rajon me Azilkërkues

Në kohën kur Kosova synon fillimin e bisedimeve për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, shënimet që japin Kombet e Bashkuara tregojnë shifra alarmante të kërkesave për strehim politik nga ana e kosovarëve.

Kosova renditet në vendin e tretë në botë për nga numri i azilkërkuesve, pas Afganistanit dhe Kinës, ndërsa pas Kosovës në vendin e katërt dhe pestë mbesin Iraku dhe Irani.

Në 44 vende të industrializuara, nga këto pesë vende janë bërë 55 mijë kërkesa për azil, ndërsa në vendet ku më së shumti kërkohet strehim politik prijnë SHBA, që pasohen nga Franca, Gjermania, Suedia dhe Britania e Madhe, raporton RTK.

Vetëm në pjesën e parë të vitit 2011, thuhet se nga Kosova dhe Serbia ka pasur 10,300 kërkesa për azil.

Për shkak të mosnjohjes nga Kombet e Bashkuara, Kosova nuk trajtohet si një vend i pavarur dhe ajo futet në kuadër të kërkesave që vijnë nga Serbia (rezoluta 1244), mirëpo këtu sqarohet se katër nga pesë kërkesat për azil në gjashtë muajt e parë kanë qenë nga kosovarët.

Në Francë, numri më i madh i azilkërkuesve në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shënuar nga Kosova, rreth 2.300. Një e katërta e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani dhe një e treta e atyre në Suedi kanë qenë nga Kosova. Proporcioni i këtyre azilantëve që vijnë nga Kosova më i larti është në Francë, rreth 87 për qind, në Belgjikë, 57 për qind, në Gjermani 28 për qind dhe në Suedi 37 për qind, thuhet në shënimet që jep Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara.