Ilustrim

Kompanitë evropiane të gazit po kërkojnë mënyra për ta paguar gazin rus në rubla

Kompanitë e energjisë në Evropë po e shqyrtojnë hapjen e llogarive ruse për ta paguar gazin nga Gazprom pasi regjimi i Vladimir Putin i ndërpreu furnizimet për Poloninë dhe Bullgarinë dhe këmbënguli se vendet e tjera duhet të paguajnë në rubla.

Shpërndarësit e mëdhenj të gazit në Gjermani dhe Austri konfirmuan se po kërkojnë mënyra për t’i vazhduar pagesat pasi Putin nënshkroi një dekret në fund të marsit që kërkonte një “procedurë të veçantë për përmbushjen e detyrimeve nga blerësit e huaj ndaj furnizuesve rusë të gazit natyror”.

Dekreti parashikon që blerësit jo-rusë të gazit duhet të hapin llogari të veçanta të tipit “K” në rubla dhe valutë të huaj në Gazprombank, banka e tretë më e madhe në Rusi. Gazprombank u krijua për të qenë një ofrues shërbimi për Gazprom, prodhuesi shtetëror i gazit që e ka monopolin e eksporteve nëpërmjet tubacioneve të gazit në Evropë.

Distributori gjerman Uniper dhe OMV e Austrisë konfirmuan se po mendojnë se si ta zbatojnë dekretin e lëshuar nga Putin. Financial Times raportoi se kompanitë në Hungari dhe Sllovaki, si dhe Eni e Italisë, po e marrin në konsidertaë gjithashtu të regjistroheshin për llogaritë me shpresën për të siguruar furnizime të vazhdueshme, pavarësisht se Komisioni Evropian tha se duke vepruar kështu mund t’i shkelnin sanksionet.

Polonia dhe Bullgaria kanë marrë një pozicion sfidues, duke refuzuar ta nënshkruajnë marrëveshjen e preferuar të Putinit. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, e përshkroi pezullimin hakmarrës të Rusisë të furnizimeve me gaz si një “sulm të drejtpërdrejtë”.

Megjithatë, Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës dhe përdoruesi më i madh i gazit rus, ka adoptuar një ton më zbutës mes frikës – e kundërshtuar nga disa analistë – se një embargo do të ishte e pamundur pa rrëzuar ekonominë e saj.

Një zëdhënës i Uniper, një nga blerësit kryesorë gjermanë të gazit nga Rusia, konfirmoi të enjten se janë në bisedime me Gazprom “në koordinim të ngushtë me qeverinë gjermane” mbi “modalitetet konkrete të pagesës”, por se do të vazhdojë të paguajë në euro për tani.

“Uniper mund të thotë për kontratat e saj: ne e konsiderojmë të mundur një konvertim pagese në përputhje me ligjin e sanksioneve dhe dekretin rus të jetë e mundur,” tha zëdhënësi. “Për kompaninë tonë dhe për Gjermaninë në tërësi, nuk është e mundur të bëhet pa gazin rus në një afat të shkurtër; kjo do të kishte pasoja dramatike për ekonominë tonë”.

OMV, një kompani austriake e naftës dhe gazit, po kërkon gjithashtu mënyra për ta paguar gazin rus pa i shkelur sanksionet e BE-së. Në një deklaratë, OMV tha: “Ne kemi analizuar kërkesën e Gazprom në lidhje me mënyrat e pagesës në dritën e sanksioneve të BE-së dhe tani po punojmë për një zgjidhje në përputhje me sanksionet”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se Kremlini po i përdor “karburantet fosile për të na shantazhuar” dhe se BE-ja po kërkon ta reduktjë varësinë e saj nga gazi rus duke importuar më shumë nga SHBA. Megjithatë, BE-ja nuk është përpjekur të vendosë sanksione ndaj Gazprom ose Gazprombank.

Bloomberg Neës të mërkurën raportoi se katër kompani evropiane kanë paguar në rubla, duke përmendur një person të afërt me Gazprom, ndërsa 10 të tjera kanë hapur llogari.

Sipas marrëveshjes së kërkuar nga Rusia, gazi do të paguhej në euro – valuta në të cilën ishin shkruar kontratat – dhe ato euro do të shiteshin në shkëmbimin e Moskës për rubla, të cilat më pas do t’i transferoheshin Gazpromit.

Kërkesa shtesë për rubla do të ndihmonte në ruajtjen e monedhës, duke i ndihmuar importuesit në ekonominë e Rusisë, e cila është goditur rëndë nga lufta dhe izolimi ekonomik i shkaktuar nga sanksionet e vendosura nga shumë vende të tjera të mëdha./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala