Kokulur N’rend për Viza

“[Në Kosovë] ndërmerren gjerësisht aktivitetet kriminale si trafikimi i heroinës, kokainës dhe kanibisit, migrimi i parregullt me ndërmjetësim, trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i armëve, si dhe trafikimi i cigareve dhe derivateve të naftës… Kapacitetet e limituara legjislative dhe institucionale që ka Kosova për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, e bëjnë atë potencialisht shumë të rrezikshme për sigurinë e brendshme të BE-së.”

Kështu thuhet në Raportin e Komisionit Europian (KE) për përmbushjen e kritereve në udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave, të botuar më 8 shkurt 2013.

Është raport i çuditshëm. Kur të krahasohet me raportet vlerësuese që KE-ja i ka shkruar për vendet e tjera të Ballkanit gjatë procesit të liberalizimit të vizave, ky raport në disa vende duket më shumë si ese kreative sesa vlerësim teknik.

Është e natyrshme që raporti për Kosovën të jetë më negativ sesa raportet për vendet e tjera të Ballkanit. EULEX-i, me zyrtarë që punojnë përbrenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, i vëzhgon institucionet e Kosovës me llupë dhe vështrimet e tij përfshihen në raportet e KE-së. Vendet e tjera të Ballkanit vlerësoheshin vetëm nga misionet vizituese prej Brukselit, që nuk i shihnin të gjitha detajet sikurse EULEX-i në Kosovë.

Por ky raport i KE-së është aq negativ sa që ngjall dyshimin se mos është qëllimshëm i ekzagjeruar. A është e mundur që kriminaliteti në Kosovë të jetë shumë më i zhvilluar se në Serbi apo Mal të Zi?

Ka plot arsye të vlefshme për të mos i ofruar Kosovës liberalizimin e vizave në këtë kohë. Po i përmend dy:

E para: siguria e të dhënave personale. Në tetor 2012, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi për një rast të ndryshimit të identitetit të një personi i cili ishte duke u gjykuar për një vepër të rëndë penale në Kosovë. Për ndryshim emri, aplikuesi duhet të dorëzojë një vërtetim se nuk është nën hetime. Në pamundësi të marrjes së një dokumenti të tillë në Gjilan, ku ky person ndiqej penalisht, ai u shpërngul në Kamenicë dhe aty kreu procedurat për ndryshimin e emrit. Ky rast ekspozon brishtësinë e sistemit të regjistrimit civil. Kush mund ta bindë BE-në që e njëjta nuk do të ndodhë edhe me njerëz që kanë kryer krime të mëdha ndërkombëtare dhe dëshirojnë (paguajnë?) ta ndërrojnë identitetin e tyre për t’u ikur dënimeve. Regjistrimi civil është shumë i rëndësishëm për procesin e liberalizimit të vizave dhe rastet si ky e zvogëlojnë besimin që institucionet e vendit do të mund ta kryejnë funksionin e regjistrimit si duhet.

E dyta: rreziku për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Kosova. Përderisa Kosova nuk ka plan të mirë për t’u marrë me azilkërkuesit potencialë, ajo nuk do ta marrë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Mirëpo duhet të tregohemi fer: kjo çështje nuk mund të adresohet vetëm nga Kosova. Në disa shtete të BE-së, procesimi i aplikacioneve për azil zgjat aq shumë, sa që disa azilkërkuesve u leverdis të kërkojnë azil edhe kur e dinë se nuk do ta fitojnë azilin. Gjatë kohës së procesimit të aplikacionit, ata mund të jetojnë disa muaj përmes ndihmave sociale në një shtet të zhvilluar, me ajër të pastër dhe mjekë të mirë. Kjo ndodhi pas liberalizimit të vizave për shtetet fqinje, ku numri i azilkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia për në Gjermani dhe Suedi u rrit shumë. Duke marrë parasysh tendencat e kosovarëve të migrojnë, BE-ja ka frikë se në momentin e liberalizimit të vizave për Kosovën të gjithë kosovarët do të shpërngulen.

Zvicra (shtet anëtar i zonës Schengen) që tani i proceson këto aplikacione për 48 orë
, ka parë zvogëlim drastik të numrit të azilkërkuesve. Kështu që, shtetet e BE-së duhet që sikur Zvicra, t’i shkurtojnë procedurat për azilkërkuesit që vijnë nga vendet me origjinë të sigurt, si vendet e Ballkanit, në mënyrë që ta dekurajojnë këtë fenomen.

Por KE-ja në vend se të ndalet te përshkrimi objektiv i problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për vizat, ajo shkoi tutje duke e ‘zbukuruar’ raportin deri në atë masë sa të lexohet thua se Kosova është vendi më i kriminalizuar në botë. Prej këtij raporti të KE-së krijohet përshtypja që Serbia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë zhdukur si me magji dhe Kosova i ka të gjitha portet detare ku zbarkohet droga e ngarkohen gratë e trafikuara. Thua se Kosova i ka të gjitha korridoret rrugore përmes të cilave transportohen armët ilegalisht. Thua se BE-ja është e rrethuar vetëm me Kosovën dhe siguria e BE-së varet vetëm prej Kosovës.

Te dhënat e cituara për ta “zbukuruar” raportin e KE-së janë marrë nga një raport i EUROPOL-it, i cili në fakt e vendosë Kosovën në kontekst rajonal. Raporti flet për portet në Durrës e Tivar ku zbarkohet droga prej Amerikës Latine, për rrugët që lidhin Maqedoninë me Serbinë nëpër të cilat kalon droga prej lindjes së mesme, për mafinë shqipfolëse të specializuar në droga e mafinë serbofolëse të specializuar në armë. 

Krimi në Kosovë nuk është ndryshe prej krimit në Shqipëri ose Serbi. Por Serbia dhe Shqipëria u konsideruan dhe e morën liberalizimin e vizave, ndërsa për Kosovën është krimi ai që citohet si arsya kryesore pse liberalizimi nuk do të ndodhë.

Po get që shtetet e BE-së kanë vendosur heshtazi se Kosova nuk do ta fitojë liberalizimin e vizave edhe për shumë e shumë vjet. Më lehtë e kanë ta mbajnë Kosovën të mbyllur sesa t’i ndryshojnë politikat e veta për procesimin e aplikacioneve për azilkërkues. Komisioni Evropian duket se ndjeu nevojën që ta arsyetojë këtë vendim të heshtur (e të padrejtë!) dhe ta ngufasë debatin potencial, duke e shkruar një raport bombastik që po na thotë: “shihni sa kriminelë që jeni dhe çfarë rreziku ju paraqisni për BE-në, kështu që mos e kërkoni liberalizimin”.

Përderisa skandalet që dalin nga Ministria e Punëve të Brendshme na i qëndisin faqet e gazetave çdo javë, ne s’kemi fytyrë që ta kundërargumentojmë Brukselin. Kështu që, kokulur vazhdojmë presim n’rend për viza.