Foto Ilustrim

Kërkohet Ekzaminimi i Eshtrave

Gjatë punimeve në rrugën “Sami Gashiani”, në lagjen Bair të Mitrovicës, afër ish-kazermës ushtarake, janë gjetur 55 mbetjet mortore, të cilat pas ekzaminimit nga ana e ekspertëve të departamentit të mjekësisë ligjore, është konkluduar se nuk i përkasin viktimave të luftës së viteve 1998 – ’99.

Mirëpo, shoqata e familjarëve të personave të zhdukur “Zëri i Prindërve” nga Mitrovica i ka kërkuar komisionit qeveritar për persona të zhdukur që këtyre mbetjeve t’u bëhet analiza e AND’së.

Kryetari i komisionit qeveritar, Prenk Gjetaj kishte mbledhur në një takim me 19 tetor të gjithë partnerët vendor dhe ndërkombëtarë të përfshirë në çështjen e personave të zhdukur, që këto mbetje të trajtohen në mënyrë dinjitoze, sipas ligjit në fuqi.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të angazhohet dhe kërkon nga institucionet relevante, konform legjislacionit në fuqi, që të jetësohet kërkesa e Shoqatës së Familjarëve ‘Zëri i Prindërve’, gjegjësisht familjarëve të personave të zhdukur, gjatë viteve të luftës 1998 – ’99, që këto mbetjet mortore të identifikohen,” thuhet në kumtesën e komisionit për persona të zhdukur.