Katër Policë Dyshohen për Keqpërdorime

Në Gjykatën Komunale në Rahovec, të martën ishte planifikuar të mbahej gjykimi ndaj katër të akuzuarve D. H, I. H, R. K. dhe B. K., të gjithë zyrtarë të Stacionit Policor në Rahovec.

Të pandehurit akuzohen për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare, ose i autorizimit”.

Në kohë të papërcaktuar, në vitin 2005/ 2006, ata akuzohen se si persona zyrtarë të Stacionit Policor në Rahovec, i kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare. Pasi kanë marrë një informatë se te vendi i quajtur “Malet e Hamovcit” në Rahovec gjendet një veturë, e demoluar dhe e braktisur, policët kanë dalë në vendin e ngjarjes; e kanë bërë shikimin dhe fotografimin e vendit të ngjarjes, mirëpo kur nga ata është kërkuar skica dhe fotografimi, ata nuk i kanë disponuar.

Duke pasur parasysh këto dyshime, Prokuroria Komunale në Prizren më 24 shkurt 2009 ka ngritur propozim-akuzë kundër të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në bashkëkryerje, nga neni 339, paragrafi 1, i Kodit Penal të Kosovës.

Në seancën e mbajtur të martën te gjykatësi i çështjes, Shaban Shala, nuk është paraqitur i dëmtuari E. Sh nga fshati Tërrnjë, komuna e Suharekës, për të cilin gjykata nuk kishte prova se e kishte pranuar ftesën me kohë dhe me rregull.

Në mungesë të kushteve ligjore që seanca të mbahej pa mungesën e të dëmtuarit, gjykatësi Shala mori aktvendim që seanca të shtyhej për muajin mars.