Adresimi për fundvit i Kurtit: Bashkëpunoni sa më shumë me ne - VIDEO

Kryeminstri Albin Kurti u është adresuar komuniteteve jo shumicë me rastin e vitit të ri.

Kurti ka thënë se krahas investimeve në arsim, janë krijuar mundësi veçanërisht për komunitetet jo shumicë.

“Për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që tradicionalisht kanë qenë të nënpërfaqësuara në shkollat e mesme dhe arsimin e lartë, ne kemi ofruar bursa nga të cilat kanë përfituar 498 nxënës të shkollave të mesme, së bashku me 55 studentë në fakultetet publike”, thotë Kurti.

MKRS ka dyfishuar mbështetjen financiare për komunitetet, thotë Kurti.

“Përmes thirrjeve publike, kemi përkrahur 88 projekte, vlera totale e kësaj mbështetje arrin shumën mbi 400 mijë euro. Nëpërmjet botimit të librave dhe revistave, si dhe mbështetjes së autorit, janë publikuar 10 libra në gjuhët e komuniteteve jo shumicë gjatë këtij viti”, deklaron Kurti.

Ai shton se si Qeveri janë kujdesur që të ketë gjithëpërfshirje edhe në sport.

Kurti ka folur edhe për krijimin e platformës www.raportodiskriminimin.org për raportim dhe reagim ndaj rasteve të diskriminimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Shton se është ofruar edhe mbështetje për fëmijët e këtyre komuniteteve gjatë shkollimit të obligueshëm me 200,000 Euro për qendrat arsimore.

“Këtë muaj krijuam një grup pune ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme sepse nuk duam që asnjë vajzë apo djalë të braktisë shkollimin”, thotë Kurti.

Kryeministri kosovar thotë ka rifilluar procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut në mënyrë që t’u ofrohet mundësi punësimi bartësve të këtyre diplomave.

Kurti ka shtuar se përmes programit “Generation Unlimited” u ofrua praktikë me pagesë për të rinjtë, 9% e të cilëve ishin nga komunitetet.

Ai shtoi se u vazhdua puna për respektimin e kuotave për punësim të pjesëtarëve të komuniteteve në institucione publike.

“Ne kemi krijuar bazën ligjore për Zyrën për Kontrollin dhe Harmonizimin e Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në mënyrë që në vitin 2024 të kemi përkthim cilësor të ligjeve dhe akteve nënligjore në të dyja gjuhët zyrtare të Kosovës”, thotë Kurti..

Investimet kapitale për komunat me shumicë serbe ishte mbi 12 milionë euro sipas Kurtit. Përmes MAPL-së janë ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore për komunitetet jo shumicë dhe 3 milionë euro për ndërtimin apo renovimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë në komuna.

259 grante për fermerë u financuan me 3 milionë euro përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, thotë Kurti.

“Rezultatet dhe arritjet e vitit 2023 për ne do të jenë motiv për vitin që po na pret.  Qeveria jonë, shërben bashkë me ju dhe për ju. Prandaj, ju ftoj që të bashkëpunoni sa më shumë me ne”, thotë Kurti.

Adresimin, kryeministri e ka përfunduar duke i uruar të gjithëve shëndet dhe lumturi nga ai dhe Qeveria.