Foto: Atdhe Mulla

Jeta virtuale e fëmijëve dhe sfidat e pandemisë

Bukurie Zejnullahu- Jashari nga Lipjani, është nënë e tre fëmijëve, binjakëve vajzë dhe djalë nga 11 vjeç dhe një djali 6 vjeçar.

Përballja me pandeminë nuk është e lehtë për të dhe fëmijët e saj, përderisa në kohën e karantinimit me orare të gjata ajo dhe bashkëshorti i saj janë sfiduar në menaxhimin e situatës.

“Nuk ishte e lehtë as për fëmijët tonë kjo situatë, diçka e pazakontë nga e cila mendja e fëmijëve nuk ishte e përgatitur për një ballafaqim të tillë. Çdo gjë ishte jashtë rrjedhës normale ditore që kishin fëmijët”, thotë ajo për KALLXO.com.

Sipas saj, mbyllja e shkollave, izolimi total në shtëpi, mungesa e vizitave dhe aktiviteteve në mjedis social ishte një situatë vështirë e përceptueshme për fëmijët.

“Mirëpo duke marrë parasysh aspektin shëndetësor dhe rrezikimin e tij, i tërë ky aktivitet është dashur të zvogëlohet apo edhe të reduktohet plotësisht”, thekson Bukuria.

Ajo i ka quajtur shpëtimtarë fëmijët e saj gjatë kohës së karantiminit në shtëpi, si mënyrë për t’ua shpjeguar atyre rëndësinë e kujdesit dhe mbrjotjes nga coronavirusi.

“Ne u kemi thënë fëmijëve se edhe pse janë më pak të rrezikuar nga virusi mund të të quheni edhe shpëtimtarë sepse ky zakonisht prek më të vjetrit e duke pasur parasysh që në familjen tonë jetojnë edhe gjyshërit e juaj, ju përpos që e ruani veten po i mbroni edhe më të dashurit”, tregon ajo për KALLXO.com.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Programit të UNICEF-it në Kosovë [organizatë jo qeveritare për mbrotjen e  fëmijëve] në Kosovë më shumë se 300 mijë fëmijë janë prekur nga mbyllja e shkollave.

Pas mbylljes së shkollave në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Ministria e Arsimit kishte zbatuar mësimin në distancë [e-mësimi], por sipas avokues të të drejtave të fëmijëve, shumë prej nxënësve kanë mbetur jashtë këtij procesi.

“Hendeku është zgjeruar në mes të fëmijëve të familjeve të pasura që ishin në gjendje të mbanin mësimin me distancë përmes teknologjisë dhe fëmijëve të familjeve të varfra që mbeten pas në mësimin online”, thuhet në përgjigjen e UNICEF-it për KALLXO.com.

Lidhur me këtë çështje, Bukuria thotë se tre fëmijëve të saj është dashur t’ua sigurojnë tri pajisje teknologjike për të filluar me mësimin online.

Por sipas UNICEF-it, pavarësisht të përpjekjes së organizmit  të mësimit në distancë, të gjeturat tregojnë se humbjet në mësim janë të pashmangshme dhe të konsiderueshme  me një pjesë të madhe të nxënësve duke rënë në nivel të analfabetizmit funksional dhe rritje të shkallës së braktisjes së shkollimit.

Në anën tjetër Kushtrim Sogojeva nga Prishtina, i cili është baba i një djali 4 vjeçar e ka pasur më të lehtë situatën në kohën e karantinës.

Kushtrimi thotë se djali i tij e ka shijuar shumë qëndrimin gjatë gjithë kohës me prindërit.

“E ka përjetuar shumë mirë realisht kohën e karantinës sepse vet fakti qe i ka pas dy prindërit afër, e kemi vërejtur që është kënaq dhe e ka shijuar situatën në maksimum të qëndrimit me neve”, thotë ai, duke shtuar se i biri e kishte mirëpritur edhe mosshkuarjen në çerdhe, por shton se janë munduar t’ia kompensojnë mësimet dhe lojërat në kushte shtëpie.

Sipas tij, për shkak edhe të moshës djali i tij e ka pasur të vështirë ta kuptojë karantinimin dhe tashmë edhe masat për parandalimin e infektimit me coronavirus.

“Ajo çfarë e ka bërë djalin me kuptu që diçka situata është më ndryshe, ka ndodhë në momentet kur ne kemi bartë maska dhe kur i kemi pastruar duart shpesh. Përndryshe në përgjithësi e ka pas më të vështirë me kuptu realisht se çfarë po ndodhë nga situata me pandeminë”, thotë ai për KALLXO.com.

Por si ia ka shpjeguar Kushtrimi djalit të tij karantinën dhe mbajtjen e higjienës.

“Situatën e karantinës ia kemi shpjegu, për shembull duke i thënë që nuk po dalim jashtë për shkak të insekteve. I kemi thënë në këtë mënyrë që ka buba [insekte] jashtë dhe duhet me i pastru duart dhe me qëndru në shtëpi”.

Siç shprehet ai, fatmirësisht gjatë kësaj kohe nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim drastik në sjelljet e djalit.

Kurse, Bukuria [nënë e tre fëmijëve] thotë se me kalimin e kohës fëmijët kanë filluar të adaptohen duke i mbajtur aktivitetet e tyre në mjedise shtëpiake, por se nga gjendja e krijuar ajo kishte vërejtur disa ndryshime.

“Janë vërejtur disa ndryshime rreth orarit të gjumit dhe rreth orarit të ngërnies, por edhe një ndryshim apo disi një lehtësim rreth obligimeve në mësime”, tregon ajo.

Vështirësitë e fëmijëve në kohë të pandemisë

Ndërpreja e procesit mësimor dhe kalimi në formë virtuale, izolimi, kushtet financiare dhe dhuna në familje, janë vetëm disa nga vështirësitë me të cilat janë përballur fëmijët gjatë kohës së pandemisë.

Psikologia për fëmijë, Dalila Sinishtaj-Lekaj tregon se cilat janë problemet më të mëdha që janë ballafaquar fëmijët në Kosovë gjatë kohës së pandemisë.

“Pikë së pari ka qenë ndërprerja e procesit mësimor të fëmijëve në shkolla dhe atyre në çerdhe e kopshte. E dimë mirë që fëmijët një pjesë të madhe të kohës e kalojnë në këto institucione ku zhvillojnë aktivitete të ndryshme mësimore, argëtuese dhe kjo besoj që ka qenë një prej vështirësive kryesore”, thotë ajo për KALLXO.com.

Sipas psikologes, vështirësi tjetër është izolimi apo karantinimi.

“Kemi parasysh që fëmijët nuk kanë qenë në pushim dhe nuk kanë pasur mundësi të dalin ose të bëjnë aktivitete tjera me familjet e tyre, por kanë qenë të izoluar brenda shtëpive me orare daljeje, çdo aktivitet që është realizuar është bërë brenda mjedisit të shtëpive”, theksoi ajo për KALLXO.com.

Sinishtaj –Lekaj shton se sfidë për fëmijët ka qenë edhe procesi i mësimit online.

“Përveç benefiteve që ka pasur, ka qenë një vështirësi e shtuar si për prindërit ashtu edhe për fëmijët dicka e re më të cilën janë përballur dhe dicka e pa përjetuar më pare, veçanërisht për fëmijët e vegjël të moshës shkollore ose të kopshteve”.

Ndërkaq, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, thekson se pandemia globale COVID-19 ka shkaktuar pasoja për mbarë popullatën e në veçanti për grupet e cenueshme, ku përfshihen edhe fëmijët.

Sipas KOMF, në radhë të parë pandemia ka shkaktuar vështirësi dhe pasoja negative të cilat kanë ndikuar në masë tek fëmijët, siç është ndërprerja e vitit të rregullt mësimor dhe zëvendësimi i saj me një formë alternative sikurse ka qenë mësimi online, apo edhe ndryshimi i papritur i mënyrës standarde të jetesës pra izolimi i tejzgjatur, me orare të reduktuara dhe me distancë fizike e mungesë të theksuar të kontakteve sociale.

Fëmijët në kohë të pandemisë, Infografika: KALLXO.com

“Por përveç kësaj, kjo pandemi ka shkaktuar edhe më shumë dëme për fëmijët e cenueshëm, të cilët si pasojë e pandemisë Covid-19, prej disa muajsh kanë mbetur pa shërbime dhe mbrojtje. Periudha e zgjatur e izolimit, kushtet e rënda të jetesës dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje”, thuhet në përgjigjen e organizatës –për KALLXO.com.

Përveç kësaj, sipas KOMF-it, gjendja e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe e prindërve të tyre është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbimet esenciale sociale, shëndetësore e rehabilituese, si edhe pa mbështetjen e nevojshme psikologjike. Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit mendor, prandaj mbështetja profesionale ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre është e rëndësishme dhe e domosdoshme”.

Sipas Koalicionit të OJQ-ve, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, edhe gjatë pandemisë po vazhdojnë të jenë në rrezik për jetën, shëndetin dhe po ekspozohen ndaj abuzimit, shfrytëzimit seksual dhe trafikimit.

Kurse, UNICEF-i thekson se gjatë pandemisë, fëmijët në Kosovë ndër tjerash janë përballur me sfida si vijojnë: ndarje apo humbje në familjet e tyre, “e cila  mund të shpie në trauma dhe pikëllim për shkak të natyrës së vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19”.

“Në familjet e tyre, ndërprerja e shërbimeve shëndetësore e cila ndikon ndjeshëm në mbijetesën e fëmijëve, imunitetin, kontrollat rutinore shëndetësore, dhe zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve. Ndërprerja e shërbimeve shëndetësore shfaqë efektet e saj te gratë shtatzëna që iu mungojnë kontrollet, dhe mungesa e shërbimeve për përkrahje të nënave dhe fëmijëve që vuajnë nga ngritja e rasteve të dhunës në familje”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Pasojat e izolimit

Programi i UNICEF-it në Kosovë thekson, se pasi pasojat e COVID-19 po vërehen gjithandej vendit, fëmijët duken të jenë nga më të prekurit nga pandemia.

“Ndonëse fëmijët nuk janë më të goditurit në aspektin shëndetësor nga kjo pandemi duke qenë se nuk janë më të ndjeshmit nga efektet e COVID-19, kriza shëndetësore ka një ndikim të thellë në jetën dhe mirëqenien e tyre”, thuhet në përgjigjen e organizatës për KALLXO.com.

Ndërkaq, varësisht edhe nga mosha e fëmijëve, pasojat në aspektin psikologjik të tyre për shkak të izolimit janë të theksuara.

Sipas psikologes Dalila Sinishtaj-Lekaj nga situata në përgjithësi ka një ankth të shtuar dhe se fëmijët ndihen më të frustruar për arsye se janë të privuar nga shumë aktivitete.

“Në përgjithësi ankthi, stresi dhe frustracioni. Përveç asaj mund ta shohim një agresivitet të shtuar tek fëmijët, zënka më të shpeshta më vëllezërit dhe motrat, ose një lloj nervozizimi të shtuar pasi nuk janë në gjendje të realizojnë dëshirat ose ato aktivitet që i kanë pasur para shfaqjes së pandemisë edhe për shkak të mungesës së socializimit me moshatarë”, tha ajo për KALLXO.com.

Psikologia thekson se një problematikë tjetër është edhe virtualitetit, në të cilin janë përfshirë fëmijët.

Kurse, KOMF thekson se ka bërë vazhdimisht thirrje që të nxirret më e mira e mundshme nga kjo periudhë dhe që prindërit e kujdestarët të kalojnë kohë sa më produktive me fëmijët.

Komunikimi i duhur

Avokuesit e të drejtave të fëmijëve dhe profesionistë shëndetësore ndër të tjerash tregojnë se cilat janë mënyrat më të mira për t’ua komunikuar fëmijëve situatën me pandeminë.

KOMF rekomandon që prindërit dhe kujdestarët të kalojnë kohë cilësore me fëmijët, të bisedojnë e të flasin hapur me ta por gjithmonë duke zgjedhur një gjuhë e cila është në përputhje me zhvillimin e fëmijës, të jenë të vërtetë në bisedat e tyre me fëmijët dhe në të njëjtën kohë t’u përgjigjen pyetjeve apo dilemave që fëmijët mund të kenë përmes një gjuhe të thjeshtë e të kuptueshme.

“Në të njëjtën kohë, aktivitetet dhe koha cilësore me fëmijët, i ndihmon ata të ndihen më mirë emocionalisht, më të qetë dhe më të sigurtë”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Kurse, psikologia e fëmijëve Dalila Sinishtaj –Lekaj thotë për KALLXO.com se më e mira është tu jepen fëmijëve programe edukative sa i përket këtij aspekti.

Ndërkaq, edhe organizata UNICEF vlerëson se një diskutim i hapur dhe mbështetës me fëmijët mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë, të përballojnë dhe madje të japin një kontribut pozitiv për të tjerët.

“Disa nga mënyrat për të komunikuar me fëmijët në lidhje me pandeminë përfshijnë: bërjen e pyetjeve të hapura dhe dëgjimin, të qenit i sinqertë: shpjegimi i së vërtetës në një mënyrë miqësore për fëmijë; duke u treguar atyre se si të mbrojnë veten dhe miqtë e tyre; ofrimi i sigurisë; duke kontrolluar nëse ata po përjetojnë ose përhapin stigmë; duke kërkuar ndihmës; duke u kujdesur për veten e tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.