Ministri i MZhE, Blerand Stavileci | Foto: MZhE

‘Tenderi i Keq’ Largon Bankën Botërore dhe Dëmton Buxhetin

Dyshimet për parregullsi në tender e kanë shtyrë Bankën Botërore ta tërheqë zotimin për financimin e renovimit të pesë ndërtesave publike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar përmbajtjen e një sërë dokumentesh të cilat flasin për arsyet pse Banka u tërhoq nga financimi.

Ato dëshmojnë se Banka Botërore e ka shpallur këtë proces të prokurimit si prokurim të dështuar për shkak të shkeljeve procedurale që ka bërë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE).

Dëmtimi i buxhetit për rreth 600 mijë euro, aq sa është oferta në mes të ofertuesit më të lirë dhe operatorit të rekomanduar për kontratë, ka qenë arsyeja kryesore e zmbrapsjes së Bankës Botërore.

MZhE-ja është treguar jo-efiçiente në shpenzimin e parasë publike duke rekomanduar për kontratë kompaninë që ishte renditur e 14-ta për nga çmimi më i lirë. Tërheqja e Bankës Botërore do të thotë se kontrata duhet të financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

“Kontrata e tashmë për renovimin e këtyre pesë ndërtesave publike nuk do të financohet nga Banka Botërore për shkak se Banka ka konkluduar se procedurat nacionale të prokurimit që janë aplikuar në këtë rast nuk ishin kompatibile me udhëzimet për prokurim të Bankës Botërore”, thuhet në përgjigjet e zyrës së Bankës Botërore, në Kosovë.

Eliminimi i ofertueseve me çmimin më të lirë

Me tenderin për renovimin e pesë ndërtesave publike i iniciuar nga ministria e Zhvillimit Ekonomik në muajin korrik të vitit të 2015 ishte planifikuar renovimi i ndërtesës së Ministrisë së Kulturës, ajo e Fakultetit Teknik, Klinikës Dermatologjike- Plumare, Agjencisë së Statistikave dhe ndërtesa e Fakultetit të Kimisë.

Renovimi i ndërtesave publike është pjesë e projektit “Projekti i Energjisë Efecientë dhe Energjisë se Ripertritshme”, i cili është përkrahur nga Banka Botërore. Projekti ka një kosto prej 27 milionë euro.

https://kallxo.com/27-milione-euro-per-energji-eficiente-ne-ndertesat-publike/

Tenderi për renovimin e ndërtesave publike është monitoruar nga Banka Botërore, e cila e ka miratuar inicimin e procedurave të prokurimit si dhe dosjen e tenderit.

Në tenderin e MZHE-së për renovimin e pesë ndërtesave publike janë dorëzuar 18 oferta nga operatorë ekonomikë nga Kosova dhe vendet e rajonit.

Një komision vlerësues i ofertave i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik i ka eliminuar 16 nga 18 ofertat e pranuar nga operatorët e ndryshëm ekonomikë.

Vetëm njëri nga operatorët ishte eliminuar në hapjen e ofertave pasi i njëjti nuk kishte sigurimin e tenderit. 15 operatorë të tjerë janë eliminuar nga Komisioni Vlerësues i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

MZHE-ja nuk i ka lejuar Gazetës Jeta në Kosovë qasje në procesverbalin e hapjes së ofertave dhe në raportin e Komisionit Vlerësues por Gazeta i ka siguruar ato përmes burimeve jo-zyrtare.

Në procesverbalin e hapjes së ofertave, të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë (shih dokumentin më poshtë), figurojnë 18 operatorë ekonomikë.

procesverbali i hapjes se ofertave1procesverbali i hapjes se ofertave2

Konzorciumi i kompanive “Standard- Adetex” kishte ofertuar me 1 milionë e 444 mijë euro për renovimin e pesë ndërtesave publike. Çmimi i dytë më i lirë ishte i kompanisë Al Trade, e cila kishte ofertuar një çmim prej 1 milionë e 485 mijë euro.

Çmimi prej 2 milionë e 481 mijë euro i ofertuar nga kompania “Everest SHPK” ishte më i larti në këtë ofertim. E komisioni vlerësues i MZHE-së e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “PE-Vla-ku” & “Alba Konstruksion” e cila kishte ofruar një çmim prej 2 milionë e 63 mijë euro. Të dy kompanitë që janë pjesë e konzorciumit fitues janë me seli në Tiranë. Në ueb-faqen e kompanisë “Pe-vla-ku” thuhet se e njëjta operon edhe në Kosovë. Të gjithë numrat kontaktues të kompanisë fillojnë me prefiksin e Shqipërisë +355. Kompania nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara në e-mailin zyrtar, e as nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike në numrin kontraktues për Kosovë, i cili gjithashtu është me prefiks nga Shqipëria.

Raporti i vlerësimit të ofertave së bashku me emrin e kompanisë së rekomanduar për kontratë i është dërguar Bankës Botërore, në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar.

Në anën e majtë të raportit vlerësues janë të renditura emrat e kompanive, ndërsa për secilin kriter të kërkuar është shënuar me “Po” ose “Jo”.

Për MZHE-në, sipas vlerësim të bërë në muajin gusht të vitit 2015, vetëm dy kompani i kanë përmbushur të gjitha kërkesat e Dosjes së Tenderit.

Pjesa më e madhe e operatorëve ekonomikë janë eliminuar për shkak të lëshimeve të vogla të bëra në dosjen e tenderit, mungesës së dokumentacionit të kërkuar që dëshmojnë profesionalizimin dhe përvojën e stafit profesional. Gjithashtu, disa operatorë janë eliminuar për shkak të mungesës së raportit të Auditimit apo kanë pasur opinion të kualifikuar te auditori për pasqyrat e tyre financiare.

Një burim i Bankës Botërore i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se eliminimi i 13 ofertave më të lira dhe rekomandimi për kontratë i kompanisë që kishte dorëzuar ofertën e 14 më të shtrenjtë, ka qenë i pa pranueshëm për Bankën Botërore. Gazeta ka gjetur se Banka Botërore ka kërkuar nga MZhE informata shtesë për arsyet e eliminimit të operatorëve që kanë ofertuar me çmime më të lira, duke mos u mjaftuar me raportin e parë të vlerësimit.

Një burim i Bankës ka treguar se MZhE-së i janë dhënë instruksione për mënyrën e vlerësimit të ofertave dhe nëse duhet të kërkohen sqarime shtesë nga operatorët e pasuksesshëm.

MZhE-ja i është bindur kërkesës së Bankës Botërore për të bërë një rivlerësim të ofertave, pas pranimit të sqarimeve shtesë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se ministria ka qenë e vetëdijshme që kërkesa për dokumente shtesë, siç ka kërkuar Banka Botërore, bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik. Kjo ishte shprehur nga zyrtar të MZhE-së në komunikimet e brendshme të ministrisë, por edhe në komunikim me Bankën Botërore.

Pas ri-vlerësimit të ofertave bazuar në rekomandimet e BB-së në garë kanë hyrë edhe tre operatorë të tjerë. Nga 5 operatorët e përgjegjshëm, MZhE-ja ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Al-Trade”, e cila kishte ofertuar 1 milionë e 485 mijë euro.

Fshehja e fakteve nga MZhE-ja

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar përgjigje nga MZhE-ja, por ata e kanë fshehur procesin e parë të vlerësimit të ofertave që ishte bërë në fillim të muajit shtator nga Komisioni Vlerësues.

Kjo ministri për Gazetën Jeta në Kosovë ka shpalosur vetëm procesin e vlerësimit të bërë pas presioneve të Bankës Botërore, që kishte rezultuar me rekomandimin për kontratë të kompanisë që kishte dorëzuar ofertën e dytë më të lirë nga 18 operatorët ekonomikë.

“MZHE në tetor të vitit të kaluar ka përfunduar procesin e vlerësimit ku Banka Botërore ka dhënë aprovimin (No Objection) siç kërkohet me Marrëveshjen Financiare dhe Manualin e Operimit te Projektit”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Dy operatorë ekonomikë ishin ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit në rekomandimin për kontratë të MZhE-së, i cili ishte publikuar në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Eksperti Shqyrtues, i angazhuar nga OShP-ja, kishte konstatuar se MZhE-ja kishte bërë shkelje ligjore. Eksperti kishte kërkuar që të anulohet njoftimi për dhënien e kontratës, me të cilën rekomandohet për kontratë kompania “Al Trade”, ndërsa është kërkuar që procesi të kthehet në ri-vlerësim.

Me konstatimet e ekspertit shqyrtues ishte pajtuar ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke e pranuar se veprimet e bëra kanë qenë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Në rastet kur të gjitha palët pajtohen me mendimin dhe rekomandimin e ekspertit, OShP-ja e lëshon vetëm një njoftim për përmbylljen e shqyrtimit të ankesës. Në njoftim po ashtu ceket se rekomandimet e ekspertit shqyrtues bëhen obligative për t’u zbatuar.

E MZhE-ja, në përgjigjen e dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, kanë thënë të mos jenë pajtuar me vendimin e OSHP-së. Përgjigja e tyre nuk përkon me realitetin që është prezantuar në dokumentet e publikuara në ueb-faqen e Gjykatës së Tenderëve.

“Banka Botërore dhe MZhE nuk janë pajtuar me këtë vendim, dhe për rreth 1 vit MZhE me rekomandim edhe të Bankës Botërore vazhdimisht ka kërkuar nga OShP-ja të shfuqizojë vendimin e tyre ne kërkesën për rivlerësim”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim të MZhE-së.

Gazeta Jeta në Kosovë, gjatë hulumtimit, ka gjetur se MZhE-ja është bërë pishman sa i përket pajtimit me mendimin e ekspertit shqyrtues vetëm pas presioneve të Bankës Botërore. Kjo shihet në arsyetimin e OShP-së për mbajtjen e seancës, përkundër që të gjitha palët ishin pajtuar me mendimin e ekspertit.

“Mirëpo, me datë 01.12.2015 si dhe shkesës tjetër të datës 03.12.2015, MZhE përsëri ka kërkuar që megjithatë paneli shqyrtues të mbaj një seancë dëgjimore sepse bash financuesi Banka Botërore ka hezitim ndaj pajtimit të AK-MZhE, me raportin e ekspertit shqyrtues, andaj kërkon që kjo lëndë të shqyrtohet edhe njëherë para panelit, andaj mu për këtë arsye paneli për të vetmin rast unik, lejon që të mbahet kjo seancë”, thuhet në vendimin e OShP-së, të datës 15 dhjetor 2015.

Në vendimin e OShP-së janë dhënë më shumë detaje për debatin që ka pasur MZhE-ja dhe Banka Botërore për procesin e vlerësimit të ofertave.

“Pasi kemi marrë njoftimin nga OShP-ja, i kemi njoftuar Bankën Botërore dhe ata kanë qenë në kundërshtim me pajtimin tonë, pasi dokumentet që kemi plotësuar janë dokumente me devijime minore sipas Bankës Botërore”, ka thënë përfaqësuesi i MZhE-së para panelit Shqyrtues të OSHP-së.

Arsyeja e këmbënguljes së Bankës Botërore ka qenë kursimi i buxhetit prej rreth 600 mijë euro.

“Unë i kam njoftuar me shkresa, se nuk kemi drejtë të ndryshojmë materialin e dosjes së tenderit, por Banka Botërore ka kërkuar që për shkak të çmimit më të ulët të Operatorit Ekonomik të rekomanduar për kontratë t’i lejohet MZhE-së, të kërkojë nga ky operator dokumente shtesë”, citohet përfaqësuesi i MZhE-së në vendimin e OShP-së.

MZhE-ja nuk kishte arritur ta bindë panelin Shqyrtues të OShP-së.

Gjykata e Tenderëve kishte vendosur që të anulohet vendimi i MZHE-së për dhënien e kontratës, ndërsa tenderi të kthehet sërish në rivlerësim. Pas lëshimit të vendimit final të OShP-së, gazeta ka mësuar se janë zhvilluar disa takime në mes të institucioneve të përfshira në këtë projekt: MZhE, OShP dhe Bankës Botërore.

Kjo konfirmohet edhe nga përgjigjet e MZhE-së. Ata thonë se kanë kërkuar, disa herë, nga OShP-ja që të anulojnë vendimin e tyre, përkundër që ata tregojnë se janë të vetëdijshëm se vendimet e këtij institucioni janë të formës së prerë. OShP-ja nuk ka pranuar të rishikojë vendimin e tyre.

Shkelja e dytë e MZhE-së

“Në fund kemi qenë të detyruar për të zbatuar vendimin e OSHP në kërkesën e tyre për rivlerësim, sepse siç dihet vendimet e OShP-së janë detyruese, dhe mos zbatimi i tyre ka pasoja ligjore për autoritetin kontraktues”, thuhet në përgjigjet e MZhE-së.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka rivlerësuar ofertat në fund të muajit korrik të vitit 2016. E ka shpallur fituese konzorciumin “Pe – Vl-aku Sh.p.k,” dhe “Alba Konstruktion Sh.p.k”, të cilat kanë ofertuar 2 milionë e 63 mijë euro. Kjo kompani ishte shpallur edhe në vlerësimin që ishte bërë në muajin gusht të vitit të kaluar. Oferta e operatorit të rekomanduar për kontratë është për 619 mijë euro më i lartë se çmimi më i lirë i ofertuar në këtë tender. Ndërsa, është për 578 mijë euro më i lartë se oferta e kompanisë “Al Trade”, të cilën MZhE-ja e kishte rekomanduar për kontratë sipas udhëzimeve të Bankës Botërore, në muajin tetor të vitit 2015.

Në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar muajin e kaluar rezulton se oferta e konzorciumit fitues ka qenë e vetmja ofertë e përgjegjshme, pasi 17 operatorët e tjerë janë eliminuar për shkak të mos-vazhdimit të sigurimit të tenderëve. Kështu, rekomandimi për kontratë i këtij operatori përben shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, që ka qenë në fuqi deri në fund të vitit 2015 e i cili është i zbatueshëm për këtë proces të prokurimit.

“Nëse, gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit, pranohen më pak se dy (2) tenderë të përgjegjshëm ose, kur është e zbatueshme, kërkesa për pjesëmarrje, autoriteti kontraktues duhet të anulojë aktivitetin e prokurimit”, thuhet në nenin 32, pika 4 e Ligjit të Prokurimit Publik.

Kontrata ishte planifikuar të nënshkruhet me datën 5 gusht, por procesi është pezulluar për shkak kompania “Al Trade” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. “Al Trade” pretendon se MZhE-ja ka bërë shkelje ligjore, pasi e ka rekomanduar për kontratë konzorciumin që ka pasur të njëjtat shkelje ligjore. Kompania “Al Trade” nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës për pretendimet e tyre për shkelje ligjore.

Nëse nënshkruhet kontrata, financimi i renovimit të këtyre pesë ndërtesave do të bëhet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Në MZhE thonë se këto mjete janë paraparë në ligjin e Buxhetit të vitit 2015. Megjithatë, meqë ky projekt ishte planifikuar të financohet nga projekti i Bankës Botërore proceduralisht shuma e mjeteve do të rimbursohej nga Banka Botërore pas realizimit të projektit. Meqë Banka Botërore nuk do të financojë më renovimin e këtyre pesë ndërtesave, i bie që renovimi i tyre të financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Në ministrin e Financave nuk kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë nëse kjo kontratë mund të financohet nga buxheti i Kosovës. Muharrem Shahini ka thënë se për të gjitha pyetjet duhet të përgjigjet Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Projekti për Efiçiencë të Energjisë do të vazhdojë, mirëpo të gjitha procedurat e prokurimit do të vazhdohet bazuar në rregullat e Bankës Botërore.

“Procesi i prokurimit për rinovimin e ndërtesave tjera në kuadër të projektit do të ndjek procedurat e Bankës Botërore për ofertim konkurrues ndërkombëtar. Tenderi për rinovimin e një grupi tjetër të 14 ndërtesave është shpallur më 15 korrik. Banka Botërore vazhdon të përkrah cakun e Kosovës për përparim të efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike”, thuhet në përgjigjet e Bankës Botërore.

Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Procesi i prokurimit për rinovimin e ndërtesave tjera në kuadër të projektit do të bëhet sipas procedurave të Bankës Botërore duke aplikuar metodën e prokurimit “Ofertim Konkurrues Ndërkombëtar””, thuhet në përgjigjet e zyrës për informim të Bankës Botërore.