Kampi i përqendrimit Aushvic-Birkenau | Foto: BIRN.

Si i Shpëtoi Drejtësisë Ish-Roja e Kampit Nazist

Jakob Denzinger, një anëtar i “Totenkopf”, njësia famëkeqe “Koka e vdekjes” e Waffen SS Naziste, vdiq më 11 shkurt në Osijek, ku ai jetoi i lirë që nga viti 1990.

Denzinger ishte roje në kampet naziste të përqendrimit në Aushvic, Mathauzen, Buchenwald dhe Plaszow, por, pavarësisht dyshimit se mund të jetë përgjegjës për krime lufte të kryera në ato kampe, ai nuk doli kurrë në gjyq.

Në fund të viteve 1980, autoritetet amerikane hapën një hetim për të, i cili zbuloi se ai e kishte mbajtur sekret të kaluarën e tij naziste. Në fakt, kur emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1956 pas largimit nga Jugosllavia, ai nuk e përmendi anëtarësimin e tij në njësinë “Totenkopf”, si dhe faktin se kishte qene roje në katër kampe naziste.

Megjithatë, pas hapjes së hetimeve, autoritetet amerikane e ftuan atë t’i përgjigjej këtyre akuzave, por Denzinger u largua për në Kanada brenda natës. Më pas ai shkoi në Gjermani.

Pak para shpërthimit të luftës në Jugosllavi në vitin 1990, ai e gjeti veten në Kroaci dhe u vendos në qytetin e Osijekut, vetëm pak kilometra nga qyteti i Cepinit, ku ai lindi më 29 qershor 1924.

Ndërsa arratisej nga ndjekja e mundshme penale, ai la gruan dhe djalin e tij në Akron, Ohajo, ku kishte drejtuar gjithashtu edhe biznesin e tij. Më pas ai bleu dy apartamente ngjitur në qendër të Osijekut dhe i bashkoi ata në një të vetëm.

Proteza trupore dhe sende të tjera të lena pas nga ata që shfaqrosën në kampin e përqendrimit | Foto: Wikimedia
Proteza trupore dhe sende të tjera të lëna pas nga ata që shfarosën në kampin e përqendrimit | Foto: Wikimedia

Ai e prezantoi veten si një biznesmen të pasur dhe të dalë në pension, i cili ishte kthyer në atdheun e tij. Denzinger hapi fjalë për Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ishte një vend jo i sigurt dhe i rrezikshëm, ku nëse ndaloje në rrugë ose autostradë, mund të vriteshe ose grabiteshe.

Fqinjët e Denzingerit mendonin se ai ishte një njeri paqësor dhe i tërhequr, por gjithashtu i qeshur që i pëlqente shoqëria dhe i qeraste me pije të njohurit e tij.

Ai nuk ia përmendi askujt të kaluarën e tij naziste. Disa vite më parë, kur media kroate zbuloi se një nga ish-rojet e pakta që janë ende gjallë të kampeve naziste të përqendrimit jetonte në Osijek, ai u izolua fare, duke dalë shumë rrallë nga shtëpia dhe nuk pranonte të kontaktonte me gazetarët.

Kur i telefonova në një numër të shënuar me emrin e tij në numëratorin publik telefonik në janar të vitit 2014 dhe i thashë se do të doja të bisedoja me në lidhje me veprimet e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, Denzinger u përgjigj vrazhdë: “Nuk kam asnjë interes të flas me ju.”

Në qershor të vitit 2014, vetëm pak muaj pasi ishte zbuluar se ai jetonte i lirë në Osijek, autoritetet amerikane në Pensilvani arrestuan Johann Breyer, 89 vjeç, një tjetër ish-roje në kampin e përqendrimit të Aushvicit.

Njësoj si Denzingeri, Breyer ishte një ish-anëtar i Waffen SS. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai emigroi nga ish-Çekosllovakia e atëhershme drejt Shteteve të Bashkuara, njësoj si Denzingeri emigroi nga Jugosllavia. Njësoj si Dezningeri, ai nuk e përmendi aspak të kaluarën e tij naziste dhe iu dha nënshtetësia amerikane.

Në vitin 2012 Gjermania hapi një hetim për Breyer, duke dyshuar se ai, si ish-roje i kampit të Aushvicit, ishte përgjegjës për vdekjen e mijëra hebrenjve.

Ai u arrestua pasi qeveria gjermane nxori një urdhër arresti dhe kërkoi ekstradimin e tij. Megjithatë, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara miratuan ekstradimin e tij në korrik 2014, Breyer vdiq.

Të dyshuarit nazistë shijuan pensione në Shtetet e Bashkuara

Fjetoret_720
Kapanonet ku qëndronin viktimat

Gazetarë nga agjencia e lajmeve Associated Press vizituan Osijekun më vonë në vitin 2014, ndërsa përgatisnin një shkrim mbi të dyshuarit nazistë për krime lufte, të cilët kishin marrë pensione në Shtetet e Bashkuara, dhe u përpoqën të flisnin me Denzingerin, por pa sukses.

Të dyshuarit nazistë kishin marrë pensione sepse Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara i siguroi ata se do të vazhdonin të paguheshin nëse largoheshin nga vendi, duke shmangur kështu seanca të gjata dëbimi.

Denzinger përfitoi nga rasti pasi zbuloi se në vitet 1980 në Shtetet e Bashkuara ishte hapur një hetim për të kaluarën e tij naziste.

Si rezultat i hetimit të Associated Press, Kongresi i SHBA-së inicioi një ligj për të siguruar se njerëzit si Denzingeri, të cilët ishin të dyshuar për krime lufte, do të humbnin të drejtën për të marrë pagesa sigurimesh shoqërore.

Edhe pse ka pasur pak njerëz të tillë që kur ligji u miratua në vitin 2015 – dyshohet vetëm katër të tillë – autoritetet amerikane ishin të vendosur t’i privonin ata nga pensionet. Si rezultat, Denzingeri ndaloi së marri 1,500 dollarë në muaj.

Megjithatë, autoritetet kroate nuk bënë asnjë përpjekje për të hetuar të kaluarën naziste të Denzingerit pasi ai u kthye në Kroaci.

E vetmja gjë që ato bënë, ishte të nisnin të ashtuquajturat “masa hetimore”, të cilat përbëjnë hapin e parë nga ana e Zyrës së Prokurorit të Shtetit nëse ka shenja apo dyshime se një njeri ka kryer krime.

Këto filluan menjëherë pasi media zbuloi të kaluarën naziste të Denzingerit. Por edhe pse që atëherë kanë kaluar dy vjet, Zyra e Prokurorit të Shtetit në qarkun e Osijekut nuk ka bërë ndonjë përparim të mëtejshëm.

Ndërkohë, Denzingeri vdiq.

Në emër të gruas dhe fëmijëve të tij, djali i tij Anthony shkroi një njoftim vdekjeje gjysmë faqe të gjatë në një gazetë të përditshme në Osijek.

Përveç se njoftonte vdekjen e tij, në nekrologji përfshiheshin edhe fjalët që Denzingeri kishte kërkuar të gdhendeshin, ndërsa ai ishte ende gjallë, në një gurë varri prej mermeri: “Jemi krenarë që të patëm, të lumtur që jetuam me ty dhe përgjithmonë të trishtuar për humbjen tënde.”