Më 8 shtator konferenca e radhës për rastin Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi

Konferenca e katërmbëdhjetë për ecurinë e çështjes kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të mbahet më 8 shtator.

Në kalendarin e Dhomave të Specializuara thuhet se konferenca do të mbahet në ora 13:30.

Sipas vendimit, në këtë konferencë do të diskutohet për provat, hetimet e mbrojtjes dhe çështje të tjera.

Një çështje tjetër e cila pritet të zërë vend është edhe numri i dëshmitarëve nëse këta përmbushin standardet dhe rregullat e përcaktuara.

“Nëse mbrojtësi i viktimave tashmë mund të parashikojë nëse dëshiron të paraqesë prova (dëshmitarë, ekspertë, prova jogojore), dhe nëse po, në lidhje me cilat çështje dhe më tej nëse ndonjë nga viktimat pjesëmarrëse dëshiron të paraqesë pikëpamjet e veta” – thuhet në vendim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Akuza të reja mbi katër krerët e UÇK-së, përmenden edhe arrestimet politike