Millosheviq më në fund u paraqit në gjyq në Hagë – as Vladimir Putin nuk është mbi ligjin

Një aktakuzë nuk çon domosdoshmërisht në një gjyq të hershëm, mirëpo udhëheqësit rus i duhet ende kohë që t’i vauj netët me pagjumësi.

Njoftimi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) për një urdhër-arrest për Vladimir Putinin është historikisht domethënës. Në një farë mënyre, një gjë e tillë ishte gjithmonë e pashmangshme: kjo është lufta e paligjshme e agresionit të Putinit, në fund të fundit. Mirëpo, ishin të paktë ata brenda apo jashtë Ukrainës të cilët besonin se kjo do të ndodhte kaq shpejt.

Ka pyetje të qarta në lidhje me praktikat e dorëzimit të Putinit në gjykatë – si, ku dhe kur? (Përgjigjet: me vështirësi; kush e di; dhe jo shpejt.). Mirëpo arsyetimi kryesor është i pamohueshëm. Përgjegjësia e liderëve të lartë politikë dhe ushtarakë është pikërisht ajo për të cilën u krijua GJNP, 25 vjet më parë. Nëse jo Putini, kush atëherë?

Ky është urdhri i parë i Gjykatës Penale Ndërkombëtare që lëshohet në lidhje me luftën në Ukrainë – mund të supozojmë në mënyrë të arsyeshme me më të shumë prej këtyre urdhërave që do të vijnë pastaj. (Shumica e vëzhguesve presin që mund të ketë deri në 10 raste të mëdha në total.) Akuzat janë të kufizuara, duke thënë se ka “baza të arsyeshme” për të besuar se Putin dhe komisionerja e fëmijëve të tij, Maria Lvova-Belova, janë përgjegjës për dëbimin e fëmijëve nga Ukraina e pushtuar në Rusi. Gjykata e lartcekur e ka vendosur këtë ëështje në nivelin më të lartë, me ndikim të dukshëm.

Pas një heshtjeje befasuese, komentuesit kryesorë pro-Kremlinit u përfshinë në komentime, fjalëpërfjalshëm, bërthamore. Prezantuesi i televizionit shtetëror rus, Vladimir Solovyov, bëri thirrje për një “sulm të menjëhershëm bërthamor” ndaj çdo vendi që mund të guxonte të arrestonte liderin rus, dhe të tjerë bënë kërkesa të ngjashme.

Ky kërcënim reflekton se sa shumë e ka zënë Kremlinin të papërgatitur. Një gjykatë ndërkombëtare e ka cilësuar liderin e një prej vendeve më të fuqishme në botë si të dyshuar për krime lufte, pa datë skadence.

Kjo ka implikime, jo më pak për samitin e ardhshëm të vendeve të BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), që do të mbahet në Afrikën e Jugut në maujin gusht. Çdo vend që e ka ratifikuar statutin themelues të GJNP-së, statutin e Romës, është i detyruar të arrestojë një të paditur nëse ai hyn në juridiksionin e atij vendi. Afrika e Jugut, nikoqiri i këtij viti i Brics, është një anëtar themelues i GJNP-së. Me pak fjalë: loja vazhdon.

Ekzistojnë tre skenarë se si mund të luhet dilema e Putinit. Mundësia e parë: Putini mund të fluturojë për në Afrikën e Jugut dhe të arrestohet teksa del nga avioni. Ky rezultat më dramatik është i pamundur për arsye të dukshme, përveç nëse Putini ka më shumë nxitje vetëshkatërruese sesa kemi parë deri më tani.

Një mundësi e dytë është që ai të fluturojë në këtë vend, pasi ka marrë garanci nga Afrika e Jugut se do ta sfidojë GJNP-në dhe do ta lërë atë në paqe. Në vitin 2015, qeveria e Afrikës së Jugut injoroi një urdhër nga gjykatat e veta dhe lejoi liderin sudanez Omar al-Bashir të largohej nga një samit i Unionint Afrikan, duke pretenduar më pas se ai gëzonte imunitet si kryetar shteti. Grupet e shoqërisë civile ishin të indinjuar. Një gjykatë e Afrikës së Jugut më vonë vendosi se qeveria ishte sjellë “në mënyrë të turpshme”.

Tetë vjet më vonë, situata është ndryshe. Vizita e Putinit do të zhvillohej nën një qendër më të ndritshme globale sesa pjesëmarrja e shkurtër e Bashirit në samitin e Unionit Afrikan. Këtë javë, Afrika e Jugut tha se “i njeh detyrimet e saj ligjore”, gjë që tingëllon shumë sikur nuk dëshiron të provokojë përsëri një dramë të nivelit të Bashirit. Mesazhi me sa duket do të dëgjohet në këtë mënyrë në Kremlin.

Kjo na çon te rezultati i tretë dhe më i mundshëm: Mosshfaqja apo mosprezenca e Putinit në këtë samit. Kjo është një mënyrë e sigurt për të siguruar që ai të mos arrestohet, ndiqet penalisht apo burgoset për shumë vite. Ky fakt gjithashtu e shpëton Afrikën e Jugut nga marrja e vendimeve të ndërlikuara për aleatin e saj.

Mirëpo ky rezultat nuk është pa kosto për Putinin. Nuk do të ishte një pamje e mrekullueshme për një lider që i pëlqen gjithmonë të shpërfaqë një atmosferë fuqie. Arsyeja e vërtetë e qëndrimit larg do të ishte e qartë për të gjithë, duke përfshirë miliona rusë – do të ishte në mënyrë efektive një etiketë “i dyshuar për krime lufte” i ngjitur në ballin politik të Putinit.

Një aktakuzë nuk çon domosdoshmërisht në një gjykim të hershëm, natyrisht. Por rrethanat ndryshojnë, siç kanë zbuluar të tjerët, nga lideri serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq te diktatori Çadian Hissène Habré. Bashir, kur nuk ishte në spital, tani është në burg. (Qeveria sudaneze premtoi se do ta dorëzonte atë në GJNP, megjithëse ka pak shenja për këtë).

Paralelja më e afërt, si për Putinin ashtu edhe për prokurorët, është Slobodan Millosheviqi, lideri serb i paditur nga një gjykatë për krimet e luftës në Hagë në vitin 1999. Millosheviqi u tha njerëzve të tij – në një argument që Putini ndoshta do t’i bëjë jehonë – se aktakuza nuk ishte për shkak të krimeve të tij, por sepse ai kishte mbrojtur dinjitetin e vendit të tij.

Mirëpo, i padituri Millosheviq u pa si mall i ndotur, një pengesë për një jetë më të mirë. Në tetor 2000, unë u gjeta mes turmave të mëdha në Beograd, të cilët brenda dy javësh e detyruan presidentin e plotfuqishëm të largohej nga pushteti. Disa muaj më vonë, pashë rreshta dosjesh në gjykatën e Ballkanit për krimet e luftës me tituj të tillë si “Slobodan Millosheviq: deklarata në mbështetje të vrasjeve”. Në qershor të vitit 2001, dy vjet pas aktakuzës fillestare, qeveria serbe e dorëzoi Millosheviqin në Hagë. Vdiq prapa grilave të burgut, në gjyq për gjenocid.

Asgjë në Rusinë gjigante nuk do të jetë aq e thjeshtë sa kaq, veçanërisht në një kontekst ku opozita është shtypur kaq efektivisht gjatë shumë viteve. Mirëpo, fati i Millosheviqit mund t’i shkaktojë Putinit paranojak disa netë pa gjumë ndërkohë.

Në të kaluarën, gjykata është kritikuar për standarde të dyfishta, përqendrim të supozuar të tepruar në shtetet afrikane dhe probleme të legjitimitetit. Hetimet e gjykatës janë sigurisht të njëanshme, jo më pak për shkak të mënyrës se si është strukturuar – shtetet afrikane përbëjnë bllokun më të madh anëtar të gjykatës dhe ato kanë qenë veçanërisht aktive në çuarjen e çështjeve përpara. Aktakuza e gjykatës zakonisht nuk zbatohet nëse një vend nuk e ka ratifikuar statutin e GJNP-së (Ukraina e ka pranuar juridiksionin e gjykatës, duke e bërë të mundur çështjen aktuale).

Pothuajse dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së janë tani anëtarë të GJNP-së, një fillim i mbarë. Mirëpo lëshimet e dukshme përfshijnë Sirinë, Mianmarin, Etiopinë, Rusinë, Kinën dhe SHBA-në. Megjithatë, po hapen mundësi të reja. Rëndësia e juridiksionit universal – duke bërë arrestime kudo në botë për krimet më të rënda – vazhdon të rritet.

Njoftimi i javës së kaluar nga GJNP është i mirëpritur dhe mund ta hapë rrugën për shumë më tepër. Drejtësia është e një rëndësie të madhe për ukrainasit, siç konfirmojnë sondazhet. Është gjithashtu e rëndësishme për ata që kanë vuajtur nga krimet e kryera në zonat e konfliktit në mbarë botën./The Guardian

Titulli i këtij artikulli u ndryshua më 22 mars të vitit 2023 për shkak se Sllobodan Millosheviq nuk u gjykua nga GJNP, siç thuhej në një version të mëparshëm, por nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Steve Craëshaë është ish-redaktor i Rusisë dhe Evropës Lindore në Independent dhe ish-drejtor i Mbretërisë së Bashkuar në Human Rights Watch, dhe autor i librit të ardhshëm të “Prosecuting the Powerful”.

Përgatiti: Nuhi Shala