Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve, këta janë personat që sipas ZPS-së janë vrarë në zonat e Prizrenit, Rahovecit dhe Kukësit

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_____________________________________________________________________________________

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Aktakuza pretendon se shumë persona janë vrarë në zonat si Drenasi, Ferizaj, Gjakova, Klina, Gjilani, Lipjani, Malisheva, Podujeva, Prizreni, Rahoveci, Skenderaj, Suhareka dhe në Kukës të Shqipërisë.

Sipas listës së publikuar, është gjetur një person i vrarë në Prizren rreth datave 17 ose 18 qershor 1999 emri i të cilit është redaktuar.

Njëjtë edhe në Kukës të Shqipërisë më 5 qershor 1999 është gjetur një person i vdekur në ish-fabrikën e metalit.

Ndërsa në rajonin  e Rahovecit janë gjetur 11 viktima. Në Qifllak rreth 16 qershorit 1999 është gjetur Cvetko Peleviq. Në Drenoc janë gjetur 6 persona emrat e të cilëve nuk janë publikuar.

Gjithashtu në Drenoc rreth 12 qershorit 1998 është gjetur viktima Hysen Krasniqi, kurse rreth 16 qershorit 1999 është gjetur viktima Panta Grkoviq, ndërsa rreth 9 gushtit 1999 Marko Jeliq dhe Boban Dediq rreth 21 qershorit 1999.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.