Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve, emrat e të vrarëve sipas ZPS-së nga zona e Prishtinës dhe Podujevës

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_________________________________________________________________________________

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

ZPS ka publikuar edhe listën e personave që pretendon se janë vrarë në zona të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Në këtë listë janë edhe personat që janë vra ë në zonën e Podujevës dhe të Prishtinës.

Për dallim nga pjesët e tjera ku janë bërë publik emrat e viktimave, për zonën e Podujevës, ZPS ka publikuar vetëm emrin e Osman Sinanit, kurse emrat e pesë personave të tjerë janë redaktuar, sikur edhe emri i një qytetari nga komuniteti rom.

Në zonën e Prishtinës si viktimë është një person nga nacionaliteti serb, i cili nuk është identifikuar dhe një person tjetër që i është redaktuar emri.

Zyra e Prokurorit të Specializuar me versionin e fundit të publikuar të aktakuzës për rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, po i akuzon ata edhe për arrestime ilegale dhe mbajtje arbitrare të personave në lokacione të ndryshme të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

“Disa persona u transferuan nga një ose më shumë vende të paraburgimit brenda Kosovës ose ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Të arrestuarit ishin të ndaluar, të mbajtur nën vëzhgim, në ambiente të mbyllura dhe në rrethana shtrënguese dhe i nënshtroheshin akteve çnjerëzore, trajtimeve mizore dhe torturave, siç përshkruhet më poshtë” – thuhet në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Lokacionet që përmenden si vende të mbajtjes së të arrestuarve përmendën në pikat 61 deri 95 të aktakuzës së publikuar.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore në mes viteve 1998-1999 ka pasur burgje në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Budakovë dhe Semetisht, Jeshkovë, Bajgorë, Llapashticë, Dobrotin, Zllash, Qirez, Shalë, Kleçkë, Bob, Biçec dhe Varosh, Cahan, Kukës, Bubël dhe Kostërc, Taslixhe, Vërban, Prizren, Vrelo, Gjilan, Novëbërdë dhe Tokbashqe.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar, janë bërë të ditur edhe emrat e disa prej viktimave që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë gjatë viteve, 1998 dhe 1999.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.