Gjykata Speciale urdhëron Zyrën e Prokurorit të hartojë listën prej 40 dëshmitarëve që do të dëshmojnë në çështjen Thaçi dhe të tjerët

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të bëjë listën me emrat e 40 dëshmitarëve të parë që do të dëshmojnë në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Pos kësaj, Guillou ka kërkuar që mbrojtësit ta bëjnë të ditur se cila pjesë e dëshmive do të pranohet si provë në bazë të rregullës 154.

Konferenca e 15-të të premten ka nisur me kritika nga mbrojtësit e ish- krerëve të UÇK-së lidhur me dëshmitarët.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka thënë se prokuroria nuk ka kontaktuar një numër të madh personash, ish-anëtarë të UÇK-së që u është thënë se janë të dyshuar.

“ZPS përfshinë çdokënd që ka qenë UÇK në këtë “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Ka shumë persona të tillë në Kosovë dhe ish-anëtarë të UÇK-së, të cilëve u është thënë se janë të dyshuar. Krahas kësaj që e thash për paragrafin 35, ka disa individë të tjerë të cilëve u është thënë se UÇK-ja është një aktor joshtetëror, sekret mbas një fytyre publike…”-ka thënë Kehoe.

Kehoe tutje ka konsideruar se ZPS duhet t’i njoftojë ata se nuk janë të dyshuar.

“Ne kërkojmë që ZPS t’u drejtohet, qoftë edhe në seancë ex-parte dhe t’u thotë këta persona ne më nuk i konsiderojmë të dyshimtë dhe mund t’i informojnë se nuk e kanë më atë status. Kjo është çështje e ndershmërisë dhe drejtësisë së procesit”- tha Kehoe.

Të njëjtën gjë e ka pretenduar edhe mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Emmerson ka kërkuar që dëshmitarëve pos tjerash t’u sqarohet procedura dhe t’u sigurohet  një avokat.

“Së pari duhet që të paralajmërohet që në fillim të dëshmisë që jo medoemos duhet të përgjigjet në të gjitha pyetjet sepse përndryshe mund të vetëfajësohen, pastaj kanë të drejtën për t’u përfaqësuar nga një avokat” – tha avokati Ben Emmerson.

Ndërkaq, avokati i Rexhep Selimit, David Young, ka thënë se personat që nuk janë të dyshuar duhet të njoftohen nga Prokuroria.

“T’i lësh personat kështu, t’i mbash pezull kur ata nuk janë ende të dyshuar por në mendjen e tyre ata të vazhdojnë të kujtojnë se janë të dyshuar, kjo cenon mbrojtjen…”.

Në fund të konferencës, Gjykata Speciale urdhëroi ZPS të parashtrojë listën e 40 dëshmitarëve që do të japin dëshminë në këtë proces.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ndaj tyre po rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.