Sa i kushtoi Sejdi Hoxha Postës si kryeshef

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha, para se të merrte këtë pozitë kishte qenë Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës Sh.A”, për 8 vite me radhë.

Nga viti 2012 deri në vitin 2019, Hoxha kishte mbajtur këtë pozitë për të dhënë pastaj dorëheqje në gusht të 2019, për siç kishte thënë ai ‘angazhimet politike dhe akademike’.

KALLXO.com ka siguruar dokumentin i cili tregon për shpenzimet e Hoxhës në këtë ndërmarrje. Shpenzimet e ish-kryeshefit Hoxha janë konfirmuar edhe nga zyra për media e Postës së Kosovës.

Për të gjithë këtë periudhë sa ka qenë kryeshef i kësaj ndërmarrje Hoxha si pagë ka marrë 233 mijë 528 euro e 41 cent, duke mos i llogaritur këtu mëditjet.

Në total të gjitha shpenzimet e ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” për kryeshefin Sejdi Hoxha, duke përfshirë, pagën, mëditjet, reprezentacionin, derivatet e naftës, biletat si dhe bonuse të tjera për 8 vite me radhë kapin vlerën  344 mijë e 631 euro 73 cent.

Shpenzime e Hoxhës në telefon, mbi 8 mijë euro për një vit

Ish-Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha për gjatë tetë viteve sa ka qenë në këtë ndërmarrje ka shpenzuar 21 mijë e 797 euro 61 cent.

Hoxha kishte blerë edhe një telefon në vlerë prej 1,000 eurove në vitin 2015.

Sipas dokumentit të siguruar nga KALLXO.com, e të konfirmuar edhe nga ndërmarrja, më së paku shpenzime në telefon, Hoxha ka bërë në vitin e parë të punës së tij. Në vitin 2012, Hoxha shpenzuar vetëm 224 euro e 72 cent.

Mirëpo në vitin e dytë të punës së tij, ish-kryeshefi i Postës, ka shumëfishuar shpenzimet për telefon, duke shpenzuar 6 mijë e 663 euro e 17 cent.

Për të vazhduar pastaj në vitin 2014 duke i ulur shpenzimet e tij për telefon në 4 mijë e 185 euro e 73 cent.

Ish-kryeshefi Hoxha ka shpenzuar për telefon 632 euro e 53 cent në vitin 2015 dhe 986 euro e 26 cent në vitin 2016. Në vitin 2018, sipas të dhënave të Postës, Hoxha ka shpenzuar 584 euro e 95 cent, si dhe 377 euro e 13 cent në vitin 2019.

Ndërsa më së shumti para gjatë mandatit të tij si kryeshef, në bazë të dokumentit të siguruar nga KALLXO.com, Hoxha ka shpenzuar 8 mijë e 143 euro e 12 cent në telefonin e tij.

Për këto shpenzime KALLXO.com ka kontaktuar deputetin Hoxha, i cili nuk ka mohuar asnjë nga shpenzimet e viteve të lartcekura përpos atij të vitit 2017 për të cilin ka thënë se është i pasaktë.

Hoxha ka thënë se gjatë udhëtimeve jashtë vendit ka përdorur pakon e internetit me operatorin VALA dhe në momentin që është shpenzuara pakoja nuk ka marrë asnjë mesazh informues dhe pastaj me automatizëm iu janë ngarkuar edhe shpenzimet.

“Në mungesë te mesazhit njoftues nga vala që pako është shpenzuar, telefoni me automatizëm ka kaluar në shpenzime standarde të cilat kanë çmim shumë më të lartë se sa ato që janë në pako. Telefonat smart edhe nëse nuk hap asnjë aplikacion, email apo komunikim ata ne prapavijë janë aktiv dhe krijojnë shpenzime edhe kur telefoni fare nuk përdoret”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Madje Hoxha ka thënë që për këtë problem i është drejtuar edhe Telekomit të Kosovës, ndaj të cilit përmes një ankese ka kontestuar 3 fatura të atij viti të cilat kapin vlerën 6,582.

“Unë jam njoftuar zyrtarisht nga z. Arben Shabani që këto shpenzime janë korrigjuar dhe nuk do të faturohen për pagesë. Me qenë se ka kaluar kohë e gjatë unë ju kam drejtuar dje z. Shabani në lidhje me këtë çështje dhe sot kam marr përgjigje te cilën edhe nga ky email shihet që mos korrigjimi i këtyre faturave bie mbi përgjegjësin e departamenteve të financave te Postes dhe Telekomit”, ka thënë Hoxha.

KALLXO.com ka parë komunikimin me email mes Arben Shabanit, drejtor për Inovacion, Partneritet dhe Ndërlidhje Institucionale në Telekomin e Kosovës dhe deputetit të PDK-së, Sejdi Hoxha.

Shabani ia ka konfirmuar Hoxhës se i njëjti i ka kontestuar 3 fatura, atë të muajit të 4-të të vitit 2017 në vlerë prej 1 mijë e 584 euro, atë të muajit të 7-të në vlerë prej 2 mijë e 806 euro si dhe atë të muajit të 11-të në vlerë prej 2 mijë e 192 euro.

Ai e njofton deputetin Hoxha se ankesa e tij është aprovuar, mirëpo nuk e konfirmon nëse janë kryer korrigjimet.

“Telekomi i Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën nga Posta e Kosovës për korrigjimin e këtyre shpenzimeve. Nuk mund të konfirmoj në këtë moment nëse këto korrigjime janë kryer ashtu siç është zotuar Telekomi”, thuhet në emailin të cilin sot drejtori Shabani ia ka dërguar deputetit Hoxha.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin Shabani, mirëpo i njëjti nuk ka dhënë përgjigje në pyetet e tona.

Mirëpo nga zyra për media e ndërmarrjes Posta e Kosovës kanë thënë për KALLXO.com se nuk janë në dijeni nëse janë përmirësuar këto fatura të kontestuara nga ish-kryeshefi Sejdi Hoxha.

Sipas tyre ‘shpenzimet e telefonit të bëra nga ish KE Sejdi Hoxha janë paraqitur konform listës së shpenzimeve të telefonave mobil zyrtarë të cilët pranohen nga Telekomi në baza mujore’.

Sipas tyre nuk figuron ndonjë përmirësim i tillë në librat e kontabilitetit të ndërmarrjes.

“U.D. Zyrtari Kryesor Financiar dhe i Thesarit pohon se nga pozita e atëhershme që ka ushtruar para se ta merr tani këtë pozitë, thotë se: ‘nuk kam pasur kurrfarë informate apo e-maili zyrtare se këto shpenzime janë përmirësuar, si dhe një përmirësim i tillë nuk figuron në librat e kontabilitetit të Postës së Kosovës’”, thuhet në përgjigjet e zyrës për media.

 

Afro 70 mijë euro, bileta, derivate të naftës, reprezentacion dhe mëditje

Gjatë tetë viteve të udhëheqjes me Postën, Hoxha kishte marrë 24 mijë e 323 euro për mëditje.

Më së shumti mëditje për udhëtime jashtë vendit, ish-kryeshefi i Postës kishte marr në vitin 2013, apo 6 mijë e 989 euro. Në vitin pasues, Hoxha i kishte marrë 6 mijë e 550 euro kurse në vitin 2015 kishte marrë vetëm 2 mijë e 394 euro mëditje.

Kurse, në vitin 2016, Hoxha kishte marrë 5 mijë e 535 euro. Në vitin 2017, deputeti Hoxha kishte marrë 2 mijë e 33 euro mëditje. Në vitin 2018, Hoxha kishte marrë më pak mëditje për udhëtime jashtë vendit, apo vetëm 660 euro.

Kurse në vitin 2019, vit në të cilin edhe kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryshefit, Hoxha nuk kishte marrë mëditje.

Për reprezentacion janë shpenzuar në total 14 mijë e 863 euro e 54 cent.

Më së shumti para për dreka e darka janë shpenzuar në vitin 2013, apo 4 mijë e 442 euro dhe në vitin 2014 shpenzuar 3 mijë e 686 euro.

Në vitin e parë, në vitin 2012 për reprezentacion të ish-kryeshefit Hoxha ka shpenzuar 1 mijë e 446 euro.

Më se paku para për reprezentacion janë shpenzuar në vitin 2015, apo 616 euro e 50 cent.

Ndërsa vitet e tjera janë si në vijim: 2016 janë shpenzuar 1 mijë e 121 euro, 2017 janë shpenzuar 1 mijë e 552 euro , 2018 janë shpenzuar 1 mijë e 224 euro si dhe në vitin 2019 janë shpenzuar 773.20.

Edhe për bileta udhëtimi të ish-kryeshefit janë shpenzuar para të ndërmarrjes.

Mbi 7 mijë euro janë shpenzuar për udhëtimet jashtë vendit që nga viti 2012 deri në gusht të vitit 2019.

Më së shumti para në bileta janë shpenzuar në vitin 2014, pra 3 mijë e 112 euro. Në vitin 2013, 2 mijë e 4 euro, pastaj në vitin 2016 janë shpenzuar 885 euro si dhe në vitin 2017 vetëm 610 euro.

Në vitet 2012, 2018, 2019 nuk janë shpenzuar para në bileta për udhëtime jashtë vendit.

KALLXO.com ka kontaktuar deputetin Sejdi Hoxha i cili ka thënë se ndihet krenarë me shpenzimet që ka bërë si kryeshef i ndërmarrjes Posta e Kosovës.

“Sa i përket shpenzimeve te tjera te prezantuara në tabelë, duhet kohë e gjatë për ti verifikuar nëse ato janë të sakta, por jam shume krenar qe si Kryeshef i asaj  ndërmarrje me mbi 1,000 punonjës , me rreth 12 milionë euro të hyra në vit, përmes kësaj tabele nga te dhënat e viteve te fundit paskam shpenzuar mesatarisht 897 euro ne vit udhëtime zyrtare për një vit, ndërsa rreth 1,183 euro reprezentacion brenda një viti”, ka thënë ai.

Ndërsa për karburante për gjatë 8 viteve në krye të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha ka shpenzuar 22 mijë e 533 euro e 19 cent.

Për një vit, Hoha ka shpenzuar 2 mijë e 750 euro karburante, ndërsa për një muaj  229 euro.

Të gjitha këto shpenzime të lartcekura pra, bileta, derivate të naftës,, reprezentacion dhe mëditje për udhëtime jashtë vendit kapin vlerën 68 mijë e 783 euro.

Posta operon më humbje, kryeshefi shpërblehet me bonuse

Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2018, ndërmarrja kishte operuar më humbje që nga viti 2015. Por, në vitin 2017, sipas dokumentit, kryeshefi ekzekutiv ishte shpërblyer me bonuse në vlerë prej 3 mijë e 800 eurove.

Ndonëse në vitin 2017, për KALLXO.com, Hoxha kishte deklaruar se ‘nuk e merr asnjë cent’ si kryesues i bordit të Institucionit Financiar Jo-bankar (IFJB, në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com, Hoxha për gjatë 8 viteve ka marrë hiq më pak se  15 mijë e 600 euro.

4 mijë euro i ka marrë në vitin 2014, 1 mijë e 480 euro në vitin 2017, 5 mijë e 280 euro në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 Hoxha ka marrë 4 mijë e 840 euro pagesë si kryesues i bordit.

Në prononcimin e tij për KALLXO.com, deputeti Sejdi Hoxha nuk ka mohuar të i ketë marr këto të ardhura, pro është shprehur krenar se nën menaxhimin e tij ka arritur ta bëjë licensimin e Postës si Institucionin Financiar Jo-bankar (IFJB) në Bankën Qendrore të Kosovës.

Ai ka thënë që kur ka marrë pozitën për herë të parë në vitin 2012 ndërmarrjen e ka trashëguar me rreth 3 milionë euro humbje financiare vjetore

“Për tri vite menaxhim profesional, duke i rritur të hyrat dhe duke reduktuar shpenzimet Posta e Kosovës për herë të par në historinë e saj ka performuar me bilanc pozitiv financiar në vitin 2016. Këtu po përmendi vetëm një shërbim te krijuar për here të parë nën menaxhimin tim qe është licencimi i Postes si IFJB ne BQK, vetëm nga ky shërbim sot Posta përfiton te hyra rreth 2 milion euro ne vit”, ka thënë ai.