Sejdi Hoxha - Foto: KALLXO.com

Dyshime për Mos-Deklarim të Pasurisë nga Kryeshefi i Postës

Sejdi Hoxha dyshohet se nuk i ka deklaruar rreth 3,420 euro në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Këto mjete atij i kanë takuar bazuar në një vendim të bordit të Postës për të kompensuar kryesuesin e bordit të “Njësisë Financiar Jo-Bankare Posta”. Hoxha është emëruar kryesues i këtij bordi me një vendim të datës 6 dhjetor 2013, me të cilin ishte bërë plotësim-ndryshimi i statutit të Postës së Kosovës dhe ishte themeluar Institucioni Financiar Jo-Bankar. Mos-deklarimi i saktë i pasurisë përbën vepër penale dhe është e dënueshme deri në 5 vjet.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar vendimin e emërimit të bordit të IFJB Posta e Kosovës si dhe vendimin për caktimin e shumës së kompensimit për kryesues dhe anëtar të bordit.

“Miratohet lista e anëtarëve të Bordit të Institucionit Financiar Jo bankar “Posta e Kosovës e përzgjedhur nga Banka Qendrore e Kosovës…”, thuhet në këtë vendim. Sejdi Hoxha është emëruar kryesues i bordit, ndërsa anëtar të tjerë kanë qenë: Zair Imeri, Behxhet Maliqi, Besart Morina dhe Sabit Vokshi.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar edhe vendimin tjetër të Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës që është marrë më 30 dhjetor 2013, për caktimin e kompensimit për anëtarëve të bordit të Postës si Institucion Financiar Jo-bankar.

Kompensimi maksimal mujor i vendosur në këtë vendi për kryesuesin e Bordit të NJFJB ka qenë 400 euro, ndërsa për anëtarët është caktuar shuma prej 350 euro.

Gazeta JnK ka kontaktuar përmes telefonit me kryeshefin e Postës, Sejdi Hoxha i cili e kryeson bordin e NJFJB.

I pyetur se pse nuk i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit të hyrat nga kompensimit si kryesues i bordit të Institucionit Financiar Jo-bankar, Hoxha e ka mohuar të jetë kompensuar si kryesues i bordit.

“Nuk kam kompensim, nuk kompensohem për atë punë, nuk marr asnjë cent”, tha Hoxha. Ai tutje tha se Posta është duke funksionuar si institucion financiar jo-bankar, por që punën në atë bord janë duke e bërë në mënyrë vullnetare.

“Asnjë cent prej asaj nuk e marrim”, tha Hoxha duke kërkuar që t’i dërgohen pyetjet me shkrim në Postë e Kosovës.

Dhe atë gjë e ka bërë Gazeta JnK, duke i dërguar pyetje Bashkim Mustafës, drejtor i Drejtorisë për  Shitje, Planifikim dhe Kujdes ndaj Konsumatorëve në Postë, por që është caktuar edhe si zëdhënës i kësaj kompanie.

Konfirmimi i Kompensimit

Mustafa ka thënë se Bordi i Institucioni Financiar Jo Bankar ka filluar punën nga data 6 dhjetor 2013 dhe si i tillë ka funksionuar deri më datën 9 shkurt 2015. Ndërsa, nga data 9 shkurt 2015, ky bord është shndërruar në Komitet Mbikëqyrës të IFJB-së me kërkesë të BQK-së.

Kryesues i bordit, sipas tij, që nga dita e parë e themelimit ka qenë kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha. Mustafa ka treguar edhe për lartësinë e kompensimit që u takon kryesuesit dhe anëtarëve të bordit, shuma të cilat përputhen me vendimin e siguruar nga Gazeta JnK.

“Kompensimi për anëtaret e Bordit të IFJB-së  ka qene 342 euro kryesuesi, ndërsa anëtaret 299 euro mujore”, tha Mustafa.

Mustafa nuk është përgjigjur në pjesën më të madhe të pyetjeve, të cilat i ka adresuar Gazeta JnK te Posta e Kosovës. Mustafa është pyetur se sa është kompensimi që merr Hoxha si kryesues i Bordit, si dhe sa është shuma totale që Hoxha ka marrë kompensim ndër vite si kryesues i këtij bordi. Në këto pyetje, Mustafa nuk ka dhënë përgjigje.

Por, ai ka treguar se edhe Hoxha është kompensuar si kryesues i bordit për një periudhë të caktuar kohore.

“Kryesuesit dhe anëtaret e Bordit/Komitet Mbikëqyrës dhe Komitetit për menaxhimin e riskut anëtaret e brendshëm,  janë kompensuar vetëm deri me datën 02.10.2014, ndërsa anëtarët e Bordit/ Komitet Mbikëqyrës dhe komitetit që janë nga jashtë (nuk kanë marrëdhënie pune të rregullt me Postën e Kosovës) akoma kompensohen sipas shumave të cekura me lartë”, ka deklaruar zëdhënësi i Postës, Mustafa.

Bazuar në përgjigjet e Mustafës, i bie që kryesuesi dhe anëtarët e bordit janë kompensuar për punën e tyre në këtë bord nga muaji dhjetor i vitit 2013 deri në muajin tetor të vitit 2014. Pra, kryesuesi dhe anëtarët e bordit janë kompensuar për dhjetë muaj për punën e tyre në këtë bord. Nëse llogaritet shuma mujore e kompensimit prej 342 euro (e cila është konfirmuar nga zëdhënësi Mustafa), atëherë për dhjetë muaj kryesuesit të bordit Sejdi Hoxha i kanë taktuar 3,420 euro, nën supozimin që ata i kanë marrë kompensimet për çdo muaj në periudhën 06.12.2013 – 02.10.2014.

Ajo çfarë ka thënë Mustafa e përgënjeshtron kryeshefin Hoxha, i cili ka thënë se nuk ka pranuar kompensim për punën si kryesues i bordit të Postës si Institucion Financiar jo-bankar.

Gazeta JnK ka insistuar që sërish të marrë përgjigje direkte nga Hoxha për të shpjeguar mos-përputhjet e përgjigjeve të Postës së Kosovës dhe asaj çfarë ka thënë ai, pasi në bazë të përgjigjeve të Postës, i bie që Hoxha ka pranuar kompensim për 10 muaj si kryesues i Bordit. Hoxha është pyetur se pse nuk i ka deklaruar në AKK shumën prej 3 mijë e 400 euro.

“E nderuar jam me familje, për të gjithat ju kanë dhënë informatat e nevojshme zyra për informim (e Postës së Kosovë)”, është përgjigjur kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha.

Mos-deklarimi i të hyrave

Gazeta JnK e ka analizuar të hyrat e deklaruara nga Hoxha në Agjencinë Kundër Korrupsionit nëpër vite si dhe pagën e kryeshefit të Postës, e cila është e publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Lartësia e Kompensimeve të zyrtarëve të lartë të Korporatës Posta e Kosovës: kryeshefi – 3,500.00 (tre mijë e pesëqind) euro bruto”, thuhet në dokumentin e publikuar në ueb-faqe të MZHE-së. Bazuar në këtë pagë, i bie që Hoxha ka të hyra vjetore bruto prej 42 mijë euro nga puna si kryeshef në Post. Nëse merret paga neto, i bie një pagë prej rreth 3,015 euro apo të hyra vjetore prej 36,168 euro.

Gazeta JnK i ka analizuar të gjitha deklarimet e pasurisë së kryeshefit të Postës, Sejdi Hoxhës. Në deklarimin e bërë në vitin 2013, Hoxha ka deklaruar të hyra prej 36,960 euro nga paga si kryeshef i Postës së Kosovës.

Shumë e njëjtë të hyrave nga paga si kryeshef i Postës, Hoxha e ka deklaruar edhe në vitin 2014. Bazuar në përgjigjet e zëdhënësit të Postës Bashkim Mustafa, kryesuesi dhe anëtarët e bordit të Postës si Institucion Financiar Jo-Bankar kanë marrë kompensime për periudhën 06.12.2013- 02.10.2014. Por, Hoxha në deklarimin për vitin 2014 që zakonisht bëhet në muajin mars nuk ka deklaruar të hyra shtesë nga Posta. I ka deklaruar si pagë vjetore 36,900 euro prej pagës nga Posta.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2015, Hoxha e ka deklaruar sërish shumën e njëjtë prej 36,960 euro të hyra nga paga si kryeshef i Postës. Madje, në deklarimin e vitit 2015, Hoxha ka thënë se këto janë të hyra neto (të hyra pas pagesës së tatimeve). Pra, as në deklarimin e vitit 2015 që zakonisht bëhet në fillim të vitit, ku përfshihen të hyrat e vitit paraprak, Hoxha nuk i ka ndryshuar të hyrat vjetore.

Neni 8 i Ligjit për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë thotë se deklarimi i pasurisë duhet të bëhet gjatë muajit mars.

“Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë… bëhet gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik nga data 1 mars deri më 31 mars të çdo viti kalendarik”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 8.

Tutje në nenin 17 të këtij ligjit thuhet se mos-deklarimi i pasurisë përbën vepër penale.

“Agjencia paraqet kallëzim penal në prokurorinë kompetente ndaj zyrtarit të lartë publik i cili shkel detyrimet e parapara me këtë ligj, e që përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë për zyrtarët e lartë.

Pas ndryshimeve ligjore, mos-deklarimi i pasurisë cilësohet si vepër penale. Neni 437 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës thotë se mos-raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare është vepër penale.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 437 të Kodit Penal.

Gazeta JnK ka kontaktuar edhe me Behxhet Maliqin, zyrtar kryesor financiar i Postës së Kosovës dhe anëtar i bordit të Institucionit Financiar Jobankar, Posta e Kosovës.

Maliqi ka thënë se i ka deklaruar të hyrat që i ka marrë si kompensim si anëtar i bordit të NjFJB. Por, ai ka thënë se i ka deklaruar si të hyra nga Posta dhe nuk i ka ndarë se cilat i ka nga paga dhe cilat nga kompensimit pasi, sipas tij, bëhet fjalë për një burim. Maliqi ka thënë se janë mbajtur të gjitha mbledhjet e bordit.

Në deklarimin e pasurisë, Maliqi ka bërë deklarim të ndryshëm të të hyrave nga Posta nëpër vite.

Në vitin 2013, Maliqi ka deklaruar të hyra mujore prej 2,159 euro. Pra, të hyrat nga Posta në vitit 2013, Maliqi i ka deklaruar të hyra prej 25,908 euro.

Maliqi në vitin 2014, i ka deklaruar të hyra nga Posta në lartësi prej 30 mijë euro. Kurse, në deklarimin e vitit 2015, Maliqi ka deklaruar të hyra neto nga Posta prej 28,908 euro.

Përveç kryesuesit dhe anëtarëve të bordit, kompensim kanë marrë edhe kryesuesi dhe anëtarët e Komitetit për Menaxhimi n e Riskut të IFJB-së, i cili ka filluar punën nga data 06.12.2013. Kryesues i këtij komiteti është emëruar, Argjent Sefa, ndërsa Aferdita Zagragjaj dhe Nazmi Sallahu janë emëruar anëtarë. Zëdhënësi i Postës, Mustafa ka thënë se kompensimi për anëtaret e Komitetit për Menaxhimin e Riskut janë është 299 euro në muaj për Kryesuesin ndërsa 256 euro në muaj për anëtarët.

Kryesuesi i këtij komiteti i ka deklaruar në mënyrë të veçantë të hyrat nga puna në këtë komitet. Argjent Sefa ka deklaruar të hyra prej 2,992 euro kompensim për punën në Institucion financiare jobankar- Posta e Kosovës në vitin 2015