Sejdi Hoxha i bën 'diss' Anti-Korrupsionit, jep dorëheqje morale nga Posta

Drejtori Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka dhënë sot dorëheqje nga kjo pozitë.

Njoftimin e ka bërë Posta e Kosovës përmes një komunikatë për media.

“Arsyet e dorëheqjes sime janë angazhimet politike dhe akademike”, ka deklaruar kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha.

“Dua të jem shembull i mirë dhe nuk dua që në asnjë moment dhe rrethanë dikush të mendojë që unë mbaj pozicionin tim publik për të përfituar politikisht. Jam krenar me atë qe kam bërë gjate ushtrimit të detyrave të mia në të gjitha pozitat institucionale që kam qenë deri më tani. Prandaj, meqenëse  zgjedhjet janë afër, unë do të angazhohem maksimalisht në fuqizimin e subjektit tim politik”, thuhet tutje në njoftim.

Ai tha se për gjatë 7 viteve në Postën e Kosovës ka dhënë kontribut profesional për ngritjen e kësaj ndërmarrje publike.

“Dua të rikujtoj që ndërmarrjen e trashëguam në një gjendje të vështirë financiare në vitin 2012, kur Posta u nda nga ish-PTK. Asokohe, humbja financiare ishte rreth 3 milionë euro në vit. Në atë kohë në Postë ofroheshin vetëm 2 lloje të shërbimeve (shërbimet postare dhe shitja e produkteve të Telekomit)”, citohet të ketë deklaruar Hoxha.

Ai ka lavdëruar kohën për të cilën ka punuar duke thënë se nga puna me humbje ka arritur që institucionin e postës ta kthej në një ndërmarrje me fitime.

“Me punën tonë të përbashkët arritëm që për këto vite ndërmarrjes t’i krijojmë dhjetëra shërbime të reja duke filluar nga shërbimi i kryerjes së të gjitha llojeve të pagesave, shpërndarjen e skemave sociale e deri te aplikimi dhe dhënia e kredive në zyrat postare. Të gjitha këto shërbime  dhe shumë shërbime tjera mundësuan që për një periudhë të shpejt ndërmarrja të punoi pa humbje financiare, përfshirë edhe 6 mujorin e parë të këtij viti  të cilin Posta e mbyll me bilanc pozitiv financiar”, deklaroi ai.

Në fund, ai ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët për bashkëpunimin në Postën e Kosovës.

KALLXO.com kishte raportuar se Sejdi Hoxha në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike mban dy pozita, atë në Postën e Kosovës dhe kryetarit të degës së PDK-së në Drenas.

Por, një vendim i marrë së fundmi nga Antikorrupsioni, kjo agjenci e kishte amnistuar atë.

AKK-ja duke u thirr vetëm në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ka konstatuar se zgjedhja e Sejdi Hoxhës në pozitën e kryetarit të PDK në Drenas derisa ai është duke ushtruar edhe funksionin e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, nuk përbën konflikt interesi.

Por, ka qenë e njëjta Agjenci që në vitin 2016 e kishte lëshuar një opinion në të cilin kishte konstatuar se zgjedhja e anëtarëve të bordeve me të kaluar politike ishte në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Antikorrupsioni i Shaip Havollit ‘amniston’ Sejdi Hoxhën e PDK-së

www.kallxo.com