Shtëpia e Familjes Bajraktari- Mitrovicë. Foto: KALLXO.com.

Pas renovimit me paratë e shtetit, del në shitje monumenti i trashëgimisë kulturore në Mitrovicë

Vetëm pak muaj pas restaurimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka dalë në shitje shtëpia e familjes Bajraktari, e njohur edhe si shtëpia e “Dr. Islam Shipoli” në Mitrovicë.

Kjo shtëpi është në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe mbrohet nga shteti.

Sipas MKRS, kjo shtëpi është ndërtuar në fillim të shek. XX, dhe i takon ndërtimeve të objekteve me stil të arkitekturës moderne evropiane.

Për restaurimin e kësaj shtëpie janë dhënë rreth 60 mijë euro nga MKRS, restaurim që është përmbyllur në maj të këtij viti.

Rrezarta Loxha -Vitaku, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Rajonale në Mitrovicë tha për KALLXO.com se pavarësisht nëse aseti ndërron pronarin ai mbete nën mbrojtje të shtetit.

“Pronari ka të drejt ta shes ndërtesën në pajtueshmëri me Ligjin mbi pronën, por në raste kur realizohen ndërhyrje konservuse restauruese monumenti duhet të jetë i gatshëm për qasje publike për një periudhe kohore, e cila caktohet bazuar në akt nënligjor. Po, gjithsesi aseti mbetet të jetë pjesë e listës së trashëgimisë së mbrojtur, pavarësisht pronarit të ri, kushtet dhe kriteret nuk ndërrojnë”- thotë ajo për KALLXO.com.

Drejtoresha Loxha- Vitaku ka konfirmuar se për renovimin e këtij aseti MKRS ka dhënë 59.054 euro.

Sipas saj, shtëpia është pjesërisht e banueshme.

Avokati Ubejd Gashi, i autorizuar nga familja Bajraktari për çdo procedurë për shtëpinë ka thënë për KALLXO.com se shtëpia e familjes Bajraktari ka qenë në shitje edhe para renovimit.

“Shtëpia ka qenë në shitje edhe më herët, por, për shkak se shtëpia është pjesë e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje disa herë më parë blerës të interesuar kanë hequr dorë”- ka thënë Gashi.

Ai ka thënë pronarët e shtëpisë për dekada nuk jetojnë jashtë vendit dhe kjo është edhe arsyeja pse kanë vendosur ta shesin shtëpinë.

Në korrik të këtij viti MKRS pati njoftuar për përfundimin e punimeve në shtëpinë e banimit të familjes Bajraktari, e njohur edhe si shtëpia e dr. Islam Shipolit, që gjendet në qendër të qytetit në Mitrovicë.

Sipas MKRS kjo shtëpi e ndërtuar në fillim të shek. XX, i takon ndërtimeve të objekteve me stil të arkitekturës moderne evropiane.

“Renovimi i elementeve të drurit, dyshemeja, tavanet, shkallët dhe gardhi i shkallëve janë vetëm disa nga punët e përfunduara në këtë shtëpi, duke i ruajtur gjithmonë vlerat origjinale”- kishte thënë MKRS në njoftim.

 

Shtëpia e Familjes Bajraktari- Mitrovicë. Foto: KALLXO.com.

 

Shtëpia e Familjes Bajraktari- Mitrovicë. Foto: KALLXO.com.