Ish Kryesuesi Komunal nga PDK, Menaxher në Ndërmarrje Rajonale

Kujtim Xhelili, kryesues i kuvendit komunal nga PDK në Shtime në periudhën 2009-2013, është emëruar menaxher i Njësiteve në Ndërmarrjen Rajonale të Ujësjellësit Prishtina. Ai është i afërm i deputetit të PDK-së, Fatmir Xhelili.

Kujtim Xhelili është zgjedhur Menaxher i Njësive Operative në Ndërmarrjen Rajonale KUR “Prishtina” më 18 janar 2018. Kjo nuk është hera e parë që ai punon në këtë ndërmarrje. Për gjashtë vjet (2009-2015) ka qenë në krye të Bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Gjatë kohës sa Xhelili ka qenë në bordin e kësaj ndërmarrje janë regjistruar disa skandale dhe ambasadat kanë reaguar për politizim në udhëheqjen e kësaj ndërmarrjeje.

Por, para kësaj pozite, Xhelili thotë se ishte i papunë për tri vite. I kontaktuar nga Gazeta JNK, Xhelili thotë se nuk ka pasur ndikim politik në përzgjedhjen e tij pavarësisht të kaluarës së tij me PDK-në dhe afrisë familjare me deputetin e kvsaj partie, Fatmir Xhelili.

“Nuk jam vëllai i tij [Fatmir Xhelilin], e kam kushëri. Që nga viti 2015 deri në 2018 kam qenë pa punë. Kjo besoj tregon shumë. Nuk ka pasur ndikim politik”, tha ai.

I pyetur nëse është anëtar i PDK-së, Xhelili thotë që prej vitit 2013, kur e ka përfunduar punën e kryesuesit të kuvendit komunal në Shtime, nuk ka marrë pjesë në aktivitetet e partisë.

“Unë kam qenë aktivist i PDK-së, por kurrë librezë të partisë nuk kam pasë në xhep. S’ka pasë ndikim. Prej 2013 kur e kam përfundu në kuvend nuk kam pasë asnjë aktivitet politik, as në zgjedhjet e fundit”, tha Xhelili për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta ka pyetur edhe zyrën për informim në këtë ndërmarrje për emrat e kundër-kandidatëve të tij, por fillimisht ata i kanë thënë Gazetës së duhet interpretim ligjor nga AMDP-ja për t’i bërë publik kundër kandidatët.

“Të lutem dërgo shkresë/kërkesë zyrtare për çfarëdo emri që ju duhet, me pas ne do të kërkojmë interpretim Ligjor nga Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim.

Më pas, Gazeta ka insistuar për emrat duke i sqarues zyrës për informim që nuk po të kërkon qasje në dokumente publike, po qasje në informatë.

“Pas konsultimeve që patëm me kryeshefin, u vendos që të ju dërgohen emrat e tre kandidateve të tjerë, pasi që kanë qenë publik dhe po ashtu të vendosura në tabelën zyrtare të kompanisë. Kandidatët kanë qenë:  Kujtim Xhelili, Naim Mujaj, Gani Krasniqi dhe Driton Mulaj”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gazeta ka kontaktuar Naim Mujajn, si kundër-kandidatin e Kujtim Xhelilit, pasi ai ka bërë ankesë në Inspektorat të Punës, por i njëjti nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.

Ndërsa zyra për informim në KUR Prishtina thotë se kanë marrë vendim pozitiv nga Inspektorati i Punës.

“Inspektorati i Punës me vendimin e datës 13.03.2018 e ka mbështetur/vërtetuar vlerësimin e Komisionit te Kompanisë”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.

Për pozitën e Menaxherit te NJOU-ve konkursi është publikuar më 30 nëntor 2017. Për këtë pozitë kanë aplikuar gjithsej 14 kandidatë.

“Vetëm 4 kandidatë i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e konkursit. Testi, i cili është mbajtur me 15.01.2018 i janë nënshtruar vetëm 3 kandidatë. Ndërsa për intervistë, e cila është mbajtur më 18 janar 20108, janë kualifikuar vetëm dy kandidatë. E në intervistë kandidati me i suksesshëm është shpallur Kujtim Xhelili”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të kësaj kompanie.

Kujtim Xhelili ka qenë drejtor i Bordit të KUR Prishtina në vitet 2009-2015. Paraprakisht për një vit drejtor në Trepçë. Ndërsa deri në vitin 2008 ishte drejtor në Institutin Special në Shtime.

Ai është ekonomist i diplomuar në UP, ndërsa gradën master në ekonomi e ka marrë në kolegjin Globus në vitin 2014.