Njeriu i PDK-së në ATK flet për vendimin e drejtorit

Bekim Jupa nuk ka dashur të komentojë vendimin e drejtorit të ATK-së që ta heq nga departamenti i hetimeve në ATK në ditën që është dashur të vendosur në zyrën e re.

Jupa për KALLXO.com tha se nuk është në dijeni se se drejtorit të ATK-së ka vendos që t’ia ndërrojë pozitën.

“Nesër mundësh me më thirr për këtë çështje se nuk kam njohuri rreth vendimit. Çdo vendim të drejtorit gjeneral e respektoj. Në hetime kam qenë edhe në 2011, e jam themelues i njësisë së hetimeve në ATK”, tha Jupa për KALLXO.com.

Dy ditë më parë KALLXO.com raportoj se njeriu i lidhur me strukturat e PDK-së do udhëhiqte hetimet. Por, sot, Ilir Murtezaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se Jupa nuk do të jetë pjesë e hetimeve.

“Bekim Jupa është vendosur në një departament tjetër dhe vazhdon me e ushtru detyrën. Nuk është largu nga hetimet por është angazhu në një angazhim tjetër”- ka thënë drejtori.

Pas raportimit të KALLXO.com, drejtori i ATK-së dhe ministri i Financave, Besnik Bislimi kishin pranuar ankesa nga stafi i brendshëm i ATK-së për emërimin e Jupes. Ankesa ishte bërë nga personat të cilëve nuk ju është ofruar pozita ekuivalente pas riorganizimit të ATK-së në fund të vitit të kaluar, mirëpo ishin degraduar në pozita.