Aferë në tenderin 1.6 milion euro në Komunën e Bali Muharemajt

Shefi i Prokurimit në Komunën e Suharekës, Bujar Kuqi i ka vlerësuar i vetëm ofertat që ka pranuar për një tender në vlerë 1.6 milion euro për “ndërtimin e unazës në krahun e djathtë të Suharekës”.

Bujar Kuqi, shef i Prokurimit në Komunën e Suharekës, e ka injoruar komisionin e rivlerësimit të themeluar me vendim të kryetarit të Komunës dhe ka vendosur që t’i rivlerësoi ofertat e operatorëve ekonomik që kanë qenë në garë.

Ka qenë vetë Kuqi që me datën 21 nëntor i ka propozuar kryetarit të Komunës, Bali Muharremaj që të formojë komisionin e rivlerësimit.

I pyetur nga KALLXO.com, Kuqi thotë se kërkesën për formim të komisionit e ka bërë meqë një gjë të tillë e kërkon ligji i Prokurimit.

Por, shpejt është bërë pishman. Kuqi thotë se të nesërmen (me 22 nëntor) ka vlerësuar se nuk ka nevojë fare për një komision të rivlerësimit, meqë sipas tij, situata në këtë tender është e qartë.

Kuqi kishte marrë vendim që ta rekomandojë për kontratë konzorciumin ankues “Famis Co & KAG Asphalt” në vlerë prej 1 milion e 667 mijë euro. Për këtë tender kanë qenë në garë edhe katër biznese tjera: Konzorciumi “Bamirs & Uleza Ndertim” në vlerë 1 milion e 488 mijë euro, “Etniku” me ofertën prej 1 milion e 993 mijë euro, “Victoria Invest” me 1 milion e 738 mijë euro, si dhe kompania “ISEFERI” që kishte ofertuar 1 milionë e 946 mijë euro.

Kompania “ISEFERI” ishte rekomanduar për kontratë nga komisioni i parë vlerësues dhe ishte miratuar edhe nga Bujar Kuqi, si shef i prokurimit në Suharekë.

Kuqi thotë se situata është e qartë pas vendimit të OSHP-së.

“Komisioni i rivlerësimit është propozuar dhe ka ardhur vendimi, mirëpo unë si zyrtar përgjegjës i kam marrë kompetencat komplet qysh mi jep ligji, sepse ajo lëndë njëherë është vlerësuar njëherë prej një komisionit dhe kam vepruar në bazë të vendimit të OShP-së. Vendimin për shpalljen e operatorit 400 mijë euro më i lirë e kam marr komplet vetë”, tha ai për KALLXO.com.

Rivlerësimi i ofertave për këtë tender është bërë meqë OSHP-ja kishte konstatuar se Komuna kishte bërë shkelje ligjore kur e kishte rekomanduar për kontratë një nga ofertat më të shtrenjta për kontratë.

Sipas OSHP-së, Komisioni i vlerësimit dhe komuna e Suharekës si Autoritet Kontraktues ka bërë shkelje ligjore kur e kishte rekomanduar për kontratë OE ‘Iseferi’ në vlerë 1.9 milion euro.

Në rastet të tilla kur OSHP-ja konstaton që ka shkelje ligjore, Autoriteti Kontraktues duhet të formojë komision të ri për rivlerësim të ofertave, meqë konsiderohet se vlerësimi nis nga fillimi, pra nga pika zero.

“Nuk janë ftuar (anëtarët e komisionit të rivlerësimit), sepse është konsideruar që në bazë të vendimit të OShP-së unë mundem me e kry punën veç vetë si zyrtar i prokurimit. Për këtë ka qenë një komision vlerësues, unë e kam pasur situatën shumë të qartë”, deklaroi Kuqi.

Kuqi thotë se ligji i prokurimit ja mundëson atij që të bëjë vlerësimin e ofertave.

“Ligji thotë me formu një komision, një komision është i formuar, por lënda është kthyer në ri-vlerësim, ka mendim të ekspertit dhe konform vendimit dhe mendimit të ekspertit dhe konform vendimit të OShP-së unë kam vlerësuar atë lëndë”, thotë Kuqi.

Ai thotë se Zyrtari përgjegjës ka kompetencë me vendos për një procedurë të prokurimit.

“Çështjen e rivlerësimit nuk e cek për komision por thotë, zyrtari përgjegjës i prokurimit mund të vendos përfundimisht për një procedurë të prokurimit . Unë e kam pasur një komision unë e kam një vendim të OShP-së unë e kam një mendim të ekspertit dhe si vendim përfundimtar unë e kam marr atë”, thotë Kuqi, duke u thirr në piken 40.13 të Udhëzuesit operativ për procedurat e prokurimit publik.

Por, ky nen fletë për kompetencën që ka Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit pasi që të pranon një raport nga Komisioni Vlerësues.

“Vendimi përfundimtar mbi dhënien e kontratës mbetet përgjegjësi e Zyrtarit përgjegjës të Prokurimit. Zyrtari përgjegjës i Prokurimit mund të pranojë rekomandimin e komisionit apo refuzojë atë. Kur refuzohet rekomandimi i komisionit, Zyrtari përgjegjës Prokurimit do të shpjegojë arsyet me shkrim. Ne situata te tilla Zyrtari përgjegjës i Prokurimit mund te nxjerr vendimin përfundimtar ose mund te formoj komision te ri për ri-vlerësim”, thuhet në nenin 43.13, i cili është në kuadër të pjesës ku flitet për formimin dhe kompetencat e komisionit vlerësues.

Kuqi e ka marrë si të mirëqenë një raport të komisionit vlerësues që OSHP-ja e ka hedhë poshtë, edhe në rastin kur nuk e ka marrë fare në shqyrtim ofertën më të lirë.

“Ai (oferta më e lirë) ka qenë i papërgjegjshëm edhe në vlerësimin e parë dhe nuk ka pasur ankesë as në vlerësimin e parë as në të dytin”, tha ai.

Kuqi thotë se kompanitë mund të ankohen prapë për këtë tender.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe më kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremi, por ai ka qenë i pa qasshëm në telefon.

Vendimin për ri-vlerësim të tenderit për ndërtimin e unazës së krahut të djathtë në Suharekë e ka nënshkruar nënkryetarja e kësaj komune, Mihrije Suka për kryetarin Muharremi.

Ajo tha se e ka nënshkruar vendimin pasi ka munguar kryetari i Suharekës pasi që ka qenë në një udhëtim zyrtar.

“Të gjitha vendimet kur mungon kryetari i nënshkruaj unë. Komisioni është formuar me lejen e prokurimit dhe ajo e ka marr pastaj në dorë dhe i ka kryer punët e duhura sipas rregulloreve”, tha ajo.

Suka deklaroi se nuk e dinte nëse tre anëtarët e komisionit kanë qenë të njoftuar.

“Unë nuk e di çka me të thënë, përgjegjëse për këtë është zyra e prokurimit sa i përket zyrës së kryetarit ka qenë në rregull. Ne jemi në rregull sa i përket zyrës së kryetarit tjetër nuk `di çka me të thënë”, nënvizoi ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar me tre anëtarët e komisionit të rivlerësimit: Mehmet Lezi, kryesues, Besim Demiri dhe Ahmet Emërllahu anëtarë.

Ndonëse emrat e tyre figurojnë në vendimin për ri-vlerësim të tenderit për ndërtimin e unazës në krahun e djathtë, ata nuk kanë qenë në dijeni fare për këtë vendim.

“E dinë për atë kryetari i komunës edhe nënkryetari ata e dinë për atë. Nuk kam qenë unë sot gjatë tërë kohës vetëm deri në ora 13:30. S’kam qenë në ngjarje, nuk e di çfarë vendimi. Ndoshta ata kanë mujt me më caktu (në komision), por unë nuk jam i njoftun”, ka thënë kryesuesi i komisionit, Mehmet Lezi.

As dy anëtarët e tjerë, Besim Demiri e Ahmet Emërllahu, nuk kanë qenë në dijeni se janë pjesë e komisionit vlerësues për tenderin në vlerë milionë euro.

“Jo, nuk kam qenë as nuk jam kanë në dijeni”, ka thënë shkurt Besim Demiri.

Edhe Emërllahu ka thënë se nuk ka qenë në objektin e komunës pasditën e 22 nëntorit.

“Jo, absolut jo. Sot (më 22 nëntor) tërë ditëm qenë me punë nëpër shkolla”, ka thënë Ahmet Emërllahu.

Historia e tenderit

Komuna e Suharekës më 11 tetor njoftoi për dhënien e tenderit për ndërtimin e unazës, krahu i djathtë në Suharekë.

Kompania fituese ishte shpallur grup i operatorëve ekonomik “ISEFERI”nga Suhareka me çmim 1 milion e 946 mijë e 619 euro 47 cent.

Por, një vendim i zyrës së Prokurimit në Komunën e Suharekës i datës 16 tetor pezulloi aktivitetin e prokurimit për ndërtimin e unazës- krahu i djathtë në Suharekë, pasi “Famis- Hc Sh.A SH.A; KAG – Asphalt Company SH.P.K.” ishte ankuar në Komunë.

Kompania pretendonte që ishin bërë shkelje ligjore dhe se ofertat duhet të rivlerësoheshin.

Por, shefi i Zyrës së Prokurimit në Suharekë kishte vendosur që ta refuzojë kërkesën për rishqyrtim, të bërë bazuar me nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit

“Tenderi juaj është refuzuar për këtë arsye: Tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale, ne kemi kërkuar pajisjet ë emër dispozicion të OE me të cilat do të kryheshin punimet. Minimumi i pajisjeve për këtë projekt është sipas listës në aneks 6 të dosjes së tenderit. Ju nuk keni ofruar dëshmitë e kërkuara për pajisjet  siç është kërkuar”, thuhej në arsyetimin e Zyrtarit të Prokurimit.

Pas kësaj, operatori ekonomik “Famis Co Hc Sh.A SH.A; KAG – Asphalt Company SH.P.K” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

OSHP-ja e kishte caktuar një ekspert të prokurimit për të shqyrtuar ankesën e biznesit ankues, i cili kishte kontaktuar se Komuna e Suharekës kishte bërë shkelje ligjore dhe i rekomandonte panelit shqyrtues të OSHP-së që tenderi të kthehet në rivlerësim.

Komuna e Suharekës ishte pajtuar me gjetjet, konstatimet dhe rekomandimet e ekspertit shqyrtues që tenderi të rivlerësohet.

Pranimi i shkeljeve nga Komuna, e kishte bërë të panevojshme mbajtjen e seancës së OSHP-së. Kjo e fundit ka lëshuar vetëm një njoftim, me 20 nëntor, me të cilin e obligonte Komunën e Suharekës që të anulohet “njoftimi për dhënie të kontratës” dhe tenderi të kthehet në rivlerësim.

Dy ditë më vonë, Komuna e Suharekës kishte marrë vendim që të formonte komisionin për rivlerësimin e ofertave për tenderin- “ndërtimin e unazës së krahut të djathtë në Suharekë’.

Por, rivlerësimin e ofertave e ka bërë i vetëm shefi i prokurimit të Komunës së Suharekës, Bujar Kuqi duke e rekomanduar për kontratë konzorciumin “Famis Co & KAG”, të cilës ia kishte refuzuar ankesën.