Hoxhaj në Vishegrad Kërkon Përkrahje

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron në një vizitë në Poloni, ka marrë pjesë në punimet e takimit të Grupit të Vishegradit, me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Mes tjerash, kryediplomati kosovar ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, shteti i të cilit mban kryesimin e Bashkimit Evropian.
 
Sipas një njoftimi nga MPJ, Hoxhaj ka kërkuar nga Sikorski mbështetjen e Polonisë në procesin e integrimeve euroatlantike, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me institucionet e BE-së.

Ministri Hoxhaj thuhet se e ka informuar homologun e tij polak lidhur me gjendjen në veri të Kosovës. Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është kundër përdorimit të dhunës, kundër status-qos dhe konfliktit të ngrirë dhe se zgjidhja e vetme mbetet implementimi i plotë i Pakos Ahtisaari, që do të mundësonte integrimin e kësaj pjese në institucionet e Kosovës.
 
“Polonia është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës së pavarur dhe ky shtet me prezencën e tij në kuadër të KFOR-it të dhe EULEX-it po kontribuon për stabilitetin dhe paqen në rajon”, ka thënë Hoxhaj.
 
Gjatë takimit, dy ministrat kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, duke bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm pritet të ketë një intensifikim më të madh të këtyre marrëdhënieve, me ç’rast pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit dhe kulturës, thuhet në një komunikatë për shtyp.
 
Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, János Martonyi, si dhe atë të Sllovenisë, Samuel Žbogar,

Gjatë takimeve, Hoxhaj thuhet se ka falënderuar të dy shtetet për përkrahjen e deritashme në proceset shtetndërtuese në Kosovë, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e kësaj përkrahjeje për proceset integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.