Zyrat e Komunitetit hebre në Beograd/ Foto: BIRN

Hebrenjtë e Serbisë do të Rimarrin Pronat e Tyre

Shoqata e Komunitetit Hebre Serb ka përshëndetur legjislacionin e ri, i cili do të shohë pasurinë e trashëguar dhe të pa kërkuar hebreje që u shpronësua gjatë Holokaustit t’i dorëzohet Federatës së Komunave hebreje të Serbisë.

“Ligji është shumë i rëndësishëm, sepse ka më shumë se 3,000 pasuritë e paluajtshme që pritet të rikthehen,” tha për BIRN Ruben Fuks, kryetari i Shoqatës të Komunitetit Hebre Serb.

“Procesi supozohet të përfundojë në tre vitet e ardhshme,” tha ai.

Sipas legjislacionit, Federatës së Komunave Hebreje të Serbisë do t’i jepet gjithashtu një fond buxhet prej 950,000 euro në vit për një periudhë prej 25 vitesh, duke filluar nga viti 2017.

Federata e Komunave Hebreje të Serbisë do të menaxhojë të ardhurat dhe t’i përdorë ato për financimin e studimeve për Holokaustin dhe arsimimit, bursa për studentë dhe talentet e reja në Serbi, ndër të tjera.

Sipas ligjit, një kërkesë për kthimin e aseteve do të dorëzohet nga një komunë hebreje dhe vlerësohet nga Agjencia Serbe për Rikthim, para se asetet të transferohen në komunën hebreje ose kërkesa të refuzohet.

Sipas legjislacionit, çdo komunë serbe në të cilën jetojnë hebrenj përkufizohet si komunë hebreje. Në total në Serbi ka dhjetë të tilla.

Miratimi i ligjit rezolutë është përshëndetur si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Izraeli.

“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e ligjit për rikthim pronash nga Parlamenti Serb,” tha në një deklaratë ambasada e SHBA-së në Beograd.

“Serbia duhet të shërbejë si shembull për vendet e tjera europiane, dhe kjo është një ditë historike për drejtësinë, moralin dhe angazhimin ndaj marrëdhënies speciale midis serbëve dhe hebrenjve,” tha ambasada e Izraelit në një deklaratë.

Deri në vitin 1941, në Serbi jetonin rreth 33,000 hebrenj.

Por në maj të vitit 1942, rreth 80 për qind e popullsisë hebreje të para luftës ishin shfarosur nga nazistët me ndihmën e Qeverisë bashkëpunëtorë të Shpëtimit Kombëtar të udhëhequr nga Milan Nediç.

Administrata e Nediçit monitoroi punën e detyruar dhe garantoi siguri për një kamp përqendrimi në rajonin e Banjicës në Beograd.

Mendohet se në kampin e Banjicës nga viti 1941 deri në vitin 1944 janë mbajtur rreth 24,000 njerëz dhe deri më tani, 4,200 të burgosur që janë vrarë janë identifikuar. Me mijëra të tjerë gjithashtu u transferuan nga Banjica në kampe të tjera në të gjitha Europën.

Seancat dëgjimore aktualisht vazhdojnë ende në lidhje me rehabilitimin e propozuar të Nediçit.

Familja e Nediçit dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Regjimit Komunist – e cila paraqiti kërkesën për rehabilitim – pretendojnë se ai nuk ishte fajtor për vuajtjet e shkaktuara gjatë pushtimit nazist të vendit, siç këmbëngulën autoritetet komuniste jugosllave kur e ndoqën atë penalisht pas Luftës së Dytë Botërore.

Fuks tha se ai shpreson që Nediç të mos rehabilitohet, duke qenë se roli i tij në shfarosjen e hebrenjve në Serbi është i qartë.

“Regjimi i Nediçit në Serbi ishte e qartë që u themelua për të ndihmuar nazistët.

Shpresoj që rehabilitimi të mos realizohet dhe një këmbëngulje e tillë për të pastruar emrin e tij është thjesht një fenomen marxhinal në shoqëri,” tha ai.

Sipas regjistrimit të kryer në vitin 2002, në Serbi jetonin rreth 1,185 hebrenj.