Gabimet E Presidentit Obama Dhe New York Times-it

Dy vjet më parë, në mëngjesin e 6 shtatorit, Jill Abramson me metro u nis drejt selisë së Gazetës New York Times, për ta zënë karrigen e redaktores ekzekutive të saj, shkruante The New Yorker më 24 tetor 2011. 

Ajo ishte femra e parë në krye të gazetës së njohur amerikane me histori më shumë se 160 vjeçare dhe kishte ndjenja të përziera në ditën e parë të punës. E dinte se po shkruante historinë, se kjo ditë do të mbahej mend dhe shënohej. 

Abramson, i tha atëherë gazetarit dhe publicistit Ken Auletta se kur hyri në ambientet e punës së gazetës, aty mbretëronte heshtja e plotë. Ajo e dinte se punonjësit i frikësoheshin, në kohën kur një grup gazetarësh e vështronin tinëzisht shefen e tyre të re. 

“Zyra u gjallërua vetëm pas orës 10 e 30”, i tha Abramson Aulettas dy vjet më parë. 

Dy vjet më pas Jill Abramson është ulur përsëri përballë Ken Auletta, kolumnistit të gazetës The New Yorker, jo më për të folur për ditën e parë të punës, por për dy vjetët e qëndrimit në krye të New York Times. 

Ajo është shfaqur e lirshme dhe e qetë në intervistën e 5 tetorit për edicionin e 214-të të The New Yorker Festival, një ngjarje ku njerëz të famshëm dalin përballë gazetarëve të njohur dhe një salle me publik. Festivali i tillë zgjat tri ditë. 

Sipas Abramson, The New York Times ka krijuar një mënyrë të re leximi dhe prezantimi të shkrimeve, duke shfrytëzuar platformat digjitale. 

Ajo e sheh përdorimin e grafikave dhe videove emocionale si një afrim më të madh të lexuesit me gazetën. Teknologjia moderne thotë se ka krijuar risi. 

Kur pyetet për dështimet e New York Times-it merr frymë thellë, mendohet gjatë dhe i kujtohet Lufta e Irakut. Thotë se gazeta nuk e ka mbuluar mirë, këtë ngjarje të nisur në vitin 2003. Në atë kohë Abramson ishte shefe e zyrës së gazetës në Washington. 

Ajo dështimin e konsideron ekipor, jo individual. 

“Është e rrezikshme të jesh rob i burimeve tua”, thotë ajo në intervistë. Kjo i kishte ndodhur gazetës së njohur amerikane gjatë luftës së dytë në Gjirin Persik. E para ishte po ashtu një sulm ndaj Irakut në vitet ‘90-’91. 

Kur merresh me çështje për të cilat ka mendime të ndryshme, duhet ta mbash një vesh hapur për ata që nuk mendojnë si ti, ndërsa kanë fakte për këtë, thotë Abramson për atë që ka mësuar nga gabimet e mbulimit të ngjarjeve rreth Irakut. Lufta në Irak u konsiderua e përfunduar nga amerikanët vetëm në vitin 2011. 

Dështime më të reja të New York Times, asaj nuk i kujtohen.

Auletta dhe Abramson kur lënë New York Times, nisin të flasin gjatë të shtunës për administratat e ndryshme që kanë qeverisur Amerikën, duke u ndalur te skandali i njohur si Pentagon Papers, kur dokumente sekrete për luftën në Vietnam u publikuan në New York Times në vitin 1971. 

Bashkëbiseduesit i lidhën rrjedhjet e dikurshme të sekreteve me këto të tashmet, të publikuara nga Eduard Snowden në maj të 2013-ës dhe më vonë gjatë këtij viti, në kohën e administratës së Obamas. Rrjedhje të tilla pati edhe në vitin 2006, gjatë administratës së George W. Bush, kur WikiLeaks, organizata jofitimprurëse me uebfaqen fillestare të regjistruar në Islandë, publikoi dokumente të fshehta. 

Abramson, gjatë intervistës, u pyet se a është më e keqe administrata e Bushit, a e Obamas. 

Redaktorja e New York Times-it nuk deshi të flasë se cila nga këto administrata është më e keqe, por u kap për faktet, duke treguar se administratës së Obamas që qeveris Amerikën nga viti 2009, i kanë rrjedhur paligjshëm dokumente sekrete në shtatë raste dhe ajo ka nisur hetimet për to.

“Ky është numri dyfish i [skandaleve] i të gjitha administratave së bashku”, tha Abramson. 

Auletta më pas e provokoi edhe personalisht krijuesen e politikave redaktuese të New York Times-it. I tha se redaktorët, pasi duhet të marrin vendime të vështira, perceptohen si jo të mirë. 

“Po, pak”, ishte përgjigjja e shkurtër e Abramsonit, mes arsyetimeve për të kundërtën. 

Abramson nuk u ndie fort mirë kur kolumnisti i the New Yorker-it, në fund të intervistës, kërkoi nga ajo shpjegime, pse gazetat, mes tyre edhe New York Times, përdorin teorinë e gjasave, teorinë e qëllimit me hamendje, ose të ashtuquajturën teorinë e garës së kuajve. 

“A mund të shkoj në shtëpi tash. Jam ngritur në orën tetë e gjysmë të mëngjesit të së shtunës për të ardhur këtu”, u përgjigj Abramson. 

Shkrimi bazohet në raportimet e The New Yorker