Fshati i goranëve e sheh të ardhmen e tij në traditën e skive

Kur filloi lufta e Kosovës në vitin 1999, fshati i Shishtavecit në Shqipëri, i cili ndodhet vetëm tre kilometra nga kufiri, u pushtua nga reporterët e luftës dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare.

Disa përfaqësues të OSBE-së, të ndodhur aty për monitorimin e konfliktit dhe fluksit të refugjatëve nga Kosova, vunë re se të rinjtë e Shishtavecit ishin shumë të zhdërvjelltë në ski, por u mungonin pajisjet e nevojshme për praktikimin e këtij sporti.

Një vit më vonë, pas përfundimit të luftës në Kosovë, OSBE solli 200 palë ski profesionale në Shishtavec për organizimin e një kampionati mes dy vendeve. Kështu lindi dhe Klubi i Skive Shishtavec.

Sot klubi numëron rreth 20 atletë profesionistë, të gjithë anëtarë të Federatës Kombëtare Shqiptare të Skive. Ylli vendas i skive, Lirim Haxhiu, është renditur si kampion kombëtar gjatë gjashtë viteve të fundit.

Babai i Lirimit, Sami Haxhiu, është presidenti i klubit vendas të skive. Pavarësisht mungesës së fondeve për zhvillimin e këtij sporti në kushte optimale, Samiu thotë se skitë mbeten pasioni i tij më i madh, ashtu si dhe ofrimi i një mundësie alternative për të rinjtë e këtij fshati të thellë dhe të izoluar malor.

“Bora gjatë dimrit këtu na izolon krejtësisht,” thotë Samiu. “Në vend që të harxhoj kohën në shtëpi apo kafene, unë trajnoj gjeneratën tjetër të skiatorëve,” shton ai.

Shishtaveci është vetëm 27 kilometra nga qyteti i Kukësit, por rruga deri aty merr një orë e gjysmë me makinë.

Vetëm tre kilometrat e parë të rrugës për në këtë fshat janë të shtruar dhe gjatë dimrit kalimi shpesh bllokohet për shkak të borës.

Atëhere, në fshat mund të arrihet vetëm me fuoristrada ose furgona, të cilët transportojnë pasagjerët nga Kukësi në fshat dhe e kundërta.

Katër nga shtatë fshatrat e kësaj komune janë të banuara nga komuniteti i goranëve. Njëri prej tyre është Shishtaveci.

Goranët, që do të thotë ‘malësorë’, janë një grup etnik serbësh myslimanë të cilët banojnë në zonën e Gorës, që gjendet mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ata vlerësohet të jenë një popullsi prej 60,000 vetësh dhe flasin një dialekt sllavo-jugur, të quajtur NaSinski.

Tradita e skive në Shishtavec daton që në fillim të viteve ’50. Gjatë regjimit komunist, kampionati kombëtar i skive mbahej një vit në Shishtavec dhe një vit në fshatin juglindor të Voskopojës, afër Korçës.

Kjo traditë vazhdon në Shishtavec dhe gjatë dimrit aty organizohen kampionate të ndryshme për të rinjtë ose atletë nga zonat e Kukësit.

“Pa pjesëmarrjen e klubeve të skive të Shishtavecit dhe Mborjes [një tjetër fshat i të njëjtës komunë], kampionati kombëtar i skive nuk do të kishte asnjë kuptim,” thotë Ilirian Çule, sekretar i Federatës Shqiptare të Skive.

Në klubin e skive të Sami Avxhiut shumica e atletëve janë djem, por ka dhe disa vajza vendase që ndajnë të njëjtin pasion.

Avxhiu merr një rrogë të vogël nga federata kombëtare për pesë muaj në vit, por ai thotë se duhen shumë më shumë investime për të zhvilluar këtë sport, që për më shumë është i kushtueshëm.

Bashkëfshatarët e Samiut që takuam rrugës për në banesën e tij modeste thanë se ai ka sakrifikuar shumë për t’iu dedikuar me kaq pasion klubit të skive të fshatit.

Megjithëse djali i Samiut, Lirimi, është kampioni kombëtar i skive, në Lojrat Olimpike Dimërore në Sochi, Shqipëria u përfaqësua nga një skiator që jeton në Itali.

“Lirimi nuk i plotëson normat për të marrë pjesë në evente të tilla sepse ai bën ski vetëm në Shqipëri,” thotë Çule.

Shkelqim Mema, kryetar i Federatës Shqiptare të Skive, thotë se duke qënë se Lirimi nuk flet gjuhë të huaja ai nuk mund të përfitojë nga mundësitë që mund t’i ofrohen jashtë vendit.

“Federata Botërore e Skive ofron trajnim për atletët e rinj, por ne nuk mund të dërgonim Lirimin sepse ai ka nevojë për një përkthyes,” tha Mema.

I zhgënjyer nga federata, Samiu i ka varur shpresat tek bashkëfshatari i tij, Gani Pashaj, i cili po investon në këtë sport dhe në potencialin e zonës për turizëm dimëror.

Pashaj ka punuar për vite në Slloveni si emigrant, ku ka mësuar si të transformojë sportin e skive në një biznes fitimprurës.

Ai i bleu fshatit makinën e parë të borës për të niveluar pistat e skive, disa motorë bore dhe një funikular të vogël me anë të së cilit skiatorët ngjiten në majën e malit Kallabak, në lartësinë 2,174 metra.

Pashaj planifikon gjithashtu të sjellë në fshat një ndërtesë druri, të ndërtuar në Slloveni, e cila do të instalohet lart në mal dhe do të shërbejë si restorant, duke ofruar një pamje të mrekullueshme të luginës.

Adem Sokoli, një ekspert turizmi në komunën e Shishtavecit, thotë se planet e Pashaj janë në linjë me strategjinë lokale të zhvillimit, e cila synon ta transformojë zonën në një pikë turizmi dimëror.

Komuna ka trajnuar tashmë 17 familje në Shishtavec dhe tetë të tjera në fshatin e Mborjes për ngritjen e bujtinave, thotë ai. Shtëpia e tij është njëra prej tyre.