Boshnjakë nga Srebrenica në film. Foto: Deblokada.ba

Filmi për Srebrenicën tregon historinë e mbijetesës së një nëne gjatë gjenocidit

Përvoja e grave gjatë gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995 është fokusi i filmit “Quo Vadis, Aida?”, një dramë e fuqishme me të cilin Bosnja dhe Hercegovina do të përfaqësohet për kategorinë Filmi më i mirë ndërkombëtar me metrazh të gjatë në çmimet Oskar të vitit të ardhshëm, raporton BalkanInsight.

“Europë, Bosnjë, korrik 1995.”

Këto janë fjalët që hapin “Quo Vadis, Aida?” të Jasmila Zbaniç, një film artistik që flet për një grua boshnjake të quajtur Aida (luajtur nga Jasna Djuriciç), një përkthyese për Kombet e Bashkuara në Srebrenica, e cila po përpiqet të shpëtojë familjen e saj pas rënies të qytetit në korrik 1995 nga forcat e udhëhequra nga gjenerali serb i Bosnjës Ratko Mlladiç (i luajtur nga Boris Isakoviç).

Ndryshe nga filmat e mëparshëm të regjisores, të cilët kanë trajtuar kryesisht temën e luftës nga një perspektivë e pas konfliktit, kjo histori shpaloset në vitin e katërt të armiqësive, katër muaj pasi lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç nënshkroi të ashtuquajturën “Direktiva 7”, e cila urdhëroi trupat e tij “të krijonin një situatë të padurueshme pasigurie totale, pa shpresë për mbijetesë ose jetë të mëtejshme për banorët e Srebrenicës ose Zepës”.

Direktiva u realizua me Operacionin Krivaja ‘95 të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili përfundoi në masakrimin e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica.

Shumë filma janë përqendruar te lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, por “Quo Vadis, Aida?”” është filmi i parë me metrazh të gjatë që trajton gjenocidin e Srebrenicës dhe është simbolike që ai u shfaq në vitin që u përkujtua 25-vjetori i masakrave.

Ai vendos një ekuilibër midis vërtetësisë – filmi kryesisht paraqet fakte të përcaktuara nga gjykata për gjenocidin e Srebrenicës – dhe nevojës artistike për të përcjellë një mesazh të fortë. Zbaniç përdor personazhe që bazohen në njerëz të vërtetë, si Ratko Mlladiç, ose komandantët e Kombeve të Bashkuara Thomas Karremans dhe Robert Franken, por krijon të tjerë për të përfaqësuar fatin e mijëra boshnjakëve që vuajtën.

Megjithatë, ky nuk është një film tipik lufte, por një dramë personale për një nënë që përpiqet të shpëtojë fëmijët e saj.

Siç sugjeron edhe vetë titulli (“Ku po shkon, Aida?”), në qendër të filmit është lëvizja: Aida endet nëpër bazën e trupave paqeruajtëse holandeze të Kombeve të Bashkuara në Potocari, afër Srebrenicës, e cila shërbeu si një pikë takimi për boshnjakët që përpiqeshin të shpëtonin nga Ushtria Serbe e Bosnjës, duke shkuar nga një oficer te tjetri, duke kërkuar ndihmë për familjen e saj dhe për civilët e tjerë të tmerruar.

Ajo ndon së së lëvizuri vetëm kur burri dhe djemtë e saj ndahen nga ajo nga trupat serbe të Bosnjës në mënyrë që t’i largojnë që aty dhe ushtarët holandezë nuk e lejojnë atë t’u bashkohet atyre.

Duke shkruar për filmin për revistën amerikane Variety, Jessica Kiang e krahasoi atë me “Sophie’s Choice”, një dramë e vitit 1982 që flet për një nënë hebreje të dy fëmijëve e cila është e burgosur në një kamp përqendrimi nazist dhe duhet të zgjedhë midis jetës së dy fëmijëve të saj.

Në filmin e Zbaniç, ndërsa Aida sheh të dashurit e saj për herë të fundit para se ata të dorëzohen te forcat serbe të Bosnjës, ajo u kërkon ushtarëve holandezë të shpëtojnë të paktën një nga fëmijët e saj.

Boshnjakë nga Srebrenica në film. Foto: Deblokada.ba

Frikë dhe mohim

“Quo Vadis, Aida?” tregon gjithashtu se gjenocidi nuk ndodh në një vakum – dëshmitarët dhe autorët e tij, dhe ata që rrinë duarkryq dhe thjesht shohin atë që po ndodh, janë të ashtuquajtur njerëz “normalë”.

Në film, një grup boshnjakësh nga Srebrenica qëllohen për vdekje në një shkollë fillore ndërsa fëmijët luajnë futboll në oborrin e shkollës dhe prindërit e tyre shijojnë një ditë të nxehtë vere në tarracat e tyre. Fqinjët e atyre që po vriten sillen pothuajse sikur nuk po ndodh asgjë, ose kthejnë kokën nga ana tjetër nga frika ose mohimi.

Në sfond nuk ka muzikë, vetëm tingujt e luftës, derisa një skenë pas konfliktit në të cilën Aida është kthyer për të punuar si mësuese në qytetin e saj të lindjes Srebrenicë dhe vë në skenë një pjesë simbolike në të cilën nxënësit e saj mbajnë duart mbi sytë e tyre, ndërsa prindërit, disa prej të cilëve janë kriminelë lufte, ulen duke i parë në audiencë.

Skena nxjerr në pah se si autorët e krimeve vazhduan jetën e tyre në liri dhe gëzojnë pandëshkueshmëri ndërsa të tjerët mbyllin sytë ndaj së vërtetës – por gjithashtu se si shkollat ​​nuk duhet të jenë vende ku vriten njerëz, por vende ku merren njohuri, mësohet historia dhe respekti i ndërsjellë.

Personazhi i Aidës përfaqëson të gjitha nënat e viktimave të Srebrenicës dhe në të vërtetë i kushtohet “Nënave të Srebrenicës”, grupit që ka bërë fushatë në emër të viktimave të gjenocidit.

Pavarësisht kësaj, 25 vjet pas Srebrenicës, mohimi mbetet i përhapur në rajon. E vërteta e konfirmuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe gjykatat vendase në ish-Jugosllavi nuk është bërë kurrë e vërteta zyrtare në rajon.

Artistët që marrin pjesë në projekte të pajtimit shpesh quhen tradhtarë nga nacionalistët në rrjetet sociale ose nga mediat pro-qeveritare në entitetin e Republikës Srpska të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës dhe në vetë Serbi.

“Ajo që na bënë të tjerët” është ende thelbi i narrativës dominuese dhe “Quo Vadis, Aida?” tashmë është përshkruar si propagandë anti-serbe nga mediat pro-qeveritare në Serbi.

Por nuk është kështu. Ai është në të vërtetë një arritje shumë e guximshme e cila, ashtu si skena në shkollë, përpiqet të tregojë tmerrin e gjenocidit të Srebrenicës dhe pandëshkueshmërinë që gëzojnë akoma disa nga autorët e krimit, ndërsa u bën thirrje shikuesve të mos i mbulojnë sytë para të vërtetës.

“Quo Vadis, Aida?” pati premierën në internet javën e kaluar në Kino Meeting Point, ku mund të shikohet deri më 3 janar.

Filmi do të shfaqet gjithashtu më 10 dhjetor në Festivalin e Filmit FAST FORWARD për të Drejtat e Njeriut në Malin e Zi në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.