Fakulteti Elektroteknik Pa Drita

Ndonëse ka 50 vjet punë, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës nuk ka kapacitet as për të pasur llamba elektrike për vete.

Korridoret dhe sallat e departamentit të elektronikës janë në terr të plotë pasditeve ose mbrëmjeve, kur nuk ka diell. Arkitektura e ndërtesës së fakultetit bën që terri të mbretërojë aty edhe ditën. 

“Sikur për 50 vite nga një inxhinier i diplomuar të rregullonte nga një dritë, tash këto korridore nuk do të kishin këtë problem”, tha me ironi H.B., një student i këtij fakulteti, duke folur për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Që prej fillimit të punës së tij deri më 2010, në FIEK kanë diplomuar 1.783 inxhinierë dhe 369 bachelorë. Fakulteti tash ka gjashtë departamente.

Dekanja Myzafere Limani thotë se ndonëse e dinë për problemin e dritave, “korridoret dhe nyjet sanitare nuk janë nën administrimin tonë”.

“Kemi investuar 500 gypa të neonit mirëpo ato janë thyer…dhe një punëtor ishte larguar”, tha ajo. “Dritat në zyrën time janë që prej fillimit kur është hapë fakulteti, asnjëherë nuk janë thyer”.

Limani shton se disa herë janë dërguar ankesa në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), por kërkesat për rregullimin e dritave nuk janë marrë parasysh.
 
Studenti H.B. thotë se në fakultet duhet të ndërrohen edhe radiatorët e nxehjes pasi i ftohti nuk po lejon mësim adekuat për studentët gjatë sezonit të dimrit. “Mund ta merrni me mend se ç’ftohtë mbretëron në sallat e këtij fakulteti”.

Studenti A.A. është ankuar për laboratorët me pajisje shumë të vjetruara që nuk u mundësojnë studentëve të marrin përvoja dhe të bëjnë eksperimente me teknologjitë më të reja. 

“Për shembull, transistori që ne përdorim është i madh sa një karrige, kurse teknologjia e re e transistorëve ka arritur të bëjë që ai të jetë shumë i vogël”, tha ai.

Dekanja Limani sfidon këtë opinion të studentëve duke insistuar se teknologjia është e re dhe laboratorët të pajisur mirë.

foto
Labrorator në FIEK

Por ajo u jep të drejtë atyre në ankesën që kishin ndaj profesorit Bernard Nika i cili, sipas këtyre studentëve, në semestrin vjeshtor ligjëratën e parë kishte mbajtur tek më 28 Nëntor dhe në po atë ditë ishte munduar që t’i kompensojë ligjëratat e humbura nga 1 tetori.

“Një veprim të tillë ne nuk mund ta arsyetojmë”, tha dekanja Limani.

Por, sipas studentëve, vet dekanja gjatë vitit të kaluar nuk kishte shkuar asnjëherë në ligjërata. Limani e pranon këtë mungesë duke u arsyetuar se kishte qenë në udhëtime të cilat nuk do të kishin mundur të realizohen pa prezencën e saj.
 
“Në këto udhëtime kam qenë për të bërë marrëveshje me disa universitete europiane për projektin e ngritjes së studimeve të programit të masterit”, tha Limani.

“Unë dyshoj që studentët kanë pas dëshirë të më shohin mua në këto ligjërata, e nëse është ashtu më vjen keq që nuk kam mundur të jem prezente. Por, e kam pas asistentin tim Fidel Krasniqi i cili ka ligjëruar lëndën time”.

Studentët thonë se Fidel Krasniqi kishte ardhur asistent tek në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Dekanja Limani insiston se shumica e problemeve e kanë një emërues të përbashkët – numrin e madh të studentëve.

“FIEK’u ka mundësi të pranojë vetëm 300 studentë dhe të punojë me ta, mirëpo viteve të fundit po na imponohet të pranojmë 500 studentë”, thotë Limani. “Kjo po e vështirëson punën tonë”.

Megjithatë, përderisa dikur konkurrenca për t’u regjistruar në FIEK ishte 4 me 1, sot është 1 studentë  për  2 vende – gjë që flet për gjendjen e këtij fakulteti.