Eqrem Kryeziu

“Magjistari” i ricikluar

Eqrem Kryeziu, kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Prizrenit dhe kryetari i këtij qyteti me këtë subjekt, për shtatë vjet, në periudhën 2000-2007, në Emisionin Zgjedhjet Lokale 2013, gjatë dy minutave të dedikuar për ta shpalosur programin e tij, foli për keqqeverisjen e pushtetit aktual, ndërsa mosardhjen e kryetarit Muja në debat, e quajti kalim të pushtetit komunal në ilegalitet. 

Ai i konsideroi të turpshme veprimet e atyre që aktualisht drejtojnë qytetin, veprime para të cilave, sipas tij, prizrenasit ulin kokën. 

I njohur për filozofinë e tij të veçantë, ai tha se ekzekutivi i Prizrenit, ka bërë hapa gaforreje. 

“Në qoftë se ka dikund në botë një fenomen i ashtuquajtur i gaforres që ec mbrapa, atëherë është ky pushtet lokal në Prizren që ka shku dhjetë hapa mbrapa, e ndoshta një përpara”, tha Kryeziu, duke folur për administratën e Mujës, nga i cili u mposht në vitin 2007. 

Por, kur u pyet direkt se çfarë mendon për tre kandidatët për kryetar të Prizrenit, që i munguan këtij debati, Kryeziu përsëri u përgjigj “me rrotlla”, duke i ikur deklarimit. 

“Do ta kisha për nder të jem përfaqësues i këtyre tre zotnive, por pasi jam aq i vogël sa nuk mund të jem përfaqësues i tyre, nuk po deklarohem”, tha Kryeziu, për të shtuar se po garon për “t’u bërë përfaqësues i miletit”. 

Debatit për Prizrenin, më nëntë tetor, i munguan Ramadan Muja, kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të kësaj komune nga PDK-ja, Pajtim Kosova i Partisë së Drejtësisë dhe Fadil Kryeziu nga Nisma Qytetare për Prizrenin. 

Eqrem Kryeziu, pa sqaruar nëse e ka kushëri të afërt Fadilin, tha se kryezinjtë janë fifti-fifti, pasi njëri prej tyre, vetë ai, është në debat. 

Kryeziu premtoi se “do të bëjë mrekullina”, për furnizimin me ujë të pijes së prizrenasve, duke shtuar se gjatë kohës së qeverisjes së tij, Prizreni nuk ka vuajtur për ujë. 

Ai gjatë mandatit katërvjeçar premtoi ujë të pijes për qytetin e dytë më të madh në Kosovë, pavarësisht se sa ia do të zgjerohet. 

Por Kryeziut i humbi pak humori, megjithëse e fshehu tensionimin, kur u pyet për përgjegjësinë personale lidhur me djegien e një pjese të kuvendit komunal të Prizrenit, ku ruheshin dokumentet kadastrale. Kjo ngjarje ndodhi në tetor të vitit 2007, më pak se një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në të cilat Kryeziu e humbi pushtetin. 

Ai me ironi kërkoi proces gjyqësor kundër tij për këtë djegie, pasi tha se që gjashtë vjet po e mbajnë përgjegjës për këtë gjë. “Ky është vendnumërim, mirëpo prapë është më mirë se gaforrja”, tha ai. 

Kryeziu gjatë mbrojtjes së tij, përmendi kundërkandidatin e Bashkimit Demokratik të Prizrenit, Zafir Berishën, atëherë pjesë e PDK-së, ta ketë quajtur Neron për shkak të kësaj djegie, për të cilën fjalë, sipas Kryeziut, Berisha ishte qortuar nga qendra e partisë së tij të atëhershme në Prishtinë. 

Neroni ishte perandor romak që mendohet se në vitin 64 para erës sonë, dogji kryeqytetin e perandorisë-Romën.

Kryeziut nuk i mungoi ironia, as ku u pyet se pse villa e tij në Prevallë, dallon nga objektet tjera të pushimit, të vendosura në fshatin turistik. 

“Po më vjen mirë që ja kam arritë me qenë njëfarë provokuesi i ideve arkitektonike”, tha Kryeziu, duke mos dhënë përgjigje konkrete për devijimin nga plani rregullues i ndërtimeve në Prevallë. 

Villa e tij ka formë futuristike dhe elemente nga xhami, për dallim nga shumica e të tjerave që u gjasojnë shtëpive dykatëshe kudo nëpër Kosovë. 

Njeriu që sipas familjarëve di të tregojë batuta të mira, ka bërë shaka edhe me vetveten, duke provuar përsëri garën për të parin e Prizrenit, edhe pse vetë e kishte demantuar një rikandidim të tillë. 

“ Nuk ma merr mendja se do të isha zgjidhja e mirë për kandidat për kryetar të Prizrenit. Nëse e kam lansuar tezën se riciklimi është një rrezik i konstituimit të fiseve të tribalizmit e bajraktarizmit në Kosovë,  se unë isha njëherë, e prapë dua të bëhem. Nëse unë e kam thënë se kjo është rrezik, si ta mohoj vetveten?”, i tha Kryeziu gazetës Bota Sot në qershor.

Mirëpo në shtator, pas hyrjes në garë për të tretën herë, duke mos u ndarë nga humori dhe sharmi, Kryeziu, kishte deklaruar për media “Riciklimin politik e kam imponuar unë në skenën politike të Kosovës. Ka diçka të vërtetë në fenomenin e riciklimit. Në këtë rast, bëhet fjalë për fosilizim ose riciklim. Natyrisht se secili njeri normal do të votonte për riciklim, e jo fosilizim. Siç e dini fosilizimi është kur mbetet vetëm skeleti dhe asgjë tjetër në atë pozicion.”

Me fosilizim ai nënkuptonte kryetarin aktual Ramadan Mujën që ka mbushur 74 vjet. 

Doktori i shkencave filologjike dhe autori i dy veprave shkencore “Poetika e Skiroit” dhe “Metafizika e Naimit”, në Prizren si person që lexon shumë ndërsa bën pak gjumë.

Edhe gruaja e tij Nurishahu, tha se Kryeziu “tërë natën lexon”, kur foli për bashkëshortin në Emisionin Zgjedhjet Lokale 2013, ndërsa pamjet nga shtëpia e tij në Lagjen Ortakoll të prizrenit, shfaqnin një bibliotekë personale, të pasur me libra.

Ajo tregoi se Kryeziun e kishte pasur profesor, ndërsa ishte njohur me të derisa ishte maturante. 

“Materialist nuk është fare, edhe ashtu nuk mban kurrë para në xhep, m’i lyp mua nga një euro, thotë një kafe të dal ta pi. As nuk shkon me marrë rrogën, as nuk e di sa e ka rrogën, unë i marr, unë i shpenzoj, unë i jap pare për cigare, se qato cigare i shpenzon”, tha Nurishahe Kryeziu, për bashkëshortin e saj. 

Këtyre fjalëve, kandidati i LDK-së iu përgjigj me fjalët “pasi gruaja u tregua e sinqertë, mua më duhet të gënjej pak”. 

Eqrem Kryeziu, edhe pse ka leje të vozitjes, sipas gruas së tij nuk vozit asnjëherë, ndërsa fqinjët edhe pse e konsiderojnë të sjellshëm, ankohen se nuk i viziton asnjëherë.