Digjitalizohet Lajmërimi i Seancave Gjyqësore

Gjykata Komunale e Lipjanit, nga kjo javë, ka filluar ta bëjë lajmërimin e seancave gjyqësore në mënyrë elektronike.

Në hyrje të kësaj gjykate është vendosur një ekran, në të cilin shfaqet orari i të gjitha seancave që janë planifikuar të mbahen gjatë një jave. Këtë e mirëmban dhe e freskon me informata të reja, recepsionisti i kësaj gjykate.

Fatmir Jusufi, recepsionist i kësaj gjykate, tha se kjo formë e lajmërimit të seancave gjyqësore ka mundësuar që qytetarët të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në këto seanca të njoftohen shumë më lehtë.

Sipas tij, më herët qytetarët duhej të shkonin deri në kat të dytë dhe të shikonin nëse ka ndonjë seancë, ndërsa tani këtë informatë e marrin posa ta hapin derën e gjykatës. Ndërsa sa i përket përdorimit të këtij sistemi ai tha se vetëm një ditë është trajnuar për këtë program dhe tashmë e ka shumë të lehtë të punojë me të.

Ky projekt i cili do të përfshijë 31 gjykata komunale dhe te qarkut të vendit  është mundësuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.