“Digjitalizohet” Gjykata e Qarkut në Prizren

Deri më tani, kjo gjykatë seancat gjyqësore i ka lajmëruar në tabelën e shpalljeve, të cilat janë plotësuar me dorë. Kjo bënte që në të shumtën e rasteve, seancat nuk lajmëroheshin fare.

Tani, gjykimet lajmërohen përmes monitorit, i cili është i vendosur në korridor, në hyrje të gjykatës. Aty jepen informata për të gjitha seancat që janë paraparë të mbahen brenda ditës, duke përfshirë këtu: numrin e lëndës, gjykatësin, të akuzuarit, orën dhe vendin e mbajtjes së gjykimit.

Ymer Hoxha, kryetar i Gjykatës së Qarkut, u lavdërua se janë gjykata e parë në Kosovë që e aplikon këtë sistem. “Këtë shembull duhet ta ndjekin edhe gjykatat e tjera”, tha ai.

Në fakt, në Gjykatën Komunale të Ferizajt, lajmërimi i seancave në mënyrë elektronike ka nisur që nga 1 shkurti.

Në Prizren, në një objekt janë të vendosura gjykata e qarkut dhe ajo komunale, mirëpo aplikimi i këtij sistemi ditën e hënë ka filluar vetëm në Gjykatën e Qarkut.

Nexhibe Bala, administratore e Gjykatës Komunale, paralajmëroi se edhe ata do të fillojnë shumë shpejt me sistem elektronik. “Besoj që nga dita e nesërme do të bëhet lajmërimi i gjykimeve edhe të gjykatës komunale, sepse formularët të cilët duhet të plotësohen nga sekretaret juridike të çdo gjykatësi, kanë mbërritur sot nga KGjK-ja”, tha Bala.

Deri më tani, seancat gjyqësore janë lajmëruar në tabelën e shpalljeve përmes referentëve, ndërsa tani plotësimi i formularëve do të bëhet nga sekretaret juridike gjyqësore. Ndërsa obligimin për shpalljen e seancave gjyqësore ne monitorë do ta ketë recepcionisti.