Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët e frikësuar rrezikojnë gjyqin në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Dëshmitarët në gjyqin e profilit të lartë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq kanë hezituar të përmendin të dyshuarit ose kanë ndryshuar dëshmitë e tyre për grupet e organizuara kriminale, me sa duket nga frika e hakmarrjes.

“Nuk i kam premtuar askujt se do ta ndryshoj deklaratën time, por nuk jam aq i çmendur sa të rrezikoj familjen time”, tha një dëshmitar në gjyqin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 24 nëntor të vitit të kaluar.

Dëshmitari tha se donte ta ndryshonte deklaratën e tij fillestare sepse kishte frikë, duke shpjeguar se ekziston një “ligj jozyrtar heshtjeje” në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, ku Ivanoviqi u vra në janar 2018, dhe se ai bëri një gabim duke u përfshirë në procesin ligjor.

Që nga fillimi i gjyqit për vrasjen e Ivanoviqit, gazetarët dhe monitoruesit e gjykatës që kanë ndjekur procedurat e ndjeshme politikisht janë mësuar të dëgjojnë dëshmi të ngjashme nga dëshmitarë që thonë se kanë shumë frikë të përsërisin dëshminë që kanë dhënë fillimisht gjatë hetimit të rastit – dhe se kanë shumë frikë të thonë emrat e organizatorëve të dyshuar të vrasjes së politikanit.

Përveç dëshmitarëve të frikësuar, sistemi i drejtësisë së Kosovës ka pasur probleme me të dyshuarit që janë në arrati, mungesën e bashkëpunimit nga autoritetet në Serbi dhe akuza se prokuroria nuk e ka trajtuar siç duhet procedurën duke u fokusuar në një të dyshuar që madje nuk është as në gjyq.

Nuk është e qartë se sa do të zgjasë gjyqi, apo nëse dëshmitarët do të hedhin dritë mbi vrasjen e Ivanoviqit para zyrave të partisë së tij politike në pjesën veriore me shumicë serbe të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Por një gjë është e qartë: ngurrimi për të konfirmuar deklaratat e mëparshme, frika për të përmendur emrat dhe kërkesat e disa dëshmitarëve për të ndryshuar dëshmitë e tyre janë bërë temë e gjyqit.

Dëshmitari që u paraqit më 24 nëntor tha se ai nuk i qëndron dëshmisë së tij të mëparshme, duke shpjeguar se “Unë kisha thënë se qeveria serbe është përgjegjëse për vdekjen e Ivanoviqit, por sot nuk kam të njëjtin mendim… Unë jetoj në Mitrovicën e Veriut dhe fëmijët e mi duhet të vazhdojnë shkollimin në Beograd”.

Nga 11 dëshmitarët që kanë dëshmuar deri më tani, vetëm dy i kanë qëndruar plotësisht dëshmive të tyre fillestare të dhëna dy deri në tre vjet më parë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, në të cilat ata përmendnin anëtarët e dyshuar të grupeve kriminale nga veriu i Kosovës me shumicë serbe.

Në kohën kur u vra, Ivanoviqi, kreu i partisë politike Liri, Demokraci, Drejtësi, ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit, e cila ka ndikim të madh mbi serbët e Kosovës. Ai ishte ankuar gjithashtu për fuqinë e bandave serbe të krimit të organizuar në Mitrovicë – njerëz që ai i përshkroi si “bullizues dhe gangsterë lokalë”.

Aktakuza në këtë rast akuzonte rivalin politik të Ivanoviqit, Milan Radojiçiq, një biznesmen i fuqishëm dhe nënkryetar i partisë politike Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, si kreun e grupit kriminal që organizoi vrasjen, së bashku me një biznesmen tjetër serb të Kosovës, Zvonko Veselinoviq. Të dy mohuan çdo përfshirje dhe asnjëri nuk është në gjyq.

Në një intervistë me BIRN jo shumë kohë para vdekjes së tij, Ivanoviqi e përshkroi Radojiçiqin, një pronar kompanie kamionësh dhe mbledhës borxhesh, si mbajtësin e vërtetë të pushtetit në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Ivanoviqi kishte thënë gjithashtu disa herë para se të vritej se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime.

Lidhjet politike të nivelit të lartë të Radojiçiqit në Beograd e kanë bërë çështjen edhe më të ndjeshme politikisht. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç madje deklaroi në korrik 2019 se Radojiçiqi është i pafajshëm. “Milan Radojiçiq nuk është lule, por ai nuk ka marrë pjesë në asnjë mënyrë në vrasjen e Ivanoviqot”, tha Vuçiç.

Në shenjë se sa afër është Radojiçiqi me lidershipin serb, ai u fotografua i ulur pranë Vuçiçit në një takim në Beograd më 23 mars.

Në gjyq, katër të pandehur – Marko Rosiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara dhe Nedeljko Spasojeviq – akuzohen për nxitje të vrasjes, dhe dy policë, Dragisha Markoviq dhe Zarko Jovanoviq, akuzohen për manipulim të provave.

Prokurori fillestar në rastin Ivanoviq, Sylë Hoxha, dhe avokatët e të pandehurve duket se pajtohen se dëshmitarët janë kanosur dhe madje kanë frikë për jetën e tyre sepse ata jetojnë në veri të Kosovës, ku u vra Ivanoviqi dhe ku një tjetër politikan, Dimitrije Janicijeviq u qëllua për vdekje katër vjet më parë. Vrasësit e Janicijeviqit nuk u sollën kurrë para drejtësisë.

Presion i dyshuar nga grupet kriminale

Aleksandër Vuçiç takon përfaqësues të serbëve të Kosovës, përfshirë Milan Radojiçiqin (në anën e djathtë të Vuçiçit) më 22 mars.Foto: Aleksandar Vucic/Instagram.

Ndërsa dëshmonte në gjykatë në nëntor, Ksenija Bozoviç, e cila ishte nënkryetare e partisë Liri, Demokraci, Drejtësi të Ivanoviqit, nuk pranoi të përmendte individët – dyshohet se anëtarë të grupeve të organizuara kriminale – për të cilët Ivanoviqi i kishte thënë para vdekjes se po e kërcënonin atë.

“Nëse dikush ju thotë të keni frikë nga grupet e organizuara kriminale, duhet t’ju kishin thënë se nga kush”, i tha kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, Bozoviçit.

Por Bozoviç mohoi që Ivanoviqi të kishte specifikuar se kush po e kërcënonte atë dhe këmbënguli që ajo “nuk ishte nën presion” për të fshehur emrat.

Faruk Korenica, avokati i të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, tha për mediat pas seancës se “dëshmitarja për mendimin tim është shumë e frikësuar dhe nuk po thotë të vërtetën”.

Musa Damati, avokati i të pandehurës Silvana Arsoviq, tha për BIRN se pothuajse në të gjitha dëshmitë e deritanishme “është vënë re një ndryshim në deklaratat e mëparshme, deri diku”.

Më 22 shkurt, dy dëshmitarë shprehën hezitim për të përsëritur dëshmitë e mëparshme në të cilat ata akuzuan anëtarët e supozuar të një bande kriminale serbe për keqbërje.

Dëshmitarja e parë, Radmila Rajçiq, kishte thënë në dëshminë fillestare që ajo dha para hetuesve në dhjetor 2018 se “Ivanoviqi u vra nga i njëjti grup kriminal i udhëhequr nga Milan Radojiçiq” njësoj si djali i saj.

Në gjykatë, megjithatë, ajo nuk pranoi ta përsëriste këtë pretendim. “Nuk jam e sigurt, nuk e mohoj dëshminë time, por ky ishte thjesht mendimi im”, tha ajo, duke pretenduar se ajo që tha më parë ishte e bazuar vetëm në thashetheme.

Dëshmitari i dytë, Dragan Jabllanoviq, nga Partia Serbe e Kosovës (Partija Kosovskih Srba), i cili ishte kryetar i komunës së Leposaviqit me shumicë serbe deri në dhjetor 2017, një muaj para vrasjes së Ivanoviqit, gjithashtu hezitoi të përsëriste dëshminë e tij fillestare nga viti 2019.

Ai kishte përmendur një rast kur ishte penguar të hynte në zyrën e tij nga të paktën pesë persona të paidentifikuar, të cilët i thanë se “Milan Radojiçiq na ka paguar nga 1,000 euro që të mos ju lejojmë të hyni në zyrën tuaj”.

Megjithatë, në gjykatë, Jabllanoviq nuk pranoi të përmendte Radojiçiqin, duke thënë se “nuk më thanë se kush i kishte paguar, por vetëm se ata ishin paguar nga 1,000 euro secili për të më penguar të hyja në zyrë”.

“Presioni që ndoshta është ushtruar nga faktorë të jashtëm mbi disa dëshmitarë” mund të ketë çuar në këtë ndryshim në dëshmi, pohoi Damati.

Edhe dëshmitarët që nuk e kanë ndryshuar dëshminë kanë shprehur frikë për sigurinë e tyre. Aleksandar Jablanoviq, një ish-ministër në qeverinë e Kosovës, tha në gjyqin në shkurt se ai dhe familja e tij kishin jetuar në frikë që nga viti 2015, kur dyshohet se u kërcënua për herë të parë nga Radojiçiqi.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, Jabllanoviqi pretendoi se Radojiçiqi e paralajmëroi atë të “kishte kujdes”, por tha se ai nuk kishte të bënte me vrasjen e politikanit serb të Kosovës.

Milena Ivanoviq, e veja e politikanit, gjithashtu e paralajmëroi Jabllanoviçin, duke thënë: “Kujdes, banditët e vranë Oliverin tim”, dëshmoi ish-ministri, duke thënë se ajo nuk përmendi emra, por se ai e kuptoi se ajo donte të thoshte “Milan Radojiçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi”.

Dëshmitarët nuk arrijnë të inkriminojnë të pandehurit

Hapja e gjyqit për vrasjen e Ivanoviqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 6 korrik 2021. Foto: BIRN.

Emrat e Milan Radojiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit janë përmendur aq shumë herë dhe kanë qenë objekt i kaq shumë pyetjeve të prokurorisë në gjyqin e vrasjes së Ivanoviqit, saqë i ka bërë vëzhguesit të pyesin nëse procedurat gjyqësore në të vërtetë po përdoren si një lloj hetim mbi rolin e dy biznesmenëve serbë në atentat dhe jo si një përpjekje për të dënuar të pandehurit që janë në gjykatë.

“Gjykimi është kthyer në një hetim për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, tha Mahmut Halimi, avokati i të pandehurit Jovanoviq, muajin e kaluar.

Prokurori Burim Cerkini nuk pranoi të fliste për BIRN për gjykimin, por avokatët e të pandehurve vazhdimisht kanë akuzuar gjykatën se ka thirrur dëshmitarë, provat e të cilëve nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me aktakuzën.

Halimi tha gjithashtu se asnjë dëshmitar, deri më tani, nuk ka arritur të ofrojë ndonjë provë domethënëse që vërteton se të pandehurit ishin të përfshirë në krim, dhe argumentoi se prokuroria po përpiqet të përdorë “prova rrethanore” për të “futur një ose më shumë nga të pandehurit në kuadrin e përgjegjësisë”.

Damati, avokati i të pandehurës Arsoviq, tha se secili dëshmitar deri më tani ka thënë se ose nuk e njeh, ose e njeh si sekretare të Ivanoviqit, të cilën ai e respektonte shumë.

“Të gjithë dëshmitarët deri më tani kanë konfirmuar në seancat e gjykimit se nuk e njohin Arsoviqin në asnjë mënyrë inkriminuese”, tha Damati.

Vetëm dy dëshmitarë kanë përmendur të pandehurin Rosiq deri më tani. Njëri prej tyre pretendoi se kishte informacion se Rosiq kishte “ndjekur të ndjerin Oliver Ivanoviq, i kishte vënë flakën makinës së tij dhe se ishte në grupin kriminal të Milan Radojiçiqit”. Makina e Ivanoviqit u dogj në korrik 2017, të cilën ai e përshkroi si një mesazh që synonte ta trembte atë që të largohej nga politika.

Mosbashkëpunimi nga ana e Serbisë pengon hetuesit

Aleksandër Vuçië vendos lule me Milena Popoviq, e veja e Ivanoviqit, në vendin ku ai u vra në Mitrovicë, shtator 2018. Foto: EPA-EFE/DJORDJE SAVIC.

Seancat në gjyq janë mbajtur relativisht rregullisht, me vetëm disa seanca të shtyra për shkak të pandemisë COVID-19, por avokatët janë të përgatitur që procedurat të vazhdojnë për disa vite.

Prokurori Cerkini ka sugjeruar që dëshmitë e disa dëshmitarëve të lexohen në gjykatë për të përshpejtuar procesin, në vend që ata të paraqiten personalisht aty. Shumica e avokatëve janë dakord.

Halimi tha se shumica e dëshmitarëve që nuk janë dëgjuar deri më tani, kryesisht flasin për situatën politike në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe para zgjedhjeve të vitit 2017, kur Ivanoviqi garonte kundër një kandidati të partisë Lista Serbe të mbështetur nga Beogradi për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Ka disa analistë, disa gazetarë investigativë që nuk japin informacione konkrete… por shpjegojnë se vrasja është kryer për arsye politike (për shkak të kundërshtimit të Ivanoviqit ndaj Listës Serbe),” shpjegoi ai.

Disa nga këta dëshmitarë gjithashtu pretendojnë se “Ivanoviqi refuzoi t’i shiste disa godina Radojiçiqit, gjë që krijoi armiqësinë mes tyre që çoi në vrasje”, shtoi ai.

Një nga çështjet kryesore që ka penguar më shumë progres në këtë rast duket se është mosbashkëpunimi i autoriteteve të Beogradit me Prishtinën. Siç ka theksuar Damati, “bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston” sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si të pavarur.

Ish-prokurori në rastin Ivanoviq, Sylë Hoxha, ka thënë se Serbia e ka penguar hetimin fillestar duke refuzuar të bashkëpunojë dhe të dorëzojë prova potencialisht jetike siç janë tabulatet e telefonave celularë.

Një marrëveshje për “ndihmë juridike reciproke” midis Beogradit dhe Prishtinës u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian në vitin 2013, por bashkëpunimi në çështjet penale nuk është ekziston.

Halimi ka shpjeguar se “informacionet janë shumë të kufizuara për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga autoritetet serbe”.

“Nëse do të kishte bashkëpunim nga Serbia, atëherë sigurisht që do të ishin gjetur vrasësit, ata që kontribuuan, ata që e ndoqën Ivanoviqin e kështu me radhë”, tha ai.

Gjyqi për vrasjen vazhdon më 19 prill./Ballkaninsight/