Deputetët Lodhen në Orët e Pasdites

(E plotësuar)

Prej 68 deputetëve prezentë në Kuvend, 62 votuan  pro miratimit  të  Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Kurse, për Projektligjin për aktet normative, nga 68 deputetë të pranishëm, për votuan 62 prej tyre.

Për, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë nga 72 deputetë 69 votuan pro.

Këto tri projektligje nuk u aprovuan paradite për mungesë kuorumi.

Gjatë pasdites përveç votimit të deputetëve për këto tri projektligje, plotësime ligjesh dehe miratime të tyre në lexim të parë, ligjvënësit kosovarë diskutuan edhe për Raportin Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2012.

Kryeparlamentari i Koosvës Jakup Krasniqi, tha se shihet nga aeroplani që RTK-ja është medium i politizuar. Për politizim foli edhe Afrim Kasolli i VV-së që shtoi se RTK-ja ia mban anën qeverisë.

Deputetja e LDK-së Lirie Kajtazi kërkoi të dijë nëse numri i punëtorëve të mediumit publik, i paraqitur në raport është i saktë, duke shfaqur dyshime se mund të ketë punëtorë shtesë që paguhen pa shkuar  në punë.

Në fund raporti nuk e fitoi besimin e deputetëve, pasi 34 prej tyre votuan kundër, ndërsa 27 pro.

Problemet me kuorum u shfaqën edhe më vonë gjatë seancës parlamentare, kur për mungesë deputetësh nuk u miratua Raporti Vjetor i Auditimit për Vitin 2012.

Vazhdimi i seancës është paraparë për të premten në orën dhjetë.

Kuvendi Vazhdon Ecjen e Ngathët

14:49

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të së enjtes, tri projektligje për miratim në lexim të parë i shtyu pas pauzës, sepse nuk kishte kuorum . Kryetari i Kuvendit kërcënoi deputet se nëse nuk kthehen në seancë do t’u ndalen mëditjet.

Edhe pse ishte parë si lehtësim zhbllokimi i Kuvendit të Kosovës, pas heqjes së PTK-së nga rendi i ditës, seanca e së enjtes megjithatë është treguar e ngathët, meqë nuk u arrit të votohen disa ligje, për shkak të mungesës së kuorumit.

Pas miratimit të dy projektligjeve, atij për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent. deputetët filluan ta lëshojnë seancën, duke i zvogëluar kështu numrat e nevojshëm për të krijuar kuorum.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte planifikuar që në këtë seancë të miratonte në parim ndryshimet e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin për aktet normative dhe  plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë.

Megjithë agjendën e ngjeshur dhe pikat e shumta të rendit të ditës, të grumbulluara edhe për shkak të  pushimit që bëri kuvendi gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi u detyrua ta shtyjë votimin pas pauzës, ngase nuk kishte kuorum.

Ai u bëri thirrje deputetëve për prezencë dhe i kërcënoi ata me ndalesa në mëditje.

“Duke marrë parasysh, se për seancën e dytë mbeten të miratohen të tri projektligjet, të cilat u diskutuan deri më tani, u bëj thirrje deputetëve që të jenë prezentë në seancë, se përndryshe nuk do të marrin mëditje”, tha Krasniqi.

Për, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, foli ministri Hajredin Kuçi.

Sipas tij, ndryshimi i këtij projektligji ka tri qëllime.

“Qëllimi i parë është se Ligji ka për qëllim që të harmonizojë legjislacionin kundër korrupsionit në legjislacionin penal në fuqi, përkatësisht në kodin penal dhe kodin e procedurës penale. Së dyti do të përmbushen të gjitha kriteret e kërkuara nga studimi i fizibilitetit, dhe së treti të plotësohen të gjitha kërkesat që kanë bërë agjencionet e ndryshme, si Agjencia Kundër Korrupsion, EULEX-i dhe Prokuroria”, tha Kuçi.

Kurse, sa i përket Projektligjit për aktet normative, Albulena Haxhiu nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes tha se kjo parti nuk do ta votojë këtë projektligj në parim.

“Deri sa ky projektligj nuk i shfuqizon të gjitha aktet e kohës së Millosheviqit, ne nuk do të votojmë as në parim”, tha Haxhiu.

Pas puzës, Kuvendi pritet të formojë dy komisioneve ad-hoc dhe shyrtimin e tri raporteve, prej tyre Raportin Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2012.

Në javën e kaluar, deputetët e grupeve parlamentare opozitare e kishin braktisur seancën e Kuvendit, pasi që ata kërkonin themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar procesin e privatizimit të PTK-së, kurse grupi parlamentar i pozitës kishte kërkuar që si pikë e parë e rendit të ditës të futet, raporti qeveritar rreth privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Seanca e Kuvendit  do rifillojë në orën 15:00.