Cunam Revolucionesh

Viti 2011, me siguri, do të mbetet në histori si viti kur u kap Osama bin Ladeni, njeriu më i kërkuar i botës, për dhjetë vjet me radhë. Një ngjarje tjetër që mbushi ballinat e gazetave, anembanë botës, ishte revolucioni popullor në vendet arabe. Pranvera arabe, e cila për nga përmasat u krahasua me rënien e komunizmit, qoi në rënien e diktatorëve në Egjipt, Tunisi dhe Libi. Ndërkohë fryma revolucionare po vazhdon edhe në shtete të tjera të Lindjes së Mesme.

Kurse ngjarja më tronditëse e vitit që po lëmë pas, të gjithë pajtohen, ishte Cunami në Japoni. Pushteti absolut i ujërave, pas tërmetit apokaliptik, përfshiu gjithë bregdetin japonez, duke shkatërruar gjithçka gjeti përpara. Tërmeti, po ashtu, shkaktoi krizë në centralin bërthamor të Fukushimas, më e keqja që nga Çernobili.

Më 2011, bota zyrtarisht arriti shifrën 7 miliardë të popullsisë. Një shtet i ri u krijua, Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës në Irak, pati fatkeqësi të tjera natyrore që lanë dhjetëra mijëra të vdekur; këtë vit vdiqën një numër personalitetesh, përfshirë “babain e iPhones”, Steve Jobs, por pati dhe lajme të gëzuara, si martesa mbretërore britanike, e cila thuhet se u ndoq nëpërmes ekranit nga dy miliard njerëz.

Por të shkojmë me radhë, të bëjmë një rekapitullim të ngjarjeve që shënuan vitin që e mbyllëm.

Zgjimi Arab

Vala revolucionare e demonstratave dhe protestave nisi që në janar në disa nga shtetet arabe. Më 14 janar, Qeverisja e Tunizisë ra pas një muaji të protestave të dhunshme. Presidenti Zine El Abidine Ben Ali u arratis në Arabinë Saudite, pas 23 vitesh në pushtet.

Më 11 shkurt, presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, dha dorëheqje pas protestave të mëdha që thërrisnin për dorëheqjen e tij, duke e lënë Egjiptin në duar të ushtrisë deri tek zgjedhjet e ardhshme.

Më 15 shkurt, rebelimi nis në Benghazi, qyteti i dytë më i madh i Libisë, kundër regjimit 42-vjeçar të Muammar Qaddafit. Më 19 mars, forcat franceze, amerikane dhe britanike nisin operacionet ajrore me mandatin e OKB-së, për t’ia dorëzuar komandën NATO-s, më 31 mars.
Opozita krijon Këshillin Nacional Tranzitor.

Në mars, Pranvera Arabe përfshin edhe Bahrainin. Rreth 30 njerëz u vranë në protestat ku kërkoheshin reforma politike. Hamad bin Isa Al Khalifa, Mbreti i Bahrainit shpalli gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.

Po në mars, Siria u përfshi nga protestat popullore, të cilat u shtypën nga forcat e sigurisë. Më shumë se 5 000 njerëz janë vrarë gjatë disa muajve të trazirave, sipas Kombeve të Bashkuara. Në qershor, mijëra sirianë u arratisën në Turqi. Regjimi i Presidentit Bashar alAssad po përballet me presion ndërkombëtar lidhur me represionin.

Më 20 tetor, udhëheqësi libian Qaddafi, vritet, pasi forcat lojale të Këshillit Nacional Tranzitor pushtojnë qytetin e tij të lindjes Sirte, pas një fushate 7-muajshe. Më 23 tetor, Libia shpallet e çliruar.

Më 23 nëntor, pas disa muajsh protestash të përgjakshme, presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, nënshkroi një marrëveshje për të dorëzuar pushtetin, të cilin e mbante qe 33 vjet. Qindra veta janë vrarë gjatë protestave. Më 10 dhjetor, qeveri e unitetit dha betimin.

Ndoshta ngjarja më sinjifikante që i parapriu Pranverës Arabe ishte vdekja më 4 janar, e 26-vjeçarit Mohamed Al Bouazizi. I riu, një shitës frutash, i vuri vetes flakën më 17 dhjetor 2010, në shenjë proteste pasi policia e korruptuar i konfiskoi mallrat e tij, në qytetin e vogël tunizian, Sidi Bouzid.

Sakrifica e tij nxiti një sërë demonstratash në tërë vendin, e më pas u përhapën në shtete të tjera arabe.

Cunami në Japoni

Më 11 mars, një tërmet me magnitutë 9.1 shkallë që më pas shkaktoi edhe një cunami shkatërrimtar, goditën bregun japonez, duke shkaktuar 15,840 të vdekur dhe më shumë se 3,500 të zhdukur. Cunami rrezikoi edhe 50 vende të tjera. Tërmeti shkaktoi shumë dëme edhe në centralin bërthamor të Fukushimas.

Pushteti absolut i ujërave përfshiu të gjithë bregdetin, duke shkatërruar gjithçka gjeti përpara, shtëpi, fabrika, vetura, rrugë…

Në kërkim për të mbijetuar | Foto: Us Navy Imagery

 

Por japonezët me trimëri dhe stoikë përballuan fatkeqësinë, u organizuan dhe nisën të pastrojnë rrënojat, të shpëtojnë të plagosurit dhe ta rindërtojnë vendin. Një foto që bëri xhiro nëpër botë ishte asfaltimi dhe rikthimi në funksion i një rruge, vetëm gjashtë ditë pas katastrofës.
 
Bota u përball edhe me fatkeqësi të tjera natyrore, ku humbën jetën mijëra njerëz. Më 11 janar, në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Rio të Brazilit, mbetën të vdekur rreth 900 veta. Më 22 shkurt, në Christchurch të Zelanës së Re, një tërmet 6.3 ballësh mbyti më shumë se 200 njerëz.
Më 4 qershor, shpërtheu vullkani Puyehue në Kil, duke shkaktuar dëme në trafikun ajror në Ameriken Jugore, Zelandën e Re dhe Australi. Rreth 3,000 njerëz u evakuan.
Në përmbytjet që goditën Pakistanin në shtator, mbetën të vrarë 434 njerëz.
Në tetor, në Tajlandë 657 njerëz vdiqën nga përmbytjet. Kurse më 23 tetor, një termet me magnitudë 7.2 shkallësh godet Turqinë Lindore, duke vrarë 604 njerëz. Mëse 2,200 ndërtesa u rrënuan.
Në mesin e dhjetorit, në Filipine përmbytjet dhe stuhitë tropikale lanë 1,250 të vdekur ose të zhdukur.

Shumë jetë njerëzish u humbën edhe nga sulme terroriste. Më 22 korrik, 77 njerëz u vranë nga një sulm i dyfishtë terrorist në Norvegji, pas një shpërthimi me bombë ne qendër të Oslos dhe një sulmi me armë në një kamp të rinisë në ishullin Otoja . Autor i sulmeve është Anders Behring Breivik, një ekstremist djathtist. Në mesin e viktimave ishte dhe një kosovare.

Vrasja e Bin Ladenit

Më 2 maj, presidenti i Shteteve të Bashkuara dha lajmin se Osama bin Laden, lideri i grupit militant Al-Qaeda, është vrarë gjatë një aksioni të Ushtrisë Amerikane në Pakistan. Në aksionin që u zhvillua pa dijeninë e forcave pakistaneze, një orë pas mesnatës, njësitet elite amerikane ia mësyn një kompleksi në dalje të qytetit Abbottabad.

Kompleksi në dalje të qytetit Abbottabad, ku u vra Bin Ladeni | Foto: Flickr

 

Krimineli i shumëkërkuar thuhet se u vra brenda 90 sekondave pas hyrjes në ndërtesën ku ai fshihej. Ai u qëllua me dy plumba, në kraharor dhe në kokë. U varros në det.

Megjithëse për informacionet që do të qonin në kapjen e tij, SHBA kishte vënë në dispozicion 25 milionë dollarë, Bin Ladeni kishte arritur t’i shmangej kapjes për gati dhjetë vjet, që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001 në New York, ku mbetën të vrarë rreth 3.000 civilë.

Kriza e Euros

Kriza financiare në Evropë u acarua edhe më tutje gjatë vitit 2011. Monedha e përbashkët, e cila u fut në përdorim 10 vjet më parë (1 janar 2002), sot ndodhet në një krizë të thellë. Sot eurozona përbëhet nga 17 vende (Estonia iu bashkua eurozonës më 1 janar 2011), por Banka Qendrore Evropiane po e mbron atë pa pasur mundësi të printojë bankënotën në mënyrë autonome, ose të dalë garant si instanca e fundit për borxhet publike të vendeve anëtare.

Vendet më të padisiplinuara konsiderohen Italia dhe Spanja, ndërkohë që Irlanda, Portugalia dhe Greqia teknikisht kanë pezulluar sovranitetin përkatës mbi llogaritë publike.

Më 16 maj, Bashkimi Evropian arriti marrëveshje me Portugalinë për ta shpëtuar nga kriza, duke i ndarë  78 miliardë euro.

Foto: europarl.europa.eu

 

Prej shteteve brenda Eurozonës, Greqia ka të dhënat buxhetore më të këqijat. Perspektiva e rritjes së saj ekonomike korrigjohet vazhdimisht duke u ulur, ndërsa papunësia rritet. Ministrave të Financave të Eurozonës u duhet të miratojnë çdo këst të paketës së ndihmës.

Në nëntor, kryeministri socialist, George Papandreou, shkaktoi kaos në BE me planin e tij për një referendum mbi marrëveshjen e 27 tetorit për shpëtimit ekonomik. Plani u hodh poshtë menjëherë, ndërsa Papandreou u zëvendësua nga zv/presidenti i deriatëhershëm i  Bankës Qendrore Evropiane, Lucas Papademos.

Kurse më 12 nëntor, Silvio Berlusconi u bë udhëheqës i fundit që humbi punën e tij lidhur me krizën financiare të Eurozonës. Ai dha dorëheqje ndërkohë që barra e borxhit të Italisë llogaritet në 1.9 trilionë euro. Berlusconi është zëvendësuar nga teknokrati Mario Monti, i cili ka marrë përsipër ta balancojë buxhetin deri në vitin 2013.

Shtetet e BE-së janë grindur gjithë vitin për fondin e shpëtimit EFSF, për përmasat dhe mundësitë e përdorimit të tij. Pas samitit të mbajtur në dhjetor në Bruksel, BE-ja shihet se është vërtet më e ndarë se kurrë më parë.

Martesa rojale, vdekje…

Viti 2011 do të mbahet mend edhe për atë që u cilësua si “Martesa e Shekullit”. Më 29 prill, në Westminister Abbey në Londër u kurorëzuan Princi William dhe Kate Middleton.

Foto: Flickr

 

Llogaritet se rreth dy miliardë njerëz anembanë globit e shikuan ceremoninë nëpërmes ekraneve televizive.

Ndërkohë, një numër personalitetesh që i dhanë shumë botës u ndanë nga jeta. Steve Jobs, bashkëthemelues i “Apple” dhe babai i “iPhone”, ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare në datën 5 tetor, pas një beteje disa vjeçare kundër tumorit të pankreasit.

Elizabeth Taylor, njëra nga ikonat e kinematografisë botërore, u shua më 23 mars.

Në të njëjtën ditë, më 17 dhjetor, vdiqën ish-disidenti çek, Vaclav Havel, dhe diktatori i Koresë Veriore, Kim Jong Il. Por lajmi për vdekjen e këtij të dytit u dha disa ditë më pas.

Viti 2011 “mori” edhe disa personalitete shqiptare. Më 7 tetor, në moshën 86-vjeçare, vdiq Ramiz Alia, ish-presidenti i Shqipërisë, kurse në dhjetor u ndanë nga jeta Mbreti Leka Zogu i Parë dhe ish-kryetari i Partisë republikane, Sabri Godo.

Ky vit do të mbahet mend edhe për arrestimin e dy të shumëkërkuarve për krime lufte në ish-Jugosllavi. Më 26 mars, ish-komandanti i ushtrisë serbe, Ratko Mladic, i kërkuar për krime lufte dhe për gjenocid, u arrestua në Serbi. Kurse më 20 korrik, Goran Hadzhiç u ndalua, po ashtu në Serbi, duke u bërë i fundit nga 161 të kërkuarit nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi.

Ngjarje tjetër, që gjithsesi duhet të zërë vend në këtë përmbledhje, është dhe shpallja e pavarësisë nga Sudani Jugor, më 9 korrik. Sudani Jugor u nda nga Sudani, si rezultat i referendumit për pavarësi, që u mbajt në janar. Shteti i ri u bë anëtari i 193-të i Kombeve të Bashkuara.

Këtu nuk duhet të mungojë as data 15 dhjetor, kur Shtetet e Bashkuara shpallën zyrtarisht fundin e luftës në Irak.

Bota 7-miliardëshe

Ka njerëz që ngjarjen më të rëndësishme të vitit që mbeti pas, do ta vlerësojnë ditën që popullsia e botës arriti zyrtarisht shifrën 7 miliardë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara zgjodhi 31 tetorin si datë simbolike. Filipinet u bënë shteti i pari që mirëpriti një foshnje të lindur si e 7 miliardta; një vajzë që mori emrin Danica May Camacho dhe e cila lindi dy minuta para mesnatës, në Manila.

Sipas studimeve të pranuara, në vitin 2025 popullsia e botës do të shkojë në 8 miliardë, ndërsa në vitin 2043 do të arrijë në 9 miliardë. Studiuesit tashmë kanë filluar të ngrenë pyetjet se a i ka burimet e nevojshme bota që të ushqejë popullsinë në rritje.

Një gjë është e sigurt, fundi i botës nuk do të jetë më 2012, përkundër profecisë për kataklizmën që mund të ndodhë më 21 dhjetor 2012, një datë e cila shënon fundin e kalendarit të qytetërimit të lashtë Maya. Edhe filmi “2012”, i cili e ka komercializuar këtë profeci, tashmë disi duket i vjetruar.