Bashkim Fazliu

Programeri “Mbretëror”

Bashkim Fazliu është nga kosovarët e pakët që simpatizon familjen mbretërore të Shqipërisë. Në zyrën e tij, kur ishte drejtor regjional i shitjes në PTK-në ferizajase, në vitin 2009, mes “suvenireve” tjera, ndodhej edhe një fotografi e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut, i ikur nga atdheu në vitin 1939 dhe i vdekur në ekzil në 1961-ën.

Dashuria jo vetëm për mbretin, por edhe për vetë Shqipërinë, është njëra nga dashuritë e mëdha të kandidatit për kryetar të Ferizajt, nga Nisma Qytetare e kësaj komune. Ajo e çoi në UÇK dhe më pas kur u mbijetoi betejave, ishte frymëzim edhe për punët profesionale.

Në qershor të vitit 1998 kur nga ish-Zona Operative e Drenicës, ku iu bashkua UÇK-së, ishte nisur me të tjerët drejt Shqipërisë, për armatim, mban mend t’u ketë thënë shokëve se kur të hyjë në territorin shqiptar, do ta puthë tokën.

Ishte hera e parë që në ato rrethana lufte, po e vizitonte vendin e ndaluar për kosovarët. Ai i tha gazetës “Tung.ch” në vitin 2009, se kur hynë në territorin shqiptar, pjesa nga Juniku ishte e rrëpirtë, duke i shkaktuar rrëzime të shpeshta.

Kur rrëzohesha, shokët me shaka më thonin: a e puthe tokën e Shqipërisë, kujtoi atëkohë Fazliu.

Inxhinieri i drejtimit të Telekomunikacionit dhe Informatikës në Universitetin e Prishtinës, për sektorin e ndërlidhjes së UÇK-së në Jezerc, krijoi një sistem të shifruar komunikimi që sipas tij ishte i pazbërthyeshëm për forcat serbe, por edhe për ato të NATO-s.

Ai tregon se komandantit të zonës, Shukri Bujës, pas luftës disa eprorë francezë i kanë thënë se nuk e dinin se çfarë po ngjante vetëm në ish-Zonën Operative të Nerodimes. Fazliu këtë ia atribuon sistemit të ndërtuar prej tij.

Fazliu ishte pjesë e njësiteve të UÇK-së që hynë në qytetin e Ferizajt, para atyre të NATO- s në vitin 1999, me detyrën për ta futur nën kontroll postën e qytetit dhe për të mundësuar komunikimin mes njësive ushtarake.

Lufta ia ka lënë edhe nofkën “Migjen”, një emër që e përdori si kamuflim gjatë luftës, ngase shkruante poezi dhe i ngjante poetit shkodran të mjerimit të viteve ’30 që vdiq nga sëmundja e tuberkulozit.

Ai është nga njerëzit që ka kontribuuar financiarisht për të gjitha përmendoret e dëshmorëve në Ferizaj, ndërsa ushtarëve të vrarë ua ka kushtuar shqipërimin e telefonave Nokia, në vitin 2001.

Ai i ka bërë “të flasin shqip”, njëmbëdhjetë lloje të telefonave të tillë, të asaj kohe. Edhe gjatë Emisionit Jeta në Komunë të shfaqur të mërkurën me 23 tetor, kur u përballën kandidatët e Ferizajt, në dy minutat e tij Bashkim Fazliu, premtoi inovacione teknologjike, duke e krahasuar veten me Steve Jobs të kompanisë Apple, vizionarin e vdekur në vitin 2011.

Fazliu premtoi internet pa pagesë për ferizajasit, nëpërmjet krijimit të zonave me sistem wi-fi, sistem pa tela që funksionon nëpërmjet radio-valëve.

Ai tha gjithashtu se Ferizaj me të në krye nuk do të jetë i përceptuar si vend i trafikimit të qenieve njerëzore, i drogës dhe kazinove.

Ta krahasonte dikush tjetër veten me Steve Jobs-in do të ishte teprim, por Bashkim Fazliu, beson në fjalët e John Kennedyt: “Ne na nevojiten njerëz që mund të ëndërrojnë për gjërat që nuk kanë ekzistuar kurrë”, të thëna në Parlamentin e Irlandës, në vitin 1963.

Njeriu që me një “letër lamtumirëse” u largua nga PDK-ja në vitin 2012, duke i quajtur disa njerëz të kësaj partie fosilë dhe dinosaurë politikë, ndërsa vetë subjektin të kapluar nga parapolitika, në debat u pyet pse iu deshën shumë vjet në PDK, për ta kuptuar këtë.

Fazliu u përgjigj se ka reaguar kundër veprimeve që nuk i kanë pëlqyer në parti, edhe pse e pranoi se në PDK ka qëndruar një dekadë.

Në njëvjetorin e largimit nga PDK-ja, Bashkim Fazliu, në prill të vitit 2013, krijoi subjektin e ri politik Nismën Qytetare të Ferizajt, me të cilin garon për kryetar të Ferizajt.

Ai paditi në tetor kryetarin Aliu për prerjen e 50 drunjve rreshtorë në qendër të Ferizajt, me një vendim të pesë gushtit, pasi drunjtë dekorativ u konsideruan të vjetruar e në prag të kalbjes. 

Kur kryetari Aliu gjatë debatit tha se nëse vetëm një cent i parave publike është keqpërdorur gjatë qeverisjes së tij, ai do të jepte dorëheqje, Fazliu reagoi duke thënë se nuk është keqpërdorur një cent, por miliona.

Ata që e njohin, e konsiderojnë lokalist, nganjëherë edhe të tepërt, ndërsa gruaja e tij Merita kur foli për bashkëshortin tha se ai është i mençur, duke u arsyetuar se ky nuk është vetëm mendimi i saj, por edhe i shumë ferizajasve.

Edhe dashuria mes të dyve lindi në postë, në vendin e punës së Bashkimit, kur tash gruaja e tij, në vitin 1999, shkoi për ta rregulluar lidhjen telefonike të këputur gjatë luftës. Kjo lidhje e lindi një lidhje të re.

Çifti kanë dy fëmijë me emra të lidhur me detin, Jonin dhe Atlantidën, vajzën e pagëzuar sipas vendbanimit ishullor që besohet të jetë fundosur.

Bashkëshortja e Bashkimit, e lavdëroi burrin e saj edhe për gjellërat që përgatit në kuzhinë. Tha se ndonjëherë mëson prej tij.

Djali që në vitin 1985 ishte shpallur nxënësi më i mirë i Ferizajt, që nga paslufta e ka një lokal të vogël me qira në të cilin shet telefona mobilë dhe pajisje për ta.

Miqtë e tij thonë se gjithmonë gjatë festave vendosë flamujt e Shqipërisë dhe ShBA-së në vitrinën e lokalit, e asnjëherë atë të Kosovës.

Thotë se Ferizaj duhet të bëhet normal, para se të shndërrohet në europian.