‘Baballarët’ e politikës kosovare

Edhe pse përdoret si nofkë për Kryeministrin Kurti, ‘baba’ apo autoriteti i padiskutueshëm i udhëheqësve tonë patriarkalë shtrihet thellë në kulturën politike të Kosovës.

 

Ish deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Gani Geci, i cili u dënua me katër vjet burg për vrasje në vitin 2016, kohët e fundit foli para mediave në lidhje me krizën politike që po vazhdon ende në Kosovë.

Edhe më pse nuk mban asnjë lloj pozicioni zyrtar brenda LDK-së, Gani Geci foli në emër të vajzës së tij, Marigona Gecit, deputete në Kuvendin e Kosovës. “Marigona Geci nuk e voton asnjë koalicion me PDK. Ka thënë para zgjedhjeve, kurrë asnjëherë në asnjë formë, qoftë gjithëpërfshirës, vajza jonë nuk e voton. Nuk jemi laramanë që ndërrojmë qëndrimet nga java në javë,” u tha ai gazetarëve para Kuvendit.

Kjo mospërfillje totale e tij për pozitën e Marigonës jo vetëm si deputete e zgjedhur po edhe si person i lirë e i pavarur, është një tjetër manifestim i  qasjes patriarkale që mbizotëron në një vend ku autoriteti paternal as që vihet në pikëpyetje.

Teoricienet dhe aktivistet feministe kanë folur dhe shkruar gjerësisht për lidhjen e drejtpërdrejtë patriarkale midis shtetit dhe familjes.

Qysh në vitin 1969, Kate Millett, autore e veprës “Sexual Politics” (Politika Seksuale), e konsideronte familjen patriarkale si instrumentin themelor dhe njësinë themelore të një shoqërie patriarkale qwë i nxit anëtarët e vet që të përshtaten në përputhje me vullnetin e ‘babait’.

Një akuzë e tillë shpesh i drejtohet kryeministrit Albin Kurti. Se është ‘baba’ i Lëvizjes Vetëvendosje dhe se ushtron një autoritet të tillë është thënë vazhdimisht nga ish anëtarët e partisë, shumë prej të cilëve u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje duke u anëtarësuar në Partinë Social Demokrate, nga disa aktivistë të shoqërisë civile dhe kundërshtarë politikë nga partitë e tjera.

Sipas tyre, duke e konsideruar si ‘babë’, të gjithë brenda Vetëvendosjes i nënshtrohet urdhrit të Kurtit. 

Ky ‘autoritet i padiskutueshëm’ thuhet gjithashtu se plotësohet me besnikëri të plotë nga përkrahësit dhe admiruesit e Vetëvendosjes. Disa kritikë e kanë definuar edhe si ‘kult’, duke i etiketuar përkrahësit e Kurtit si militantë agresivë që kanë krijuar një mit rreth imazhit të tij.

Në vend që të analizoj nëse pretendimet e tilla kanë ndonjë të vërtetë, unë më parë do të pyesja nëse Kurti është i vetmi ‘babë’ në skenën politike të Kosovës që admirohet në mënyrë kaq absolute. Në fakt, unë mendoj që secila parti politike në Kosovë e  ka ‘babën’ e vet.

Për shembull, udhëheqësi i LDK-së Isa Mustafa është një patriark klasik dhe vepron si i tillë. Si një plak i privilegjuar, që nderohet jo vetëm si kryetar i partisë, por edhe si akademik, Mustafa gëzon respekt dhe bindje të plotë.

Anëtarët e partisë së tij zyrtarisht e prezantojnë si ‘Akademik Isa Mustafa’ dhe vlerësohet nga votuesit e LDK-së për këtë status; tipike për një shoqëri që i qmon më shumë titujt akademikë sesa kontributin aktual në një fushë të caktuar.

“Kryetar, fali ata që shpifën dhe bënë presion tek ju,” shkroi një anëtare e re e LDK në llogarinë e saj në Facebook në muajin shkurt. “Përvoja juaj politike, jetësore dhe akademike dëshmuan se jeni kalibër i një politikani të nivelit të lartë dhe i rallë në politikën e Kosovës.”

Megjithatë, pavarësisht prapavijes së tij akademike, Mustafa nuk është as person i përkushtuar në arsim dhe as studiues. Duke u përqëndruar më shumë në karrierën e tij politike (edhe pse etikisht e diskutueshme), Mustafa nuk ka kontribuar shumë në akademi as me tekste shkencore dhe as me ndonjë angazhim domethënës me studentët e Universitetit të Prishtinës.

Ai ka shfaqur interesim më të madh nw mirëmbajtjen e lidhjeve biznesore dhe bashkëpunimin me këdo në politikë që ia mundëson të qëndroj në pushtet. 

Edhe pse Mustafa nuk ka pasur mbështetje të dukshme elektorale, në LDK mungojnë zërat e ndryshëm nga gjenerata e re dhe e anëtarëve më tradicional të saj. Kjo e konfirmon që Isa Mustafa e ka ‘gurëzuar’ statusin e tij të padiskutueshëm si ‘baba’ i partisë. 

Edhe Vjosa Osmani, edhe pse si kandidate për kryeministre e udhëhoqi LDK-në duke fituar gati 200,000 vota në zgjedhjet e fundit dhe ia mundësoi LDK të bëhej pjesë e qeverisë, ka treguar se fuqia e saj që t’i dëgjohet dhe respektohet zëri në lidhje me vendimet më të rëndësishme ka dështuar.

Jo vetëm që ishim dëshmitarë të faktit se Vjosa Osmani është kundërshtuar ashpër nga Isa Mustafa dhe kolegët e saj në LDK kur ajo refuzoi ta votoj Hashim Thaçi për President në vitin 2016, por po ashtu pamë shumë pak prej saj gjatë kohës kur negociatat për formimin e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen ishin duke u zhvilluar.

Pavarësisht meritës individuale apo legjitimitetit politik, fjala e fundit në vendimmarrje mbetet privilegji i udhëheqësit paternal Isa Mustafa.

Sa për partitë e tjera, as që më duket e nevojshme të elaboroj në këtë aspekt për ish komandantët e luftës që kanë qeverisur këtë vend herë pas here në këto dy dekadat e fundit. Kush ia zë vendin personaliteteve si Hashim Thaçit apo Ramush Haradinajt që ngriten në qiell nga partitë dhe votuesit e tyre përkatës?

Heroizmi dhe patriotizmi i këtyre patriarkëve, përfshi pasuria e tyre e fituar dhe lehtësuar përmes ‘të udhëhequrit” e këtij vendi, nuk ka nevojë për një ushtri militantësh për t’ua mbrojtur ideologjinë. Ata kanë bërë tashmë gjithçka që kanë dashur. Ata tashmë kanë gjithçka. Dhe, duke u përpjekur ta rrëzojnë qeverinë aktuale, duket se ata po kërkojnë  më shumë.

Ata janë shembujt tipik të imazheve shqetësuese paternale që kanë mbizotëruar skenën politike të Kosovës gjatë dy dekadave të fundit.

Prandaj, ‘kulti i babës’ si narrativë nuk duhet të zbatohet vetëm për Kurtin. Përkundrazi, në krahasim me simbolet e lartpërmendura të ‘atësisë’, Kurti ngjan më shumë me një ‘super baba’’, një nga ata baballarë e rinj që luajnë me fëmijët e tyre dhe ua ndrrojnë pelenat herë pas here, por i mungon përvoja për t’u marrë me përgjegjësinë dhe kompleksitetin e detyrës së rritjes së fëmijëve.

Pavarësisht se cili ‘babë’ mbështetet, autoriteti i padiskutueshëm paternal që këta udhëheqës në Kosovë e kanë përvetësuar, tregon shumë për mënyrën se si ata kanë qeverisur deri më tani me këtë vend. 

Trashëgimia e tyre e vërtetë është keqpërdorimi i resurseve të Kosovës dhe udhëheqja e dobët dhe kaotike, e shoqëruar me duartrokitjet e përkrahësve të tyre gjithsesi.