Foto: Kallxo.com

LDK: Të gjitha strukturat e përkrahin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka njoftuar se të gjitha strukturat e përkrahin qëndrimin e Kryesisë në lidhje me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Në një njoftim, LDK e konsideron fajtore Lëvizjen Vetëvendosje për shkaktimin e krizës politike gjatë gjendjes pandemike në Kosovë.

“Me shqetësimin e thellë rreth situatës pandemike në Kosovë dhe duke konstatuar përgjegjësinë e kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje për shkaktimin e krizës politike,  strukturat drejtuese qendrore dhe lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dalin me këtë komunikatë:

Në koordinim të plotë me Kryesinë e LDK-së dhe kryetarin Mustafa, kryetarët e Degëve të LDK-së dhe strukturat e saj përkrahin qëndrimin e Kryesisë në lidhje me partnerin e koalicionit dhe zhvillimet e fundit në vend. Kryetarët e Degëve presin nga përfaqësuesit tonë në Qeveri dhe Kuvend që të përfaqësojnë LDK-në dhe politikat e saj me dinjitet dhe ta mbrojnë legjitimitetin që e kanë marrë përmes votuesve tanë. Për LDK-në, partneriteti me SHBA dhe aleatët është jetik për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”, vijon njoftimi i LDK-së.

Albin Kurti ka shkarkuar ministrinë e Punëve të Brendshme, Agim Veliu. LDK ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Pjesë e Qeverisë është edhe LDK.