Një parlament i hapur për qytetari të angazhuar

Parlamenti duhet të jetë institucioni më i hapur prej të gjitha institucioneve të tjera shtetërore të vendit në çdo sistem qeverisës. Kjo buron nga fakti që parlamenti është institucion përfaqësues i qytetarëve dhe në të përfaqësohen të gjitha grupet politike. Prandaj, përveç faktit që puna e parlamentit duhet të jetë e hapur, parlamenti gjithashtu duhet të rritë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve të tjera, duke kërkuar përgjegjësi në emër të qytetarëve të cilët i përfaqëson.

Në Kosovë, Kuvendi është prej institucioneve më të hapura në krahasim me institucionet e tjera shtetërore. Seancat plenare të Kuvendit transmetohen në televizionin kombëtar, në media të tjera private, si dhe në faqen zyrtare të Kuvendit në internet. Takimet e komisioneve parlamentare, përveç atyre të komisionit për sigurinë, janë të hapura për publikun. Mediat, organizatat joqeveritare dhe qytetarët kanë qasje në punën e komisioneve të ndryshme legjislative.

Vlerësimet e bëra nga Open Data Kosovo (ODK) tregojnë një hapje në rritje të Kuvendit të Kosovës. Kur ODK-ja filloi të maste hapjen e institucionit legjislativ në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës u vlerësua me 60% prej gjithsej 100% të mundshme. Në raportin e fundit të ODK-së, “Analiza e Hapjes së Kuvendit të Kosovës” për vitin 2020, matjet tregojnë një Kuvend më të hapur në krahasim me vitet paraprake, me një notë të përgjithshme prej 88%.

ODK-ja mat nivelin e hapjes së një institucioni në bazë të katër parimeve kryesore në vijim. I pari është transparenca, sipas të cilit informatat organizative, buxheti dhe procedurat e prokurimit publik duhet të jenë në dispozicion të publikut, si dhe të publikohen dhe përditësohen rregullisht. I dyti është qasshmëria, e cila ka të bëjë me ofrimin dhe respektimin e procedurave për qasje të lirë në informata, përmirësimin e publikimit të informatave përmes debateve publike, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit me qytetarët. I treti, integriteti, përfshin elementet e parandalimit të korrupsionit, respektimit të kodit të etikës dhe rregullimin e lobimit. I katërti, ndërgjegjësimi, i referohet monitorimit dhe vlerësimit të politikave të arritura nga institucionet.

Në vlerësimin e fundit të ODK-së, Kuvendi i Kosovës shënoi 91% në transparencë, 72% në qasshmëri, 100% në integritet, dhe 91% në ndërgjegjësim. Rritja e hapjes së Kuvendit të Kosovës përgjatë viteve pasqyrohet në kënaqshmërinë e qytetarëve me punën e institucioneve legjislative. Sipas sondazheve të fundit të opinionit publik nga UNDP-ja, të publikuara në korrik të 2021-ës, tregojnë që kënaqshmëria e qytetarëve me punën e Kuvendit shënoi 52.9%, që nënkupton se është rritur për deri 30.3 krahasuar me sondazhin në dhjetor të 2020-ës ku ishte vetëm 22.6%. Niveli i kënaqshmërisë me punën e Kuvendit është për 19.5% më i lartë se në prill të 2020-ës (33.4%).

Megjithatë, ende ka pengesa drejt hapjes së plotë të Kuvendit të Kosovës. Masat kufizuese për shkak të pandemisë Covid-19 e kanë bërë të detyrueshme hapjen elektronike të Kuvendit.

Megjithëse të gjitha seancat plenare të Kuvendit transmetohen drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Kuvendit në internet, mundësia e njëjtë për përcjelljen e takimeve të komisioneve parlamentare aktualisht nuk ekziston. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta avancojë teknologjinë në mënyrë që takimet e komisioneve parlamentare të mund të transmetohen drejtpërdrejt. Për më tepër, gjersa Kuvendi i publikon transkriptet, procesverbalet dhe votimin elektronik të seancës plenare, procesverbalet e takimeve të komisioneve parlamentare dhe transkriptet e dëgjimeve publike publikohen rrallë.

Sistemi monitorues i legjislacionit është një mjet shumë i mirë për monitorimin e progresit të legjislacionit të rishikuar në Kuvend, nga dokumentet e miratuara nga Qeveria e deri te miratimi përfundimtar. Megjithatë, ky sistem nuk i jep mundësinë publikut (qytetarëve, ekspertëve, OJQ-ve) që të japë sugjerime lidhur me projektligjet në procedurë. Mundësia në fjalë u ofrohet qytetarëve në fazën e konsultimit në nivel të ekzekutivit. Komentet e mbledhura në këtë fazë Qeveria i përfshin në memorandumet shpjeguese që u bashkëngjiten projektligjeve me rastin e përcjelljes së tyre në Kuvend. Megjithëkëtë, kjo mundësi duhet të ofrohet për publikun edhe në nivel të legjislativit, në mënyrë që edhe deputetët të mund të konsultohen me publikun lidhur me projektligje të ndryshme në leximin e parë dhe të dytë.

Diçka që do të mund ta rriste më tej angazhimin e qytetarëve në propozimin e politikave të reja publike është peticioni elektronik. Kjo mundësi për qytetarët do të përmirësonte vlerësimin e qasshmërisë së qytetarëve në raport me Kuvendin. Mundësimi i peticionit elektronik tani është edhe më i lehtë për shkak të miratimit të Ligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besueshme në lidhje me Transaksione Elektronike në vitin e kaluar.

Kuvendi i Kosovës ka emëruar personin përgjegjës për qasje në dokumente zyrtare dhe kontaktet e personit në fjalë janë lehtësisht të qasshme në faqen zyrtare të Kuvendit në internet. Megjithatë, Kuvendi nuk duhet të kërkojë nga aplikanti për qasje në dokumente publike që të plotësojë një formular me të dhëna personale, të cilin aplikanti duhet ta printojë, ta nënshkruajë dhe ta dërgojë me e-mail. Kjo procedurë bie ndesh me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, sipas të cilit kërkesa mund të parashtrohet në çfarëdo forme. Detyrimi për ta printuar dhe nënshkruar formularin për qasje në dokumente zyrtare e vështirëson qasjen në dokumentet e nevojshme publike.

Forumi për Transparencë Parlamentare, i themeluar më 4 maj 2015 dhe i përbërë nga deputetë, shërbyes civilë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, është organ këshillues i Kuvendit në lidhje me transparencën. Forumi e ka përgatitur planin e veprimit për një kuvend të hapur dhe transparent, i cili është një dokument goxha i hollësishëm për rritjen e transparencës.

Për të rritur transparencën dhe qasjen e qytetarëve në punën e Kuvendit, institucioni në fjalë duhet të fillojë publikimin e të ashtuquajturit ‘buxheti qytetar’, i cili rekomandohet të shkruhet në buxhet të qasshëm dhe të publikohet në format të lehtë në mënyrë që të lexuesit jospecialistë të jenë në gjendje t’i kuptojnë informatat. Buxheti qytetar do të ndihmonte në rritjen e transparencës së Kuvendit të Kosovës sa i përket buxhetit të shtetit. Kjo do të kontribuonte gjithashtu në rritjen e transparencës fiskale. Një shembull i tillë mund të jetë Informatori i qytetarëve i publikuar nga Ministria e Financave, por që nga viti 2020 edhe kjo ministri ka ndërprerë publikimin e buxhetit qytetar.

Fatkeqësisht, interesimi i qytetarëve për punën e Kuvendit është i ulët. Në sondazhet e opinionit publik të realizuara nga ODK-ja përmes UBO Consulting me 1065 qytetarë në nivel vendi, vetëm 4.1% e femrave dhe 7.9% e meshkujve janë deklaruar se ndjekin rregullisht punën e Kuvendit. Shumica e të anketuarve ndjekin pak punën e Kuvendit (46.4% femra dhe 38.3% meshkuj). Ndërsa më shumë se gjysma e të anketuarve nuk mendojnë se mund të kontribuojnë në iniciativat e Qeverisë së Kosovës. Nga ana tjetër, 17,8% e meshkujve dhe 12,4% femrave të anketuara për këtë çështje nuk kanë pasur një mendim të caktuar.

Prandaj, peticionet elektronike, mundësia për të komentuar legjislacionin e rishikuar, qasja më e lehtë në dokumente publike, rritja e aktivitetit të Forumit për Transparencë, publikimi i Buxhetit Qytetar, mund t’i ndihmojnë qytetarët që të përfshihen dhe të angazhohen më shumë në punën e Kuvendit, si dhe që të përmirësohet pjesëmarrja e tyre në masë më të madhe.