Asgjë Historike dhe e Bekuar te Dialogu

Më në fund, dialogu për liberalizimin e vizave me BE’në u nis javën e kaluar. Por debati politik vendor ishte plotësisht i monopolizuar nga diskutimi mbi protestat e 14 janarit dhe mocionet për reciprocitet, saqë nuk pat shumë hapësirë të diskutohet dhe mendohet thukët për dialogun për vizat.

Zyrtarë të ndryshëm qeveritarë janë deklaruar qe dy vjet se dialogu për liberalizimin e  vizave do të nisë së shpejti dhe se me të do të vijë edhe Udhërrëfyesi (lista me rreth 50 kërkesa të BE’së që duhet të plotësohen para se të fitohet e drejta për liberalizim të vizave). Në biseda private ata pohonin që edhe pse asnjë vend tjetër nuk e kishte marrë Udhërrëfyesin në ditën kur ishte nisë dialogu, ata kanë indikacione të qarta nga Brukseli se kjo do të ndodhë me Kosovën.

E kur kjo nuk ndodhi, Kryeministri u deshtë t’i përpijë fjalët e veta dhe të gjejë arsyetime se pse ky premtim që e ka bërë nuk do të mbahet. Gazeta Express të enjten e kaluar e citoi kryeministrin duke thënë: “Në këtë proces duhet të jemi të sinqertë dhe të hapur edhe me vetveten dhe të pranojmë se jemi populli i fundit që e kemi fituar lirinë, të fundit që jemi pavarësuar në rajon dhe natyrisht se në këtë proces hyjmë me pasojat historike, me perspektivë për të ardhmen”. Kryeministri po aludon që Kosova nuk e morri Udhërrëfyesin këtë muaj sepse është shtet i ri dhe i fundit që e fitoi lirinë. Kjo nuk është e vërtetë: Kosova nuk e morri Udhërrëfyesin sepse nuk është procedurë e BE’së që të jepet Udhërrëfyesi në të njëjtën kohë kur niset dialogu. Ai është dashtë ta dijë atë.

Udhërrëfyes nuk ka. Kështu që qeverisë ju deshtë ta shes fillimin e dialogut si sukses të madh dhe si ngjarje shumë të rëndësishme për raportin në mes të Kosovës dhe BE-së. Edon Cana (këshilltar i kryeministrit për çështje të BE’së), në emisionin ‘10 minuta’ të RTK-së tha që ky është një ‘moment historik’ për Kosovën. Shefi i Edonit, Kryeministri i Kosovës, u citua nëpër gazeta të kishte thënë se fillimi i dialogut për vizat nuk është vetëm ditë historike, por edhe e bekuar për popullin e Kosovës.

Por as kjo nuk është e vërtetë. S’ka asgjë historike në lidhje me këtë ditë. Nisja e dialogut si e tillë nuk garanton asgjë. Dialogu për vizat është nisë me shumë vende të tjera të Europës lindore, të cilat as që e kanë të njëjtën perspektivë Europiane sikur që e ka Ballkani. Në kolumnën e para disa javëve (‘Hapi Zero’) pata diskutuar se si Rusia e ka nisë dialogun për vizat qysh në vitin 2007 ndërsa Ukraina dhe Moldavia pak më vonë. Dhe asnjëra prej këtyre shteteve nuk ka marrë Udhërrëfyes për vizat. Ato kanë marrë dokumente tjera që e zëvendësojnë Udhërrëfyesin por që edhe e ndryshojnë metodologjinë e punës dhe e vështirësojnë procesin deri te liberalizimi i vizave. Kosova nuk e din se çfarë dokumenti do të marrë – udhërrëfyes, strategji, apo ndonjë plan veprimi – dhe çfarë do të jetë metodologjia e punës që do të përcillet për të. Me gjithë këto pikëpyetje rreth procesit, nisja e dialogut nuk e meriton epitetin ‘historik.’

Gazeta Express e botoi të enjten e kaluar edhe këtë deklaratë të Kryeministrit: “Ajo çka është jashtëzakonisht me rëndësi është se Kosova po trajtohet njëjtë si gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të respektohen të gjitha kriteret dhe procedurat e njëjta sikur te vendet tjera edhe për Kosovën”. Kjo definitivisht nuk është e vërtetë. Procesi për vendet e tjera të Ballkanit ka nënkuptuar një raport në mes të shtetit dhe Komisionit Europian, ku Komisioni i ka draftuar Udhërrëfyesit për secilin shtet me kërkesat për reforma, shteti i ka plotësuar ato kërkesa, Komisioni pastaj i ka vlerësuar ato dhe në fund e ka dhënë dritën e gjelbër për liberalizim të vizave. Në këtë fazën e fundit u përfshi edhe Këshilli i Ministrave, ku përfaqësues të 27 vendeve anëtare u deshtë ta miratojnë rekomandimin e Komisionit për liberalizim të vizave.

Por për Kosovën si duket Këshilli do të involvohet edhe më herët. Komisionerja Cecilia Malmstrom shkroi në bllogun e saj, në ditën e parë të vizitës së saj në Kosovë, se hapi tjetër pas dialogut për Kosovën është zhvillimi i të “ashtuquajturit Udhërrëfyes”, ku do të listohen fushat e tjera që kanë nevojë për reformim. “Me atë listë, që duhet të aprovohet nga Këshilli i Ministrave, ne mund t’i fillojmë negociatat e vërteta.” Kjo është problematike sepse Këshilli takohet rrallë dhe anëtarët e vet zakonisht nuk pajtohen në mes vete në lidhje me Kosovën. Involvimi i Këshillit të Ministrave në këtë fazë kaq të hershme do ta ngadalësoj procesin shumë.

Përveç asaj, ky nuk ka qenë plani për Kosovën fillimisht. Në vitin 2009 Komisioni Eeropian në komunikatën e tetorit (faqe 51) propozon që: “… të hartohet një strategji gjithëpërfshirëse që…do të përcaktojë standardet në bazë të të cilave do të matet progresi i Kosovës në kontekst të dialogut të vizave dhe e njëjta do t’i paraqitet Këshillit për informim.” Strategjia gjithëpërfshirëse është termi i përdorur në vend të Udhërrëfyesit. Dhe në fund të paragrafit thuhet qartë se ai dokument do t’i paraqitet Këshillit për informim, e jo për miratim.

Çka po ndodhë me këtë proces? Si u përvodh tash Këshilli kaq herët në proces? Si dhe sa do ta zvarrisë kjo procesin? Qeveria e Kosovës, në vend se të harxhoj kohë duke e keq-informuar elektoratin – dhe pastaj duke u arsyetuar për këtë – ishte dashtë të informohet më mirë në lidhje me procesin e vizave (dhe të mos besoj gjithçka që i servohet jo-zyrtarisht në Bruksel!). Kosova është në Ballkan dhe kjo duhet të bëhet e qartë. Në relacion me Brukselin, Kosova nuk guxon të mbetet në grup me vendet si Moldavia. Por përderisa qeveria e Kosovës nuk merr rol më aktiv në proceset e ndryshme me Brukselin, unë frikohem që Kosova do të mbetet  po aty.