Ankohen se Punojnë me Humbje

Jo krejt çka mbillet, edhe shitet në Kosovë. Madje fermerë nga rajoni i Rahovecit, sivjet kanë punuar me humbje.

Hamdi Kastrati, fermer nga komuna e Rahovecit, këtë verë i ka mbjellë 25 hektarë me shalqinj dhe 1 hektar me speca. Por thotë se ka dalë me humbje. Shumë shalqinj edhe speca janë kalbur në arat, skaj Erenikut.

Në një bisedë me Gazetën JnK, ai ankohet se shteti nuk po i subvencionon. “Qeveria absolutisht, neve nuk na ka përkrahë fare si fermerë. Së paku, në këtë sezon ka mundur me na ndihmu”.

Sipas tij, prodhimet si specat, shalqiri dhe patatet, po mbesin pa shitur, sepse ato vijnë me shumicë nga shtetet fqinje, si Maqedonia, Serbia e vende tjera të rajonit dhe shiten edhe më lirë.

“Ka tregtarë matrapazë, të cilët shkojnë edhe e bien mallin nga jashtë në Kosovë, dhe neve nuk na shiten. Ata shkojnë e marrin në Maqedoni p.sh. me 2-3 cent kilogramin, edhe i shesin këtu ma lirë se ne”.

Ky fermer thotë se mundi prej kur bëhet mbjellja, e deri kur prodhimi vendor është i gatshëm për treg, nuk po shpaguhet. “Mundi po na shkon huq. Jam në dilemë për vitin e ardhshëm çka të bëj”.

Madje, ky fermer rahovecian thotë se ka humbur 50 mijë euro, sivjet, investime. “Shalqiri ka shku me një çmim 3-4 cent për kilogram, por edhe shumica më ka mbetë nëpër ara. Unë i kam 20 punëtorë që i mbaj me pagesë mujore, ata duan të paguhen”.

Edhe fermerë të tjerë, të cilët merren me kultivimin e specave, domateve dhe rrushit, thonë se kjo verë nuk ka qenë fitimprurëse.

Labinot Shulina, nga Pataqani i Rahovecit, tha se rendimentet e rrushit nuk kanë qenë të kënaqshme, por as ai rrush nuk është shitur mirë.

“Në pranverën e hershme ka pasur ngrica të mëdha dhe kjo ka shkaktuar dëme të mëdha. Arsye tjetër është se vullneti i njerëzve për punë ka hup, se për 1 hektar duhet me i dhanë 2000 euro kesh, për me i nxjerr 1500 euro, dmth në start je 500 euro humbje. Kjo është matematika që nuk e lejon fermerin tonë me ecë përpara”.

foto
Foto: Korab Basha

Sipas tij, problemi me vreshtarët po ndodh çdo vit, për shkak që Qeveria nuk ka strategji për të tejkaluar këtë problem.

“Ministria e Bujqësisë dhe dikasteret e tjerë duhet të merren me këtë problem,vreshtaria është e vetmja kulture të cilën Kosova e ka eksportu gjithnjë .Vreshtaria është sektor i veçantë që i duhet kushtuar shumë kujdes”, thotë Kulina.

Për probleme të tilla ankohen edhe fermerë të tjerë rahovecianë. “Nafta është e shtrenjtë, plehrat e shtrenjtë dhe nuk po e nxjerrim ato që po e mbjellim”, thotë Avdurrahim Sylejmani, një tjetër fermer që shet mallra në Rahovec.

Nga ana tjetër, në Ministrinë e Bujqësisë thonë se Rahoveci është njëra prej komunave që ka përfituar më së shumti nga Ministria e Bujqësisë.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nga grantet investive për zhvillimin rural, gjatë këtij viti, kanë përfituar 114 fermerë në vlerë prej rreth 598 000 euro.

“Në mbjelljet vjeshtore të grurit sivjet kanë përfituar 407 fermerë në vlerë prej rreth 133 mijë euro, subvencione për kafshë të imëta kanë përfituar 40 fermerë në vlerë prej rreth 29 mijë  euro, si dhe për subvencionimin e lopëve qumështore, 159 aplikues nga kjo komunë, janë në proces. Pra, në mënyrë direkte në vitin 2011 kanë përfituar gjithsej 561 fermerë në vlerë prej rreth 760 mijë euro nga komuna e Rahovecit, si dhe 159 janë në proces”.

Hamdi Kastrati konsideron se shteti duhet t’i përkrahë me plehra, në pesticide e derivate të naftës. “Bujqësia nuk bëhet me fjalë, ajo do punë”, shprehet ai.

Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”, thotë se nuk mund të imagjinohet një ekonomi të tregut nëse ky treg është kaotik dhe nuk veprojnë ligjet.

“Qeveria nuk ka strategji të zhvillimit ekonomik dhe nuk do të ketë, përderisa nuk e bën identifikim e tregut. Qeveria duhet të punojë me fermerët, t’i edukojë, informojë dhe t’i përgatisë për ekonominë e tregut”, ka thënë Kaçaniku për Gazetën JnK.

Mirëpo, ai thotë se edhe fermerët nuk duhet vetëm të ankohen, por të rregullojnë vetë tregun, nëse këtë nuk e bën Qeveria.

Sipas statistikave të shtatorit të Entit të Statistikave të Kosovës, vendi ynë vazhdon të ketë bilanc negativ sa i përket eksportit, ndërsa importi vazhdon të jetë i madh.

“‘Eksporti në muajin shtator 2011 kishte vlerën 24,2 milionë €, ndërsa importi 215,6 milionë €; është një rënie prej -4.0% për eksport, si dhe një rritje prej 12.6% për import, krahasuar me shtatorin e vitit 2010”, thuhet në raportin e Entit Statistikor lidhur me tregtinë e jashtme.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 64.8% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 5.5% produkte bimore; 5.3% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.2% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre; 4.5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani;  4.5% produktet minerale; 3.6% tekstil dhe artikuj tekstili etj.
 
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 24.0% të importit e përbëjnë produktet minerale; 13.1% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.7% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.4% produkte të industrisë kimike; 6.3% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre; 6.1% mjetet e transportit, e kështu me radhë.