Fshati i Luksit të Palejuar (TV)

Një sipërfaqe prej 27 hektarësh e fshatit Prevallë kishte nisur para gjashtë vitesh të shndërrohej në qendër turistike.

Komuna e Prizrenit e nisi projektin e urbanizimit të zonës, por tash, shtatë vjet më vonë, zyrtarë të lartë të saj ankohen se politikanët erdhën, ndërtuan pa plan dhe shkatërruan projektin për qendrën turistike.

Planifikoheshin 360 vila në atë zonë. Një numër prej 35 syresh planifikonte ta ndërtonte vetë komuna, që pastaj t’i jepte në shfrytëzim, ndërsa 315 vila planifikoheshin të ndërtoheshin nga personat privatë.

Ndërtimi mendohej të kryhej brenda dy vitesh, 2007-09. Por, gjatë asaj periudhe qenë ngritur vetëm 60 vila.

Tani atje janë mbi 100 vila të ndërtuara, por 90 prej tyre vlerësohet se u ngritën në mospërputhje me planin urbanistik të paraparë nga Komuna e Prizrenit si dhe me udhëzimin dhe ligjin që rregullon mbrojtjen e mjedisit.
 
“Ndërtuesit i kanë rritur vilat. Kanë dashur t’i bëjnë me xhakuzi e t’i bëjnë super të shtrenjta”, thotë Sadik Paçarizi, drejtor i urbanizmit në komunën e Prizrenit. “Nuk janë vila të bëra vetëm sa me shku me nejt pak aty”.

Dhe, vazhdon ai, ndërtimet e këtilla nuk do të ndalen derisa të gjithë politikanët të ndërtojnë nga një shtëpi vikendi në Prevallë.

“Përderisa të gjitha garniturat e hierarkisë politike të Kosovës, secili, të mos e marojnë nga një vikend-shtëpi aty, ai projekt nuk përfundon kurrë”, thotë Paçarizi.

“Kur t’i marojnë krejt, ngihen dikur edhe thonë ‘ok – enough is enough (mjaft është mjaft)’…”, shton Paçarizi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar listën zyrtare me emrat e personave që kanë marrë leje nga Komuna e Prizrenit për të ndërtuar brenda zonës që përfshin plani urbanistik për Prevallën.

Me përjashtime të vogla, emrat që figurojnë në listë nuk janë politikanë të njohur ose personalitete publike.

Prej njerëzve të politikës në listë figuron vetëm Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Prizrenit.

Ai nuk deshi të komentojë kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.
 
Në listë nuk është as emri i Ardian Gjinit, një prej politikanëve të rrallë që përfliten dhe që konfirmon se ka shtëpi në Prevallë.

“Po, kam shtëpi në emër timin. Me leje e kam. Absolutisht ashtu si është dhënë leja, ashtu e kam edhe shtëpinë”, thotë deputeti i AAK-së.

Një tjetër zyrtar i lartë që konfirmoi se ka ndërtuar në Prevallë është Sylë Hoxha, kryeprokuror në Prizren.

“Vilës sime as vilë s’mundem me i thanë. Është më e vogla në Prevallë dhe nuk ka tejkalim të lejes”, thotë Hoxha.

Shumë politikanë të përfolur mohuan se kanë ndërtuar shtëpiza në Prevallë kur u kontaktuan nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Prevalla bën pjesë në Parkun Nacional të Sharrit dhe prandaj konsiderohet zonë me interes.

Në vitin 2006, Ardian Gjini, atëherë ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, i dha komunës së Prizrenit kompetencat mbi Prevallën.

“Në vitin 2006 i është bartë kompetenca për Prevallë komunës së Prizrenit”, thotë Gjini, duke shtuar se “Me ligj, nuk jep ministria leje ndërtimi”.

Paralajmërohen rrënime

Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, javën e kaluar me vendim të posaçëm ka shfuqizuar vendimin e mëparshëm të ish-ministrit Ardian Gjini.

Me pikën e dytë të këtij vendimi, ministri Gashi “ndërpret të gjitha aktivitetet ndërtimore në zonën e Prevallës, pjesë e Parkut Nacional ‘Sharri’ për afat të pacaktuar”. 

Në vendim thuhet se ai është nxjerrë “bazuar në gjendjen e krijuar në zonën e Pravallës, tejkalimeve të kushteve dhe kritereve për ndërtim si dhe mosrespektimit të udhëzuesit të MMPH-së që iu ka dërguar Komunës së Prizrenit për mënyrën e zbatimit të planit urban për këtë zonë”.

Inspektorë të kësaj ministrie gjatë javës kanë shkuar në komunën e Prizrenit për të marrë  të gjithë dokumentacionin lidhur me ndërtimet në zonën e planit urbanistik në Prevallë.

MMPH i tha Gazetës Jeta në Kosovë se pas marrjes së të gjitha dosjeve të lejeve të ndërtimit që janë dhënë për këtë zonë, inspektorët pritet të dalin në terren.

“Në terren do të verifikohen, një nga një, të gjitha shtëpitë që kanë tejkaluar lejet që u janë dhënë dhe (në rast tejkalimi) do të prishen”, thotë Kreshnik Berisha, këshilltar i ministrit Gashi.
 
Vizitën e inspektorëve në komunën e Prizrenit e konfirmon edhe Sadik Paçarizi, drejtori i urbanizimit, por ai nuk dha shpjegime se çfarë është marrë prej tyre. 

Ministri Gashi tha për Gazetën Jeta në Kosovë se verifikimi do të bëhet shtëpi për shtëpi.

“Janë rreth 200 leje që janë dhënë dhe ne për të gjitha do të bëjmë krahasimet bazuar në dokumentacion dhe ndërtimet në terren”, thotë Gashi. “Verifikimi është i lehtë sepse kemi fotografim ajror 3D, por do të bëjmë verifikimin edhe shtëpi për shtëpi në terren”.

Ai pohoi se në momentin kur të sigurohen të gjitha të dhënat atëherë do të nisë aksioni i rrënimit i cili do të kryhet me asistencën e Policisë së Kosovës.

“Do të veprojmë në momentin që do t’i kemi të gjitha në mënyrë që të mos mendohet se ka selektime të personave të partive të ndryshme”.

Ministri i Mjedisit pohon se në Prevallë u tejkalua ligji nga ndërtuesit por edhe nga komunarët e Prizrenit.

“Të dy palët kanë bërë shkelje – ndërtuesit që kanë tejkaluar planet e dhëna në leje dhe komuna që nuk ka inspektuar se çfarë po ndodhë atje”, pohoi Gashi.

Ndërtim garazhesh, tejkalim katesh, ndërtim në mes të parkut

Salajdin Fanaj, pronar i “Fanaj Inginering”, thotë se para 6 vitesh lidhi kontratë me Komunën e Prizrenit për ndërtimin e infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë ku përfshihen instalimet tokësore, kanalizimet, ujësjellësi, rrjeti elektrik dhe rregullimi i trotuareve.

Kontrata vlente për periudhën 2007-2009, por më vonë komuna ia zgjati atë deri më 2011.

Me një aneks-kontratë, kompania angazhohej edhe në ndërtimin e bazamenteve të vilave nga të interesuarit.

Kontrata ishte në kohëzgjatje prej dy vitesh dhe peshonte 1.2 milionë euro.

Brenda kësaj përiudhe do të ndërtoheshin vilat dhe komuna parashihte të mos lejonte më ndërtime pas 2009-tës.

“Si tërësi projekti është 360 vila”, thotë Fanaj.

Ai thotë se përgjatë dy viteve kompania e tij kishte ndërtuar jo më shumë se rreth 60 bazamente.

Në vitin 2009 ishte ndërruar pushteti duke kaluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës tek Partia Demokratike e Kosovës.

“Por…e morën vendim ta vazhdojnë kontratën edhe për dy vjet tjera me arsyen se nuk është realizuar as 10 për qind të kontratës së parë”.


Selajdin Fanaj

Fanaj thotë se aktualisht në Prevallë janë rreth 100-110 shtëpi.

“Ne bazamentet i kemi shtruar për rreth 100 shtëpi. Por, ka atje partizanë që i kanë ndërtuar vetë bazamentet”, thotë ai.

 Fanaj pohon 90 prej100 shtëpive të ndërtuara e kanë shkelur projektin.

“…Arsyeja është se ose kanë bërë ballkon më tepër, kanë mbindërtuar më tepër, ose e kanë ndryshuar kulmin. Për shembull, kulmi ka qenë me të gjelbër, e kan bërë me të kuqe”, thotë Fanaj.
 
Ai shton se problem tjetër është përdorimi i gurëve të ndryshëm për mure. Dikush, sipas tij, ka përdorur gurë nga Opoja, dikush nga Maqedonia e dikush nga Malisheva.

Po ashtu ndërtuesit kanë bërë bashkim të vilave si dhe kanë ndërtuar garazhe.

“Atje nuk parashihen garazhe, e të gjithë kanë bërë garazhe nëpër oborret e veta”, thotë Fanaj.

Fanaj pohon se pas ndërtimit të bazamentit të vilës nga kompania e tij ka pasur raste kur pronari ka gërmuar vetë më thellë dhe e ka hedhur bërllokun në vende të ndryshme.

“Imagjino unë kam bërë bazamentet sipas projektit dhe investitori pas një viti e ka shkulë atë bazament dhe i ka bërë së bashku dy vila a tri dhe e ka bërë një pallat”.

Ai thotë se ka pasur edhe raste kur një person ka marrë lejen për ndërtimin e një vile njëkatëshe, por që e ka ndërtuar katërkatëshe.

“Fajin e ka inspektorati që nuk i ka mbikëqyrë”, tha ai. 

Në një rast tjetër, sipas tij, dikush ka ndërtuar dy vila në një hapësirë të paraparë për ndërtimin e parkut.

Fanaj pohon se vilat mund të jenë në pronësi të politikanëve, por thotë se nuk mund të flasë me siguri për pronësinë e vilave pasi atyre i është ndërruar pronari.

“Në fillim kur i kam ndërtuar unë bazamentet, nuk ka pasur shumë ministra”, thotë Fanaj.

“Përsonat privatë, bosët, politikanët…i kanë bërë shkeljet” 

Derisa pronari i kompanisë kontraktuese fajëson komunën për shkelje ligji duke lejuar degradimin e Prevallës, një zyrtar i qeverisë lokale thotë se vetë kompania private kishte kryer shkelje ligjore.

Sadik Paçarizi, drejtor i urbanizimit në Prizren, pohon se organet komunale kanë qenë në dijeni se në Prevallë po abuzohej me ligjin.

“Drejtoria e urbanizmit i ka njoftuar personat që kanë ndërtuar se ka tejkalim të leje-ndërtimit”, thotë Paçarizi. 

Ai pohon se më 4 gusht të vitit 2011 i ka dërguar një shkresë drejtorisë së inspektoratit komunal për të parandaluar ndërtimet pa leje.

“Ju kërkojmë të ndërmerrni masat për ndërtime pa leje e të egra në këtë zonë në kuadër të kompetencave ligjore konform ligjit për ndërtim e rregulloreve përkatëse”, citon Paçarizi shkresën e tij.
 

Sipas tij, kjo shkresë i është dërguar edhe Drejtorisë për Krime të Rënda e Anti-korrupsion dhe se ata kanë caktuar një termin për dalje në vend të ngjarjes.

“Ata kanë filluar hetimet dhe ne kemi marrë hapa në ndalimin e punimeve nga kontraktori me qenë se ka pasur shkelje të kryera prej tij”, thotë Paçarizi.

“Ne kemi bërë ndërprerjen e kontratës dhe nuk e kemi vazhduar atë. Sa jam unë drejtor që dy vite kontrata me të nuk është vazhduar”, shton ai.

Sipas tij, kontraktori kishte ndërtuar bazamente më të gjëra se sa që lejohej.

Në anën tjetër Fanaj pronar i kompanisë së kontraktuar thotë se ai nuk është fajtor për këtë.

Sipas tij, ka pasur raste kur pronarët kanë bashkuar bazamentet e dy vilave dhe e kanë bërë një të vetme – që të duket si pallat.

Hetimet i konfirmoi Sylë Hoxha, kryeprokuror në Prizren.

“Unë kam autorizuar policinë për të bërë hetime në këtë rast”, tha Hoxha. “Hetimet zhvillohen ndaj komunës për mënyrën se si ka shkuar projekti dhe si janë lejuar ndërtimet”.

Ai tha se për shkak se hetimet mund të dëmtohen nuk mund të flasë më tepër për to. Hoxha është po ashtu vetë ndërtues në këtë park nacional.

Paçarizi i komunës thotë se Drejtoria e Urbanizmit ishte përpjekur që në vitin 2011 të vendoste një kufizim të kohës së lejuar për ndërtim, por ky rekomandim nuk ishte përkrahur nga Asambleja Komunale në Prizren.

Ai pohon se organet komunale u munduan të vendosin rregull, por se nuk mundën të ndalonin ndërtimet jashtë kritereve “të njerëzve të fuqishëm”.

“Personat privatë, bosët, politikanët…i kanë bërë shkeljet”, thotë zyrtari komunal.