Histori Dashurie në Një Shishe

Në thelbin e vet, tregimi i birrarisë artizanale Sabaja është tregim rreth dashurisë: dashurisë ndërmjet një djali dhe një vajze, dhe dashurisë së tyre të përbashkët ndaj birrës së mirë. 

Alex Butler dhe Etida Zeka, që të dy 26 vjeç, u takuan si studentë biznesi në Rochester Institute of Technology në New York. 

Butler, amerikan, dhe Zeka, kosovare, u dashuruan. 

Më vonë, Zeka u dashurua në një nga birrat e bëra nga vetë Butler, një Russian Imperial Stout. 

“Ishte ndryshe nga çdo gjë që kam shijuar ndonjëherë kudo. Kishte shije të pasur dhe aromë të mrekullueshme, dhe vërtet më pëlqeu”, tha Zeka. 

Alex Butler dhe Etida Zeka

Birra e zezë dallonte për nga përmbajtja e alkoolit prej 9 për qind – dyfishi i përqindjes së shumicës së birrave. Zeka s’piu shumë nga ajo birrë, por ajo i dha asaj një ide: hapjen e një birrarie në Kosovë.   

Rreth dy vjet më vonë, birraria Sabaja e Zekës dhe Butler-it, e vendosur në paralagjen Hajvalia të Prishtinës, është fiksuar për të nxjerrë birrat e saj të para, India Pale Ale dhe Red Ale. 

“Të dyja këto do të kenë rreth 200 për qind të shijes së çdo birre aktualisht në dispozicion – me disa përjashtime”, tha Butler. 

Birrë e mbushur me dorë: 

Qarkullimi fillestar i Sabajës do të jetë i vogël – vetëm 1.600 litra, të cilat bëjnë 4.800 shishe. Ata mbushën shishet e tyre të para një jave, të gjitha me dorë. 

Lansimi i parë do të përfshijë shijimin e birrës në birrari, por Sabaja do jetë e disponueshme edhe në bare dhe restorante të Prishtinës. Pronarët presin që birrat të shiten për rreth dy ose tre euro. Çmimi do të jetë i ngjashëm me birrat Premium që importohen në Kosovë, por rreth dyfish më e shtrenjtë se Peja. 

Vetëm dy birrari komerciale operojnë në Kosovë, lideri i tregut Peja dhe konkurrenti i saj i vogël, Hugos. Të dy birraritë prodhojnë lager birra që janë kryesisht të njëjta me njëra-tjetrën, dhe disa importe nga Europa.   

“Amerikanët e mendojnë Europën si bastion të birrave klasike, por këtu, në Kosovë, gjithçka shijon njëjtë. Sinqerisht, nëse më sillni përpara një Lasko, Heineken dhe Tuborg, nuk do të mund të dalloja ndryshimin”, tha Butler, i cili u zhvendos në Kosovë në gusht për të filluar me Sabajën. 

“Ajo që ne synojmë është t’u japim njerëzve llojllojshmëri”, shtoi ai. 

Birrat e Sabajës do të sjellin atë për të cilën Kosova ka nevojë – mënyrën minimale amerikane të prodhimit të birrës në tregun Kosovar, thanë pronarët.  

Birrat amerikane të prodhimit të vogël kanë nam për shije më të spikatur falë përdorimit më të bollshëm të Hops-it, faktori që e bën birrën e idhët. 

India Pale Ale, birrë me më shumë Hops, që zakonisht quhet IPA, është bërë tipike për birrën artizanale amerikane, edhe pse prejardhja e saj është nga Britania. 

Birrat artizanale amerikane kanë filluar të shfaqen nëpër Europe gjatë dekadës së kaluar. IPA-të madje prodhohen edhe në Serbi, Greqi e Turqi. 

IPA, në veçanti, do të jenë një shije e re për Kosovën, kryesisht për shkak të hidhësisë së saj. Edhe me përhapjen e birrave të importuara në vitet e fundit – tani është e mundur të marrësh birrë belge – asgjë në treg nuk i afrohet hidhësisë së një IPA.  

“Nuk jemi për të gjithë”, tha Butler. “Kemi një target mjaft specifik: adhuruesit e birrave dhe njerëz që janë të gatshëm të rrezikojnë dhe të provojnë gjëra të reja”.

Targeti i Sabajës përfshin njerëz si Gent Thaçi. 18 vjeçari, entuziast i birrës, u kthye tani së voni nga një program studimi një vjeçar në SHBA dhe thotë që Kosova është e gatshme për IPA.  

“IPA është një birrë me të vërtetë shumë e mirë të cilën do ta shijoj të prodhuar në Kosovë”, tha Thaçi. “Për njerëz të tjerë, ndoshta do të jetë një gjë e re, por e kam përshtypjen që do ta pëlqejnë”.

Nën hijen e Pejës: 

Zija Lenjani, megjithatë, nuk mendon që Kosova ka etje për birrë me shije më të fortë. 

Lenjani hapi Birrarinë Hugos në Kamenicë në vitin 2001, pasi që kishte prodhuar birrën në Gamla Slottskallans Bryggeri të Suedisë gjatë të ‘90ve. 

“Ndryshimi ndërmjet asaj çfarë kam prodhuar në Suedi dhe çfarë prodhoj këtu është shumë i madh”, tha Lenjani. “Atje kam prodhuar birrë të pafiltruar dhe të papasterizuar. Ajo birrë ka të gjitha vitaminat, proteinat dhe është një produkt komplet. Por këtu, njerëzit mendojnë që është e prishur”.

Rrjedhimisht, Lenjani është detyruar të prodhojë birra lager me një “shije neutrale”, edhe pse së fundi ai ka nxjerrë në treg birrën e zezë. 

Hugos ka mbetur nën hijen e Pejës. Lenjani tha se birraria e tij operon me vetëm 10 për qind të kapacitetit të saj, me vetëm shtatë punëtorë krahasuar me 70 sa kishte në fillim. 

Trazirat e 2004-s në Kosovë ishin veçanërisht shkatërruese për Hugos. Ai tha që konsumatori serb nuk e pinte më birrën e tij, dhe biznesi humbi 300,000 euro. 

Hugos u tërhoq nga tregu i birrës nga 2004 deri në vitin 2009, dhe biznesi mbetet ende i ngadalshëm. 

Birrat Hugos vështirë gjenden në treg. Lenjani tha se një nga problemet më të mëdha të tij është që blerësit e mëdhenj nuk ia bëjnë pagesën deri 60 ditë pas pranimit të produktit, derisa ai vetë është i obliguar të paguajë tatim mbi vlerën e shtuar çdo muaj. 

“Por s’do të dorëzohem”, tha Lenjani, duke shtuar që planifikon të prodhojë birrë të grurit dhe stout. 

Shija e vitit të kaluar: 

Vizita në birrarinë e kohës së Jugosllavisë, atë të Pejës, në qytetin me po të njëjtin emër në Kosovën perëndimore, të bën të ndjehesh sikur je kthyer prapa në kohë.  

Derisa Peja është e pajisur me teknologjinë më të mirë të prodhimit dhe mbushjes së birrës, strukturat e vjetruara të betonit duket se kanë ndryshuar pak nga 1971, atëherë kur paraardhësi i Pejës, birra Pečko, ishte krijuar. 

“Receta e birrës është ende e njëjtë, që nga fillimi, por kemi bërë ndryshime në teknologji”, tha Arianit Kastrati, menaxher i shitjes në Peja. 

Derisa Sabaja dhe Hugos po provojnë të sjellin diçka të re në tregun e birrës në Kosovë, lideri i tregut, Peja, po e bën të kundërtën. 

Peja së fundi ndaloi së prodhuari njërën nga dy birrat me të njëjtin emër, Peja Premium. 

“Nuk e prodhojmë më Pejën Premium sepse njerëzit thjeshtë nuk e pinin. Është e çuditshme se si njerëzit paguajnë më shumë për një Heineken, në vend se të blejnë një produkt vendor”, tha Kastrati. 

Problemi më i madh është se njerëzit në Kosovë nuk pinë shumë birrë. 

Kosovarët janë ndër popujt që pinë më së paku birrë në Europë, me mesatare prej 13 litra për person çdo vit. Ndërsa, çekët për shembull pinë 10 herë më shumë. 

Më herët këtë vit, Peja iu nënshtrua një ndryshimi në dizajn, me ndryshimin e etiketës nga letra e thjeshtë në atë metalike. 

Arianit Kastrati birraria Peja

Derisa Peja ka ndaluar së prodhuari Premium, ajo planifikon të lansojë një birrë jo-alkoolike të re. Peja gjithashtu prodhon një të tillë me shije ananasi, ndërsa e reja do të jetë pa shije të veçantë, thotë Kastrati. 

Por s’ka plane për të bërë birrë alkoolike të re, dhe sa i përket konkurrencës, Kastrati tha se nuk brengoset. 

“Jemi të vetëdijshëm rreth kësaj, por mendojmë që është e vështirë të na marrin konsumatorët, sepse kemi organizim më të mirë. Kapacitetet e tyre janë të vogla”, tha Kastrati.

Pronarët e Sabajës thanë që nuk janë të interesuar të marrin konsumatorët e Pejës. Në fakt ata planifikojnë të ofrojnë kurse për prodhimin manual të birrës dhe të trajnojnë konkurrentët e tyre të ardhshëm. 

“Nuk u frikohem birrarive të tjera që po hapen, në fakt i mirëpres”, tha Butler. “Sa më shumë birra që të kemi në Kosovë, aq më mirë”.