Kasandra Jeton me Stres dhe e Vetmuar

Kasandra është arusha e parë që është strehuar gjatë marsit në strehimoren e organizatës jo-qeveritare “Vier Pfoten”.

Ishte gjetur duke jetuar në një kafaz të vogël në një restorant në Duhël të Suharekës.

Aty kishte jetuar aty deri në moshën 10 vjeçe.

Por tani Kasandra po i frikësohet habitatit të ri derisa po bëhen përpjekje që të adaptohet.

“Ajo është shumë e stresuar sepse ka jetuar në një hapësirë shumë të vogël si këlyshe dhe për një kohë shumë të gjatë”, thotë Afrim Mahmuti, drejtor i organizatës “Vier Pfoten” për Kosovë.

Sipas tij, Kasandra ishte gjetur në gjendje jo të mirë shëndetësore për shkak të ushqimit të parregullt dhe trajtimit jo të duhur.

Deri në fund të prillit, megjithatë, ajo do të fillojë të adaptohet me shtëpinë e re të cilën organizata e ka emëruar si “Pylli i Arinjve”, tha ai.

Ky pyll ka hapësirë prej 15,6 hektarësh, tokë e dhënë nga komuna e Prishtinës, dhe gjendet në afërsi të liqenit të Badovcit, rreth 20 kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Hapësira ndahet në zona për të adaptuar arinjtë në socializim. Pastaj ata pritet të lëshohen në habitatin natyror, që është i ndarë në dy pjesë.

Përveç Kasandrës, kjo organizatë, në bashkëpunim me ministrinë e mjedisit, ka në listë edhe 14 arinj të tjerë që mbahen nëpër kopshte të vogla zoologjike dhe në disa restorante e të cilët planifikon t’i vendosë aty.


Afrim Mahmuti

Agronomi Mahmuti thotë se 15 arinjtë planifikohet të kenë një trajtim të veçantë para se të lëshohen në natyrë – për shkak të viteve të kaluara në kushte jo-adekuate.

“Sot këta arinj nuk dinë të jetojnë të lirë në natyrë pasi që janë mësuar me jetesën në kafaze”, tha Mahmuti. “Projekti parasheh programin e angazhimit të tyre, duke filluar me lojën me lodra, fshehje të ushqimit e të tjera”.

Në këtë qendër do të ketë kujdestar, veterinar dhe të tjerë të punësuar nga fshatrat përreth pyllit.

“Njerëzit janë skeptikë për këtë punë, por kjo është në të mirë të vendit sepse mbrojmë speciet në rrezik”, tha Mahmuti.
Fondet për ndërtimin e pyllit të arinjve janë të organizatës e cila për fazën e parë ka ndarë 200 mijë euro. Faza e dytë parasheh 400 mijë euro të tjera shpenzime. 

“Vier Pfoten” nga Austria kishte nisur kontaktet e para me autoritetet kosovare në fillim të vitit 2012 për të paraqitur projektin e tyre për mbrojtjen e arinjve.

Kjo organizatë ka projekte të tilla edhe në Austri, Bullgari dhe Gjermani. Ndërsa, projekti i ngjashëm ka ngecur në Shqipëri dhe Serbi.

Fotot e Kasandrës Nxisin Reagim

Ministria e mjedisit dhe Vier Pfoten tashmë kanë nënshkruar një marrëveshje e cila i jep të drejtën organizatës për përkujdesjen e arinjve të moshave të ndryshme.

Rifat Morina, bashkëpunëtor i projektit nga ana e ministrisë, thotë se kontaktet e para me organizatën ishin bërë në fillim të vitit 2012.

Morina tregon se si KFOR-i austriak, duke mbuluar territorin e Suharekës, kishte bërë disa fotografi të Kasandrës në vitin 2011 që ishin publikuar në mediat austriake.

Fotot i kishin rënë në sy edhe organizatës me renome për mbrojtjen e kafshëve nëpër botë.


Kasandra

Kasandra mbahej në një kafaz shumë të vogël në restorantin “Gjeraqina” në Duhël, 10 kilometra larg Suharekës, përskaj rrugës kryesore.

“Ajo ishte në një gjendje të rëndë”, tha Morina.

Morina thekson se ministria që nga viti 2005 kishte listën e kafshëve të rrezikuara, duke përfshirë arinjtë, pas vizitave të bëra nëpër kopshte të vogla zoologjike dhe restorante.

Restoranti “Freskia” në parkun Gërmia ka dy arinj, minikopshti zoologjik “Te Ariu” në Prishtinë ka pesë, kopshti zoologjik “Shqiponja” në Prizren ka dy, në Mitrovicë gjen dy, në Rugovë të Pejës janë dy dhe një ari jeton në Novoselë të Pejës.

Ligji për Mbrojtjen e Natyrës i vitit 2010 mbron arinjtë e murrmë nga gjuetarët në Kosovë.

Disa Pronarë Refuzojnë të Japin Arinjtë

Minikopshti zoologjik “Shqiponja” në Prizren refuzon t’i japë dy arinjtë pasi thotë se nuk beson se projekti do të jetë në dobi të arinjve.

“Këtu është një dallavere. Nuk i besojmë këtij rezervati (strehimores)”, tha Osman Goranci, menaxher i kopshtit.

Goranci tha po ashtu se ministria nuk mundet t’ua marrë arinjtë pasi që kopshti kujdeset mirë, jo vetëm për arinjtë, por edhe për të gjitha 144 shpezët e kafshët tjera që i kanë në dispozicion.
“Ne jemi OJQ. Nuk po mundemi të licencohemi si kopsht zoologjik për shkak të mungesës së ligjit. Kemi bërë shumë kërkesa për licencim”, Goranci i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai tha se dy arinjtë ishin sjellë në mini-kopsht nga KFOR-i amerikan në vitin 2003 pas kërkesës së shoqërisë së bjeshkatarëve “Sharri” për t’i gjurmuar këlyshet të cilat, pas vrasjes së nënës së tyre nga gjuetarët, i ishin “shitur” një personi në Kosovë.

“Në mars të viti 2003, ushtarët amerikanë i konfiskojnë këlyshet dhe drejtohen tek KTV-ja në Prishtinë ku marrin informata se në Prizren ekziston një Zoo-Park dhe i sjellin tek ne”, tha Goranci.

Rifat Morina, zyrtari i ministrisë, thotë se ligji për kopshtet zoologjike nuk ka qenë në plan të institucionit. “Ky ligj nuk ka qenë prioritet i ministrisë”, tha Morina.


Arinjtë të fjetur “Te Ariu”

Restoranti “Te Ariu” që gjendet në periferi të Prishtinës, mban pesë arinj, përveç kafshëve tjera.

Naim Muja, pronar i restorantit, po ashtu shpreh mosbesim tek projekti.

Po ashtu, ai thotë se strehimorja nuk garanton se arinjtë nuk mund të largohen nga aty dhe të rrezikojnë fshatrat përreth kur do t’ju mungojë ushqimi.

“Një rrethojë e kanë me rrymë. Por, a kanë llogaritur se kur të ndalet rryma, arinjtë nuk do t’i prishin ato?”, tha Muja.

Përveç kësaj, ai thekson se ministria duhet t’i kompensojë ata për marrjen e pesë arinjve të tyre.
“I kemi rrit vetë për shumë vite. Duhet të kompensohemi”, tha Naim Muja.

Ministria nuk ka folur për kompensimin e mundshëm.

Pronari i restorantit “Freskia” në parkun e Gërmisë thotë se udhëheqësit e projektit të paktën duhen të sjellin dokumente për t’i plotësuar. “Ka mbet të vijnë e t’i marrin. Por pa dokumentacione nuk i jap”, Nazmi Kastrati i tha Gazetës Jeta në Kosovë.


Freskia

Vier Pfoten është organizatë ndërkombëtare që lufton për mirëqenie të kafshëve. Ka një numër të madh të fushatave që bëhen për krijimin e kushteve më të mira kafshët në ferma, kafshët e egra, kafshët laboratorike dhe kafshëve shoqëruese.

E themeluar në vitin 1988 në Austri, organizata lobon dhe dorëzon propozime në qeveri të shteteve të ndryshme ku mund të ndihmojë për të ndihmuar ligjet kombëtare për mirëqenie të kafshëve.

Sot, Vier Pfoten ka zyre në dhjetë shtete europiane, Afrikë Jugore dhe SHBA.

Projektet përfshijnë arinjtë, luanët, majmunët, kafshët e cirkut, qentë dhe macet endacake.

Rifat Morina i ministrisë thotë se nuk ka të dhëna të sakta për numrin e arinjve në Kosovë për shkak të mungesës së një studimi përkatës.

Shkrimi është publikuar fillimisht më 22 prill 2013