Pemëtaria: Një Hapësirë Biznesi me Potencial

Jo shumë vjet më parë, një udhëtim nëpër Kosovë me veturë do t’u dërgonte shpesh nëpër rrugë të ngushta përmes parcelave të gjelbra e ndonjëherë afër zonave të mbjella me luledielli.  

Luledielli kultivohej nga kooperativat shoqërore. Mirëpo, për shkak të industrializimit të vogël, edhe ekonomitë familjare kanë qenë në përgjithësi tradicionalisht të lidhura me tokën – me prodhime shpesh të shkallës së mbijetesës. 

Tani, vitet e fundit bujqësia dhe sidomos pemëtaria po nxisin investimet e biznesmenëve privatë si një hapësirë e re e me potencial. 

Disa fermerë kanë privatizuar tokë ose e kanë trashëguar atë dhe i kanë kthyer parcelat në plantacione pemësh. Kryesisht të mollës.

Gjithashtu të dhënat e lëshuara për Gazetën Jeta në Kosovë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se vitin e kaluar vendi kishte mbi 2300 biznese më shumë në krahasim me vitin 2008 e të cilat kishin për aktivitet bujqësinë dhe pemëtarinë. 

Më 2012, ishin të regjistruara 9226 biznese të këtilla.

Sali Salihu, profesor në fakultetin e bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, thotë se prodhimi në sipërfaqe të mëdha është më profitabil sepse “në njërën anë kostoja është më e ulët dhe njëkohësisht plasmani i prodhimit në treg është më i lehtë”.

Ministria e Bujqësisë thotë se gjatë katër viteve – 2008 deri më 2012 – dha mbi 41 milionë e 507 mijë euro subvencione në bujqësi. Ajo parasheh shumë më tepër, mbi 27 milionë euro subvencione, këtë vit. 

Në fushën e pemëtarisë, ministria thotë se po subvencionon me rreth 1.2 milionë euro ndërsa ka për prioritet rritjen e sipërfaqeve me mollë. 

“Këtë vit ngritjen e pemishteve të reja me mollë e përkrahim me 700 mijë euro”, thotë zëdhënësi Adil Behramaj. “Çdo vit arrijmë të shtojmë dhe të investojmë në rreth 150 hektarë me mollë”.

Behramaj shton se në përgjithësi sipërfaqe të ngritura me mollë në vend janë 1680 hektarë dhe rendimenti mesatar i tyre sillet në 15-20 tonë për hektar.

Sipas këtyre statistikave, Kosova ka më shumë rendiment në mollë, rreth 25 mijë tonë, sesa për shembull Suedia e cila ka rreth 20 mijë tonë rendiment. 

Privatizim për mollë

Rexhep Spahiu privatizoi 30 hektarë tokë në Llugaxhi të Lipjanit, më 2006, një komunë me kualitet të lartë të tokës. 

Hapësira ishte një kooperativë bujqësore ku kultivohej drithi. 

Labinot Spahiu, menaxher në biznesin me emrin “Agrovizion”, thotë se menduan se do të ishte më me benefit që tash të merreshin me kultivimin e mollës, dardhës, dredhëzës dhe perimeve.  

Në dymbëdhjetë hektarë tokë mbollën mollë, tregon ai. “Qeveria na ndihmoi me rreth 100 mijë euro”, thotë Spahiu. 

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, për ngritjen e pemishtes me mollë, për 1 ari kërkohen rreth 120 euro investime. Në këtë rast, i bie se qeveria ndihmoi në ngritjen e 75 për qind të pemishtes. 

“Agrovizioni” pret të bëjë të vjelat e para sivjet. Moti ka qenë ndihmues sepse të reshurat nuk kanë dëmtuar pemët. 

Gjithashtu biznesi ka blerë depot moderne me ftohës në të cilat mund të ruajnë deri në 800 tonë pemë dhe perime. 

“Ky është viti ynë i parë i prodhimit”, tha Spahiu, i cili ende nuk e di profitin e mundshëm. “Por e kemi objektiv që të jemi sa më afër konsumatorit”.

Në “Agrovizion” janë 10 punëtorë të rregullt dhe 50 të tjerë sezonalë të cilët merren me kultivimin e pemëve dhe perimeve në plantacione. 

Spahitë thonë se në të kaluarën nuk janë marrë me biznese pemësh.

Një vend i tërë me mollë

I tërë vendi të duket se është i mbuluar me mollë në Kovragë të Istogut. 

Dhjetë persona kultivojnë 100 hektarë, kryesisht të mbjella me mollë e pak me kumbulla, dhe kanë krijuar një shoqatë me emrin “Pema Kovragë”.

Katërdhjetë prej hektarëve i mbollën para katër vitesh. Edhe ata u ndihmuan me rreth 150 mijë euro për ngritjen e pemishteve nga qeveria. 

Përfaqësuesi i shoqatës Qazim Blakaj, një burrë 55 vjeç, tregon se qindra punëtorë angazhohen çdo vit në muajin tetor që të vjelin mbi 1 milionë e 200 mijë kilogramë mollë për konsum. 

Blakaj tregon së një kilogram mollë ata e shesin nga 28 deri në 32 centë për tregtarët kosovarë, e këta më pas e çojnë në treg me çmim më të lartë. 

Kështu del se biznesi ka rreth 360 mijë euro shitje në vit.

“Dy vjet kemi eksportuar edhe në Shqipëri e Mal të Zi, por tani gjithë prodhimi ynë konsumohet vetëm në Kosovë”, tha Blakaj. 

Por ai thotë se këtë vit breshëri në rajon ka dëmtuar pemishten me diku 50 për qind. “E vetmja mundësi që të mos i hedhim pemët në mbeturina është me i shndërru në alkool”. 

Blakaj thotë se rreth 50 njerëz jetojnë prej këtij biznesi. 

“Unë nuk punoj asgjë tjetër, ekskluzivisht me këtë punë merrem”, tha ai. “Komplet familja dhe thuajse gjithë fshati jemi të drejtuar në këtë veprimtari”. 

Mollët, pas suksesit me dredhëza

Një tjetër biznesmen, Mehdi Bresilla inxhinier i bujqësisë nga Drenica, ka privatizuar rreth 37 hektarë tokë në Lipjan dhe ka filluar të merret me pemë. 

Në dymbëdhjetë hektarë kultivon dredhëz.

“Këtë vit kemi pasur shitje mbi 12 mijë euro”, tha ai. “Fatmirësisht nuk kemi pas dëmtime nga breshëri ose temperatura e ultë”.

I gjithë prodhimi i tij është i koncentruar për shitje në Kosovë, edhe pse Bresilla tregon se vitin e kaluar kanë eksportuar një sasi jo të madhe të dredhëzës edhe për Shqipëri. 

Ai sivjet pret edhe të vjelat e para të mollës pasi mbolli 7 hektarë me pemishte.

Shortet e mollës ende janë të reja. 

“Këtë vit i kemi vetëm 7000 kilogramë mollë për konsum, pasi ato janë molla të reja”, thotë Bresilla.  

Edhe ai tregon se në zgjerimin e biznesit të tij i ka ndihmuar Ministria e Bujqësisë. 

“Qeveria vitin e kaluar për molla më ka ndihmuar me 16 mijë e 309 euro, ndërsa para tri vjetëve  më kanë ndihmuar me 6000 mijë euro”, thotë Bresilla. 

“Ne, momentalisht jemi duke bërë edhe investime tjera vetanake në zgjerimin e biznesit”.

Bresilla thotë se me këtë veprimtari është marrë që nga viti 1985 kur edhe ka përfunduar studimet në këtë drejtim.

Edhe pse thotë se fitimet janë të vogla, ai tregon që 16-të anëtarë jetojnë nga puna që bëjnë në plantacion. 

Madje djali dhe nipi i tij kanë përfunduar studimet në fushën e bujqësinë dhe ai është i lumtur e llogarit që edhe pas tij do të ketë kush të merret me vazhdimin e kësaj veprimtarie.  

Reagime: Kosova dhe shtetet tjera

Tahir Tahiri, kryetari i federatës sindikale të buqëve të Kosovës, thotë se rritja e numrit të bizneseve që kanë në plan bujqësinë dhe pemëtarinë ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit. 

Por si shton se vendi ka mundësi dhe kapacitete natyrore që nuk po shfrytëzohen sa duhen nga qeveria e vendit. “Kosova e ka tokën, ujin dhe klimën më të mirë në rajon dhe gjithë kjo nuk është duke u shfrytëzuar për hiç më shumë se 30 për qind të mundësive”. 

“Nuk mund të kemi zhvillim të bujqësisë dhe eksport jashtë vendit, derisa shteti e ndan vetëm afër 2 për qind të buxhetit për bujqësinë”, shton ai. “Ndihma nga qeveria është minimale, bile ne këto ndihma i quajmë sociale”. 

Shtetet e rajonit, sipas tij, janë shumë më mirë në këtë drejtim. “Maqedonia ndan mbi 4 për qind të buxhetit për bujqësinë, derisa Serbia dhe Kroacia e kanë mbi 7 dhe 8 për qind”. 

Sali Salihu, ligjëruesi i bujqësisë, thotë se buxheti kosovar për bujqësi në vitin 2013 përbënte 1.6 të buxhetit të përgjithshëm. 

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të vitit 2012, tregojnë se rreth 144,517 njerëz janë të punësuar në bujqësi në vend – që është rreth 51 për qind e totalit të të punësuarve ose 8.5 për qind e të gjithë banorëve. 

Kjo shifër është dukshëm më e lartë se në Suedi, ku për shembull, Bordi i Suedez i Bujqësisë thotë se vetëm rreth 2 për qind e forcës punëtore angazhohen në bujqësi. Rreth 70 për qind e tyre gjithashtu janë më të vjetër se 50 vjeç.

Në Kosovë, rreth 95 për qind e të punësuarve në bujqësi janë 16-65 vjeç.

Një raport i korrikut 2013 i Komisionit Europian ndërkohë thotë se rreth 5 për qind e totalit të të punësuarve në BE i takojnë bujqësisë. Mbi 90 për qind e bizneseve u takojnë familjeve. 

Gjithashtu në Bashkimin Europian, mesatarisht 1.85 për qind e GDP-së vjetore të shteteve kthehet në kërkim dhe zhvillim në sektorin e bujqësisë. 

Ministri i Zhvillimit Rural të Hungarisë, Sandor Fazekas, më 2011 në një revistë të kërkimeve të bujqësisë thoshte se ky shtet më 2009 ndau 1.80 për qind të GDP-së së vetë ose 1.06 miliard euro për këto qëllime. 

Në përgjithësi, sipas tij, kishte 240 njësi kërkuese hungareze që punësonin mbi 4000 njerëz, gjysma e të cilëve shkencëtarë. “Këto institucione kanë qenë tradicionalisht kështjellat e jetës hungareze akademike”.