Ilustrim

Fabrika e Mjaltit Punëson Familjarët e Krerëve të Deçanit

Investim i përbashkët “Golden Honey” i komunës së Deçanit dhe Bashkimit Euorpian ka punësuar rreth 20 persona, por projekti dhe komuna e vogël kritikohen për nepotizëm pasi në mesin e të punësuarve ka edhe familjarë të udhëheqësve lokalë. 

Fabrika që merret me përpunimin e mjaltit nisi punën më 1 qershor të këtij viti. Më shumë se dy muaj më vonë një përfaqësues i shoqërisë civile në komunë, Adem Lushaj, thotë se komuna mund të rrezikojë të futet në listën e zezë të përfituesve të mbështetjes financiare për shkak se projekti nuk u menaxhua si duhet.

“Madje ka edhe gra të drejtorëve të drejtorive komunale që punojnë aty”, thotë Lushaj nga  OJQ “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Kulminacioni arriti kur u shpall konkursi për punësim, drejtorët emëruan si punëtorë në fabrikë bashkëshortet e tyre, Blerim Bajraktari

Këtë e pohon edhe Blerim Bajraktaraj, këshilltar komunal i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili thotë se zyrtarët e përdorën fabrikën më shumë si një mundësi punësimi për familjarët. “Kulminacioni arriti kur u shpall konkursi për punësim”, tha Bajraktaraj. “Për shembull, drejtorët emëruan si punëtorë në fabrikë bashkëshortet e tyre…”.

Gazeta ka vërtetuar se pohimet e shoqërisë civile dhe opozitës janë të mbështetura dhe se ka nepotizëm.  

BE-ja në fillim të vitit 2012 dha donacion një shumën prej 530 mijë eurosh dhe komuna participoi me 80 mijë të tjera në ndërtimin e fabrikës.

Zëdhënësi i zyrës së BE-së në Prishtinë Stojan Pelko thotë se përgjegjës për përzgjedhjen e punonjësve të fabrikës janë organet komunale të Deçanit. “…Subjektet përgjegjëse për të adresuar çështjen e përshtatshmërisë së profileve janë institucionet përkatëse të komunës”, tha Pelko. 

“Subjektet përgjegjëse për të adresuar çështjen e përshtatshmërisë së profileve janë institucionet përkatëse të komunës, Stojan Pelko

Komuna e Deçanit më 12 prill të këtij viti shpalli konkursin për punësimin e 20 vetave në ndërmarrjen e re të krijuar nëpërmjet fondeve komunale dhe të BE-së. 

Agron Demukaj, drejtor për buxhet dhe financa në komunën e Deçanit, është kryetar i bordit menaxhues të fabrikës së përpunimit të mjaltit. Prindi i tij Haxhi Demukaj ka punuar në këtë projekt si konsulent  i jashtëm.

“Babai është magjistër i bletarisë dhe është i vetmi ekspert në Kosovë për këtë lëmi”, thotë Demukaj. “Ne e kemi pasur një konkurs për punëtorë. Ka qenë i hapur përmes gazetës. Ne bordi e kemi bërë një komision … dhe përzgjedhjet kanë qenë preferencë e këtij komisioni”.

Nasim Haradinaj është një zyrtar tjetër i Deçanit që ka të punësuar familjarë në fabrikë. Gejlane Haradinaj, bashkëshortja e drejtorit lokal të bujqësisë e zhvillimit rural, është e punësuar si menaxhere e prodhimit në fabrikë. 

“Gruaja ime ka qenë laborante në fabrikë të ujit në Suedi. Është kimiste dhe ekonomiste.  Mendoj se komuna duhet të ndihet shumë keq për faktin që gruaja ime është punësuar në një vend që nuk është asgjë”, thotë Haradinaj duke aluduar se bashkëshortja e tij ka përgatitje për të angazhuar në një vend më të mirë pune. 

“Nuk është punësuar si bashkëshorte e drejtorit por si profesioniste me përvojë pune nga Suedia”, thotë Haradinaj.  

“Nuk është punësuar si bashkëshorte e drejtorit por si profesioniste me përvojë pune nga Suedias, Nasim Haradinaj

Në fabrikën e përpunimit të mjaltit është punësuar edhe bashkëshortja e drejtorit lokal të shëndetësisë Haki Shehaj. Fatmire Mulliqaj është punësuar në repartin e paketimit në këtë fabrikë. 

“Unë nuk kam pasur lidhje me atë fabrikë…Ajo vetë ka konkurruar. Unë nuk kam asnjë lidhje me punësimin e saj”, thotë Shehaj. 

“Kriteret u respektuan 90 për qind”

Zyrtari komunal që ishte anëtar i komisionit për përzgjedhjen e punonjësve Arten Hamza, drejtor komunal për zhvillim ekonomik, nuk pranoi të fliste për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, për çështjet që ndërlidhen me fabrikën e përpunimit të mjaltit “Golden Honey” mund të flasë Mirsat Nimonaj, menaxher i projektit. 

Nimonaj , i përzgjedhur edhe vetë nëpërmjet konkursit, thotë se në fabrikë njerëzit u punësuan   në mënyrë të rregullt por nuk përjashton mundësinë që të ketë pasur parregullsi të vogla. 

“Qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë, porse nuk ka parregullsi të mëdha”, thotë ai.  

“Qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë, porse nuk ka parregullsi të mëdha, Mirsat Nimonaj

 “…Është krejtësisht normale ndoshta që të përvidhet ndonjë parregullsi. Por, unë shpresoj se mbi 90 për qind iu kemi përshtatur kushteve të konkursit duke e bërë një zgjidhje optimale për fabrikë. Janë respektuar si kritere mosha, gjinia e përvoja”, shton Nimonaj. 

Ai pranon se të afërm të zyrtarëve të lartë komunal janë punësuar në fabrikë. Thotë se i plotësuan kriteret e konkursit. 

“Është një grua që ka kryer fakultetin e biokimisë në Suedi dhe njohja e saj e gjuhëve të huaja, njohja e saj e informatikës, na ka shtyrë që ta kemi atë në këtë fabrikë”, thotë Nimonaj duke iu referuar bashkëshortës së Nasim Haradinajt. 

Ai thotë se edhe gruaja e drejtorit të shëndetësisë Haki Shehajt u punësua në fabrikë por nuk përmend se çfarë shkollimi  të kryer ka ajo por pohon se “punësimi i saj nuk është ndonjë benificion i veçantë”. 

Ndërkaq, kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj nuk komentoi punësimin e familjarëve të drejtorëve lokal në fabrikën e përpunimit të mjaltit. 

“…Punësimi i punëtorëve është çështje e komisionit, i cili e ka bërë përzgjedhjen e punëtorëve dhe natyrisht është edhe përgjegjësi e tyre”, thotë Selmanaj për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Selmanaj deklaron se komuna po bën përgatitje që fabrika e krijuar nëpërmjet fondeve të BE-së dhe atyre komunale t’i jepet nën menaxhim një kompanie private. 

Më 1 janar të vitit 2014 përfundon periudha e mbikëqyrjes së Zyrës së BE-së në këtë projekt. 

“Unë besoj se deri në fund të vitit ne do t’i zhvillojmë procedurat konform ligjit. Kompania që do të ketë ofertën më të mirë dhe konform ligjit ne do të përzgjedhim menaxherin privat të fabrikës”, shton Selmanaj. 

Fabrika Golden Honey