Ana Nedelkoviq dhe Nikola Madjak

Animacioni shpërfaq kapjen e shtetit

Gjatë vizitës së tyre në Dokufest, animatorët serbë Ana Nedeljkoviq dhe Nikola Madjak ndanë taktikat e tyre për të shprehur mllefin ndaj realitetit të përbashkët politik në Ballkan: krijimin e një universi të animuar që kap korrupsionin, izolimin dhe premtimet e rreme.

Ana Nedeljkoviq dhe Nikola Madjak kanë ndaluar së numëruari sa herë kanë udhëtuar me autobusin e natës nga vendlindja e tyre në Beograd për në Prizren për të vizituar Dokufestin.

Filmi i tyre debutues, Rabbitland – një përshkrim i ngritjes përtej së mundshmes nga kapja e shtetit dhe diktatura – e dha premierën në festivalin e vitit 2014. Këtë vit, filmi i tyre i fundit, Untravel, ka si subjekt trajtimi izolimin, kufijtë dhe ëndrrën utopike të të jetuarit “jashtë”, i ekranizuar si pjesë e konkursit ndërkombëtar të filmit të shkurtër.

Madjak beson se përdorimi i animacionit për të bërë filma që rrisin vetëdijen politike dhe shoqërore është me shumë rëndësi. “Kjo është diçka shumë e rëndësishme për ne. Si pjesë e një vendi që është përgjegjës për luftën në ish-Jugosllavi, ne ndjehemi sikur duhet të themi diçka. ”

Sipas Nedeljkoviq, paragjykimi i njerëzve ndaj animacionit si diçka fëmijërore ose naive për ti treguar tregimet, i ka dhënë kësaj dysheje hapësirë të tallen me realitete të errëta politike, si dhe me përvojat e tyre personale tronditëse.

“Përmes internetit, mund të shohim dokumentarë me pamje të jetës reale të luftës, luftimeve dhe kufomave duke u ndjerë komfort në shtëpitë tona, dhe tashmë jemi mësuar me këtë,” thotë ajo. “Por, duke parë diçka të animuar, është më lehtë të arrish tek publiku dhe të ndash mesazhin me ta.”

Madjak e filloi karrierën e tij si regjisor i lajmeve dhe dokumentarëve me një aparat fotografik, pas konfliktit që përfshiu Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Ai ishte pjesë e skenës së animacionit në Beograd gjatë njëzet viteve të fundit dhe, bashkë me Nedeljkoviq, po përdorin përvojat e tyre gjatë viteve ’90 për të kapur realitetin e përbashkët politik që rezonon jo vetëm në Serbi, por në të gjithë Ballkanin, përmes filmave të tyre të animuar.

Filmi i dytë i animacionit me ndalesë, Untravel, nga Madjak dhe Nedeljkoviq, ka të bëjë me historinë e një gruaje të re dhe miqve të saj që jetojnë në një vend “të vogël, të izoluar” e të pa emër, i rrethuar nga një mur i madh i kuq. Ata ëndërrojnë të largohen në një tokë me mundësi të pafundme, të quajtur thjeshtë ‘jashtë vendit’: një vend me plot premtime, me plazhe, hotele luksoze, paga të mëdha, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

Personazhet kryesorë mund t’iu duken të njohur nëse e keni parë veprën e mëparshme të Nedeljkoviq dhe Madjak. Filmi i tyre i parë, Rabbitland, është historia e një vendi djerrinë i bojatisur e me ngjyrë rozë, i populluar me lepujt, me vrima aty ku do të duhej të ishte truri i tyre. Toka e lepujve është nën kontrollin e një grupi ‘vajzash të liga’, gati identike me protagonistët në Untravel, por janë femra diktatore që u thonë lepujve se janë të lumtur, duke organizuar zgjedhje të lira dhe të mirërregulluara që zhvillohen çdo ditë për t’i mbajtur ata të zënë, “shenja e një demokracie të mirë”.

Nedeljkoviq e ka krijuar universin e saj të animuar rreth vajzave të saja të liga, përmes kukullave të cilat ajo fillimisht i krijoi teksa studionte në Fakultetin e Arteve të Bukura në Beograd në vitin 2005. “Na u dashtë të aktivizonim përsëri vajzat e liga për filmin Untravel, ato janë personazhe femra, të identifikueshme dhe me karakter të fortë që do ta mbështesin storien” thotë ajo. “Por versioni i tyre i parë ishte shumë i shëmtuar dhe i çuditshëm, kështu që ne kaluam shumë kohë duke i kthyer ato në një karakter të atillë që njerëzit do t’a besonin storien e tyre.”

Nedeljkoviq thotë se këto vajza e kanë ndihmuar atë të tregojë storie shumë personale, duke trajtuar realitetin e një elite politike me predominim mashkullor, elitë ish-ushtarake që ka kapur shtetet në të gjithë Ballkanin. “Ishte me shumë rëndësi që diktatorët tanë të ishin femra, duke përmbysur krejt storien dhe në një farë mënyre duke e bërë edhe më të fortë mesazhin,” thotë ajo.

Untravel mbaron me vajzat, të frikësuara për të kapërcyer kufirin e vendit të tyre të vogël, të izoluar, duke kapur duart e njëra-tjetrës dhe duke u hedhur përtej vijës së kuqe pika-pika, duke gjetur asgjë nga ana tjetër. Para se shikuesit të zbulojnë se çfarë ndodh më pas, gjithçka shkon në të zezë dhe fjalët ‘KJO PËRMBAJTJE NUK ËSHTË E DISPONUESHME NË VENDIN TUAJ’ është shkarravitur nëpër ekran.

Vetëm pasi e kishin bërë filmin Untravel, ajo dhe Madjak e kuptuan se kjo mund të interpretohej si një prelud i Rabbitland.

“Vajzat kanë lindur dhe janë rritur në këto qytete të mëdha gri, duke u përballur me izolim dhe çështje politike, por në fund të filmit ato shpëtojnë, dhe ndoshta disa vjet më vonë ato fillojnë të ndërtojnë Rabbitland, në këtë tokë të askujt që ato e kishin gjetur” thotë Nedeljkoviq. “Të jetosh në izolim, si në izolim mental ashtu edhe në atë  politik, mbart shumë pasoja, dhe në rastin e vajzave të liga, përgjigjja e tyre u bë ironike, kritike, dhe [të krijuarit e diktaturës së tyre] u bë mënyra e tyre më e mirë për t’u përballur me situatën e tyre.”

Një fund i qetë i filmit që Nedeljkoviq shpreson se shpreh rëndësinë e të qenit kritik dhe kundërshtues ndaj realiteteve politike, të cilat mund të mirëmbahen shumë lehtë.

“Sa i përket filmit Untravel kemi kuptuar se nuk mund të kemi një përfundim të vërtetë për filmin, nuk ka fund për këtë vizion dhe nuk mund të ofrojmë asnjë lloj zgjidhjeje, kështu që vendosëm ta lëmë atë të hapur. Ndalja e filmit dhe thënia “kjo përmbajtje nuk është e disponueshme në vendin tuaj”, ka dalë mirë me të vërtetë, veçanërisht në Ballkan. Kufijtë ekzistojnë edhe në internet,” thotë ajo.

Një nga sfidat më të mëdha për Madjak dhe Nedeljkoviq ishte krijimi i një historie që do të jetë në gjendje të rezonojë si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ndërsa po bënin filmat e tyre, ata e shihnin si problematike të vazhdonin tutje përderisa mizoritë po shfaqeshin në lajme nëpër gjithë globin në kohën e tanishme.

“Gjatë bërjes së filmave Rabbitland dhe Untravel, Trump vendosi të ndërtojë një mur përgjatë krejt kufirit me Meksikën, ndodhi kriza e migrantëve në Evropë dhe rrethoja po ndërtoheshin përreth Hungarisë, dhe ne filluam të frikësoheshim se realiteti po bëhej skenar më i mirë sesa ne” thotë Nedeljkoviq.

Sipas Madjak, filmat e tyre bëhen bazuar në realitetin e tyre të jetesës për të qëndruar në Serbi pas diktaturës dhe luftërave të viteve 90, i tillë që do të mund të lidhej me publikun në Dokufest.

“Për pak kohë, ne kishim një lloj demokracie të pasuksesshme. Gjatë asaj periudhe kishte një optimizëm, por njerëzit që ishin përgjegjës për luftën në Jugosllavi u kthyen me bollëk dhe nuk ka më optimizëm,” thotë ai. “Ka korrupsion dhe papunësi, pasiguri, po bëhet gjithnjë e më keq. Nuk ka luftë, për fat të mirë, por nga ana tjetër, ka depresion, depresion nga frika se çfarë vjen më pas. ”

Filmat e tyre janë gjithmonë të hapur sa duhet në mënyrë që njerëzit të ndiejnë dhe të shohin në to përvojat e tyre, thotë ai. “Përmes filmave dokumentarë, storie të tilla janë të pritshme, por nuk do ta donit një gjë të tillë edhe përmes animacionit. Kjo është arsyeja pse ne po e bëjmë këtë.”

Filmi radhës i Madjak dhe Nedeljkoviq, Money and Happines (Paraja dhe Lumturia), do ta ketë si subjekt trajtimi idenë e depresionit, veçanërisht marrëdhëniet e tij me paqëndrueshmërinë ekonomike.

“Në Serbi dhe rajon, politikanët i paraqesin vendet e tyre në zhvillim e sipër, me rritje të madhe ekonomike, duke shpërfaqë statistika gjatë gjithë kohës të cilat vërtetojnë se si zhvillimi po rritet,” tha Madjak. “Por, për ju mjafton vetëm të shikoni përreth dhe do të shihni shembuj që nxisin pyetjet nëse diçka e tillë është e vërtetë.”

Kjo është arsyeja pse Nedeljkoviq dhe Madjak vendosën të bëjnë një film që hulumton mënyrën se si shteti e paraqet ekonominë, duke matur suksesin e një kombi përmes Prodhimit të  Brendshëm Bruto, PBB-së, së atij shteti, ndërkohë njerëzit ndahen të pakënaqur dhe në situata të pasigurta ekonomike.

“Nëse do të më duhej ta definoja sistemin dhe mentalitetin tonë politik, ne kemi këtë lloj të diktaturës së lumturisë,” thotë ajo. “Ne jemi të detyruar të jemi të lumtur pavarësisht gjithçkaje, dhe shumica prej nesh, sinqerisht, thjesht po shtiremi. Do të duhej ta pyesnim vetën tonë, çfarë, në fakt, fshihet pas krej kësaj?”