Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Paqartësi rreth klasifikimit të koeficientëve të pagave për punonjësit e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë ka 71 punëtorë, të cilët presin që pagat e shkurtit t’i marrin sipas Ligjit të ri për Pagat në sektorin publik, me koeficientin prej 105 eurosh.

Zyrtarë të kësaj biblioteke kanë thënë për KALLXO.com se BKK e ka kryer procesin e klasifikimit me caktimin e koeficientit për punëtorët e bibliotekës.

Por, përfaqësues të Sindikatës së punëtorëve të BKK “Pjetër Bogdani”, kanë thënë për KALLXO.com se janë anashkaluar dhe se punëtorët nuk janë informuar për gradimin dhe caktimin e koeficienteve për punëtorët e kësaj biblioteke.

Fazli Gajraku, drejtor i BKK-së “Pjetër Biogdani” tha për KALLXO.com se numri i përgjithshëm i punëtorëve në këtë bibliotekë është 71, ndërsa 56 prej tyre janë nëpunës publik, kurse 15 të tjerë janë nëpunës administrativë dhe mbështetës.

Drejtori Gajraku ka thënë se BKK “Pjetër Bogdani” ka punëtorë të cilët hyjnë në kategorinë e krijuesve dhe performuesve të artit dhe të trashëgimisë kulturore.

“Punëtorët profesionalë të fushës së bibliotekarisë, si: parakataloguesit, kataloguesit, redaktorët, bibliografët, bibliotekarët referalë, bibliotekarët konservues dhe restaurues etj. janë ranguar sipas klasës së propozuar në Kategorinë e krijuesve dhe performuesve të artit dhe të trashëgimisë kulturore, pra në Klasën K6 – Profesional 1, ndërsa udhëheqësit e njësive të fushës së bibliotekarisë janë ranguar sipas klasës së propozuar në Kategorinë e krijuesve dhe performuesve të artit dhe të trashëgimisë kulturore, pra në Klasën K5 – Drejtues/e i/e ulët”-ka thënë drejtori Gajraku.

Gajraku ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë konfirmim nga Ministria e Punëve të Brendshme, lidhur me klasifikimin e bërë për koeficientët për punëtorët e BKK-së.

Por, Ramush Zeka, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të BKK-së “Pjetër Bogdani”, thotë për KALLXO.com se koeficientët për pozitat në bibliotekë janë caktuar pa asnjë diskutim apo njoftim për punonjësit e BKK-së.

Ne anëtarët e Sindikatës të BKK-së edhe përkundër kërkesës sonë të përsëritur drejtuar menaxhmentit të BKK-së, Këshillit Drejtues të BKK-së për të qenë pjesë e diskutimeve për Ligjin e Pagave dhe jo vetëm, kemi qenë të anashkaluar dhe informimi jonë lidhur me koeficientët për pozitat në Bibliotekën Kombëtare ka qenë përmes mediave apo edhe rrjedhjes së ndonjë informacioni nga një grup i ngushtë i interesit me menaxhmentin e BKK-së”-thotë ai.

Zeka thotë se punëtorët e BKK-së duhet të marrin pagat sipas shtojcës 12-të të Ligjit të Pagave në sektorin publik.

“Punonjësit e BKK-së kanë vërejtje të shumta, por siç e ceka më lartë  kemi mungesë të informacionit  të saktë pasi që askush nga menaxhmenti nuk i informon. Kërkesë e punonjësve të BKK-së është që të jenë të përfshirë sipas shtojës nr.12 për ‘Krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit’ të Ligjit të Pagave”- ka thënë Zeka.

Pjesë e Ligjit të Pagave janë edhe krijuesit dhe performuesit e institucioneve kulturore publike.

Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik do të jetë 105 euro për vitin 2023.

Sipas Ligjit për Paga në sektorin publik, krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit janë të ranguar në tetë klasa (kategori), me koeficiente nga 13 deri në 6.5, për pozita të ndryshme.

Pozita drejtues i lartë 1, që përfshin drejtorët e përgjithshëm të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, do të ketë koeficientin 13, ose pagë 1,365 euro, gati dyfish më shumë nga paga që kanë pasur deri më tani.

Pozita drejtues i lartë 2 me koeficientin 12.5, do të ketë pagë 1.312.5 euro. Pagat më të vogla për krijuesit dhe performuesit në kulturë dhe art do të jenë për pozitat: Profesional 3 me koeficient 6.5 ose pagë 628.5 euro.