Analistët - Së pari skenim i marrëveshjeve të arritura, pastaj vazhdimi dialogut me Serbinë

Ndonëse ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, proces ky që i hap rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit, ka vazhduar kërkesa ndërkombëtare për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi, drejt mundësisë për një marrëveshje përfundimtare mes të dyja shteteve.

Vendet partnere të Kosovës, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së fundi kanë thelluar rolin e tyre në këtë proces, pasi administrata e Presidentit Donald Trump e ka emëruar si të dërguar special të SHBA-së për negociatat Prishtinë – Beograd, Richard Grenell, i cili është edhe ambasador amerikan në Gjermani.

Ndërkohë, njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se për rifillim të dialogut nevojitet konstituimi i përbërjes së institucioneve të reja të Kosovës si dhe një analizë e qartë e procesit dialogues dhe marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani me shtetin fqinj, Serbinë.

Menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilat e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, , ky i fundit zhvilloi takime me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Sipas një njoftimi të LVV-së, Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.

Në anën tjetër, Kurti i cili pritet të marr mandatin si Kryeministër, sa i përket dialogut me Serbinë, citohet të ketë thënë që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj, sesa afati kohor për të.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Belul Beqaj thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se reagimi që të fillohet dialogu sa më shpejt që është e mundur, është kërkesë e interesimit të subjekteve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë dhe shpreh interesimin për një çështje e cila ka mbetur e hapur me vite të tëra.

Megjithëse, sipas Beqajt, nuk është e logjikshme që një punë që nuk është kryer për shtatë vjet të zgjidhet menjëherë.

“Fakti se nuk është zgjidhur ky problem për shtatë vite nënkupton se ka pasur defekte serioze në rrugëtimin e kërkesave dhe nevojës për të gjetur një zgjidhje adekuate në drejtim të normalizimit të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Prandaj është shumë me rëndësi se çfarë do të krijohet në kuptimin e analizës së vlerësimeve për marrëveshjet e deritanishme, çfarë përmbajtje kanë ato, pse disa nuk janë realizuar, disa janë realizuar pjesërisht dhe disa janë realizuar plotësisht”, thotë ai.

Sipas analistit politik, për të ecur më tej duhet të bëhet një skenim i gjendjes reale.

“Shumë më me rëndësi se se koha është përmbajtja e vazhdimit të dialogut nëse nuk dëshirojmë që vazhdimi i dialogut ta ketë epilogun që e ka pasur deri më sot. Kështu është arsyeja pse zotëri Kurti mendon që është më e rëndësishme ta kemi përmbajtjen sesa shpejtësinë e realizimit të një marrëveshje e cila nuk ka përmbajtje apo ka përmbajtje diskutabile”, shtoi Beqaj për Gazetën JnK.

Ndërkaq, Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se së pari duhet pritur krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e përgjithshme pra Kuvendin dhe Qeverinë dhe vetëm pastaj mund të flitet për rifillimin e procesit të dialogut.

“Siç e dimë taksa 100% e vendosur ndaj Serbisë nga qeveria e kaluar ende është në fuqi dhe ka qenë njëra ndër arsyet për pezullimin e procesit të dialogut deri më tani. Pra taksa është sfida e parë e cila e pret në tavolinë qeverinë dhe kryeministrin e ardhshëm. Duhet të presim dhe të shohim se cila do të jetë qasja e Qeverisë së re ndaj taksës dhe ndaj Serbisë në përgjithësi dhe se a do të mund të vazhdojë procesi i dialogut, vazhdimi i të cilit varet nga vullneti i të dy palëve (i Kosovës dhe i Serbisë)”, ka thënë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Megjithatë, sipas Haxhollit, janë dy hapa të rëndësishëm që duhet t’i ndërmarrë qeveria e re para vazhdimit të dialogut.

“Hapi i parë duhet të jetë skanimi i gjendjes së procesit të kaluar të dialogut, pra qeveria e re duhet të bëjë një analizë të të gjithë procesit dhe marrëveshjeve të arritura deri më tani në mënyrë që të evidentojë efektet e marrëveshjeve të dialogut dhe problemet e sfidat në zbatimin e tyre”, thekson tutje ajo.

Ndërsa, hapi i dytë siç thotë hulumtuesja Haxholli, duhet të jetë ndërtimi dhe konsolidimi i një qëndrimi shtetëror ndaj dialogut.

“Pra qeveria duhet ti prijë një diskutimi të gjerë me gjithë spektrin politik lidhur me atë se cila duhet të jetë qasja e Kosovës ndaj Serbisë, kërkesat e Kosovës ndaj dialogut dhe vijat e kuqe që nuk bën të tejkalohen në këtë proces”, thekson Haxholli.

“Pra pa një përgatitje të mirëfilltë shtetërore Kosova nuk është mirë që të hyjë në procesin e dialogut, që po konsiderohet edhe si faza më kritike dhe më e rëndësishme e këtij procesi, në mënyrë që mos të përsëritën gabimet që janë bërë në të kaluarën”, shtoi ajo.

Kurse, sipas Belul Beqajt, deri në rifilim të dialogut varet prej konsolidimit të institucioneve.

“Nuk mund të shkosh në dialog pa analizuar qëndrimin rreth faktorëve të tjerë relevant, se nëse arrihet një marrëveshje nuk ta kalon në Parlamentin e Kosovës. Duhet të bëhet një lloj unifikimi i tërë procesit dhe gjithë faktorët relevant të jenë pjesëmarrës ku udhëheqës apo lokomotiva e realizimit do të jetë qeveria, përkatësisht kryeministri. Ndërkaq opozita dhe gjithë faktorë më relevant do të jenë kompozitor në drejtimin e realizimit të këtij synimi”, thotë ai.

Beqaj për Gazetën JnK shton se problemi i kërkesës për zgjidhjen sa më të shpejt ka të bëjë me korrigjimin e kufijve, sipas të gjitha gjasave.

“Nuk mund të hysh në një aventurë për ta humb një pjesë të tokës të cilën nuk mund ta kthesh ose mundesh me e kthy pas kush e di sa vjetësh me luftë”, përfundoi ai.

Përveç ambasadorit Grenell si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, paraprakisht Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e ka emëruar zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar në vitin 2011, përderisa shumë marrëveshje nga këto negociata nuk kanë arritur të zbatohen.