Richard Grenell - Emisar amerikan për dialogun Kosovë - Serbi

Pesë parime për Richard Grenell, të dërguarin special amerikan për bisedimet Kosovë - Serbi

Fondacioni konservativ amerikan “Heritage” ka dalë me disa rekomandime për të dërguarin special të SHBA-së për negociatat Prishtinë – Beograd, Richard Grenell, në të cilat, ndër të tjera, e paralajmëron atë që duhet të jetë “sy e veshë” në kontaktet me Beogradin, të jetë i durueshëm me Prishtinën, dhe të bashkëpunojë me BE-në.

Ky fondacion konsideron se që nga vitet 1990, SHBA ka sakrifikuar gjak dhe mjete të konsiderueshme për të siguruar që Ballkani të mbetet një rajon i qetë dhe i qëndrueshëm – dhe për këtë arsye SHBA duhet të ketë fjalën e saj për çdo zhvillim të madh në rajon. 

Kjo është arsyeja pse emërimi i Ambasadorit të SHBA në Gjermani, Richard Grenell, si i dërguari special i SHBA-së për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një veprim i rëndësishëm. 

Ambasadori Grenell duhet të jetë i ndërgjegjshëm për faktin se asgjë në Ballkan nuk është e lehtë ose e drejtpërdrejtë, ndërhyrja me kufijtë është një ide e keqe, puna me vendet evropiane në rajon rrit mundësinë e suksesit, dhe se SHBA duhet të jenë të durueshëm me Kosovën dhe të mbeten të vetëdijshëm se Serbia është pikë mbështetëse e Rusisë në Ballkan.

Ky think-tank konservator amerikan i jep pesë parime për të cilat thotë se Richard Grenell duhet t`i ndjekë gjatë bisedimeve Beograd-Prishtinë.

Fillimisht fondacioni tërheqë vëmëndjen se Grenell duhet të jetë i vetëdijshëm për faktin se asgjë në Ballkan nuk është e thjeshtë.

“Përzierja me idenë e lëvizjes së kufijve është një ide e keqe, bashkëpunimi me vendet evropiane në rajon rrit mundësinë e suksesit, dhe SHBA-të duhet të jenë të durueshëm me Kosovën dhe të jenë të vetëdijshëm se Serbia është një lloj bastioni rus në Ballkan”, thuhet në këtë tekst.

“SHBA-të duhet të jenë realiste në qasjen e saj ndaj Serbisë dhe ta shikojnë Serbinë si të tillë çfarë është, ose të jenë të vetëdijshëm se Beogradi bashkëpunon me Kinën, Rusinë dhe Perëndimin”, thotë Heritage duke shtuar se “kjo nuk do të thotë që SHBA duhet të ndalojë të kërkojë një qasje kuptimplotë ndaj Serbisë, porse çdo qasje që ata ndërmarrin duhet të jetë pragmatike dhe të merret në bazë të një pamje realiste të Serbisë”.

“SHBA-ja duhet të pranojë se nuk ka gjasa që Serbia të jetë pjesë e strukturave perëndimore në një të ardhme të afërt dhe se do të ishte naive të shpresosh për një ndryshim me rëndësi gjatë rrugëtimit të këtij shteti”,thuhet më tej në shkrimin e këtij fondacioni amerikan.

Cilat janë këto pesë parime?

Ky think-tank konservator me seli në Uashington thotë se në momentin kur Grenell përvjel mënget dhe kyçet në zhbllokimin e nyjës gordiniane, e që në fakt kjo nyje është vetë rajoni i Ballkanit, atëherë patjetër do të duhej të ndiqte pesë parime.

Fillimisht, Grenell duhet të kuptojë se asgjë nuk është e lehtë në Ballkan dhe se duhet ta ketë parasysh kontributin amerikan për rajonin e Ballkanit në të kaluarën.

“Edhe Beogradi edhe Prishtina do të parashtrojnë propozime të thjeshta dhe të lehta për normalizimin e marrëdhënieve reciproke”, parashikon fondacioni Heritage.

Shkrimi vë në dukje se Shtetet e Bashkuara kishin investuar, edhe një herë, burime të mëdha në Ballkan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

“Dhjetëra mijëra trupa amerikane kanë shërbyer në Ballkan, dhe SHBA ka shpenzuar miliarda dollarë, për të krijuar një rajon të sigurt dhe me prosperitet duke shpresuar se një ditë ky rajon do të bëhet pjesë e komunitetit transatlantik”, raporton Heritage.

Parimi i dytë të cilin Grenell duhet të ndjekë ka të bëjë me faktin se Grenell është një i dërguar special, e jo një hartograf.

Në terma tjerë, sipas këtij parimi, Fondacioni Amerikan deklaron se shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufijve të rinj përgjatë vijave etnike dhe fetare do të hapte kutinë e Pandorës dhe do të paraqiste një “precedent të rrezikshëm”.

Parimi i tretë të cilit Grenell duhet t’i përmbahet është “të punojë me Evropën e jo kundër saj”, rekomandon Heritage, duke shtuar se stabiliteti në Ballkan është një nga fushat e politikës që i përafron më së shumti Uashingtonin dhe Brukselin.

“Duhet qenë i durueshëm kur është në pyetje progresi i Kosovës. Ky është një vend i varfër që vuan nga një shkallë e lartë e papunësisë dhe korrupsionit”, thotë parimi i katërt nga Fondacioni Heritage, parim ky të cilin Grenell do të duhej ta ndiqte.

Parimin e fundit, të pestin, ky fondacion amerikan e ndërlidhë me Serbinë duke e këshilluar Grenellin që jetë vigjilent dhe të “hapë katër sytë” gjatë punës së tij me këtë shtet.

“Disa politikanë serbë kanë një histori të mirë për mënyrën sesi duan të anëtarësohen në komunitetin transatlantik ndërsa në të vërtetë vazhdojnë t`i bëhen pararojë Kremlinit. Politikëbërësit amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se Serbia, jo vetëm që nuk është garancë e stabilitetit në Ballkan, përkundrazi, ajo vazhdon të jetë burim i destabilizimit dhe ky pohim është mëse real kur bëhet fjalë për Bosnje dhe Hercegovinën, ku, siç shton tutje ky fondacion, “Beogradi e mbështet separatizmin në Republikën Srpska”.

Si përfundim, fondacioni Heritage thotë se emërimi i Ambasadorit Grenell si i Dërguar Special paraqet objektivat e administratës amerikane për të qëndruar aktivisht e përfshirë në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Ambasadori Grenell duhet të inkurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor që t`i lënë mënjanë ankesat e tyre historike, kulturore ose fetare dhe të punojnë në mënyrë konstruktive për të rritur marrëdhëniet tregtare, për të zgjidhur mosmarrëveshjet kufitare dhe të heqin dorë nga retorika provokative për hir të stabilitetit. 

Këto pesë parime do të duhej ta ndihmonin të dërguarin special, Grenell, që ta ketë më lehtë punën e tij në këtë rajon mjaft problematik të Evropës.